Nga Isak Ramadani – Maqedoni

Gjykata Penale në Shkup i caktoi të premten dënimin me burg Menduh Thaçit, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare dhe pesë ish-anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe ish-zyrtarë të lartë shtetërorë, për shkak të rolit të tyre në parregullsitë e procesit të zgjedhjeve vendore në vitin 2013. Zotit Thaçi iu caktua dënimi me 3 vjet e dy muaj burg. Bedredin Ibrahimit, po ashtu zyrtar i lartë i PDSH-së dhe ish-anëtar i KSHZ-së, 4 vjet e gjashtë muaj burg. Ish-anëtarëve të tjerë të KSHZ-së, Aneta Stefanovës, 3 vjet burg, Vllatko Sajkovskit, 3 vjet burg, Sasho Sërcevit, 3 vjet burg. Edhe ish-drejtorit të shërbimit sekret, Sasho Mijallkov, 3 vjet burg. Ky i fundit, në bazë të bisedave të përgjuara telefonike, i kishte kërkuar kryetarit të PDSH-së, Thaçi që të ndërhynte tek Bedredin Ibrahimi për të votuar prishjen e procesit të votimit në komunën e Strumicës, në juglindje të Maqedonisë së Veriut. Mijallkovi u dënua për veprën “përfitim të shpërblimit përmes ndikimit të paligjshëm”.

            Prokurorja e Prokurorisë së Posaçme, Fatime Fetai kërkoi masën e paraburgimit për zotërinjtë Mijallkov dhe Ibrahimi deri në hyrjen në fuqi të dënimit, për shkak të mundësisë së arratisjes së tyre, sipas saj. Nga të gjithë të akuzuarit, vetëm z. Menduh Thaçi nuk ishte i pranishëm në gjykatë.

Të dënuarit mund të paraqesin ankesat e tyre tek Gjykata e Lartë në lidhje me masat e dënimit ndaj tyre brenda një afati të caktuar.