Me rastin e ditës së 7 Marsit, kam dëshirë t’i rishfaq këto dy foto domethënëse. Mësuesi elbasanas Shefik Kulla është në të dyja fotot, ndërsa nxënësit i takojnë periudhave të ndryshme. Në foton e parë, në vitin 1925, mësuesi ka dalë me nxënësit e fshatit Petrelë të Tiranës. Mësuesi është i veshur mirë, i kollarisur. Mban në dorë një bastun për të plotësuar pamjen e një fisniku, pavarësisht se as i duhej ai. Reflekton qetësi e siguri. Nxënësit nuk kanë ankth. Janë të çiltër e të veshur mirë. Nuk duken as të paushqyer.
Fotoja e dytë i takon vitit 1965. Mësuesi është degdisur tashmë në fshatrat e Gramshit, pikërisht andej ku “komandanti” u fsheh në pritje të mbarimit të luftës. Pamja flet vetë. Një vend i shkretë. Mësuesi nuk ka më bastum, pavarësisht se mosha ia përligjte atë. Mësuesi nuk ka as siguri e as qetësi. Nuk është i veshur mirë. Mban në kokë një kapele të sajuar. Nxënësit e tij, përfaqësuesit e brezit të ri të Shqipërisë socialiste të tollonave e rreckave duken të paushqyer. Dy vajza dhe dy djem kanë veshur xhupa të sajuar nga ato që mbanin të burgosurit. Tjetri nuk kuptohet çfarë ka sajuar. Nga katër nxënësit vetëm njëri ka pasur mundësi të blejë shami pionieri.