Nga Kozeta Zylo – Amerike

Organizata “Motrat Qiriazi” e cila hyri ne vitin e 26-të të krijimit të saj festoi me plot sukses dhe nderoi disa aktivistë shqiptaro-amerikanë me rastin e festave të 7-8 Marsit. Këto data janë shumë të rëndësishme për shumë organizata dhe festohen me plot dashuri dhe përkushtim midis anëtarëve të komunitetit.
Në restorantin “Battery Garden” në Manhattan nën melodinë paqësore të një shiu të butëz që reflektonte shndritshem mbi Statujën e Lirisë, e cila ndodhet përballë këtij restoranti u mblodhën mjaft shqiptarë, ku dalloheshin më së shumti gra për të festuar 7-8 Marsin. Sa herë që do të ndodhem përballë Statujës së Lirisë ndërmend më vjen poeti dhe kritiku i mirënjohur amerikan David Antin i cili thotë: “Unë gjithmonë kam një ndjenjë shumë të fortë për Statujen e Lirisë, për shkak se ajo u bë Statuja e Lirise sime personale”.
Dihet që statuja e Lirise është simboli i Lirisë, atë Liri që ne shqiptarët e kemi ëndërruar në shekuj, por realisht atë ëndërr e kemi prekur vetëm në këtë tokë të premtuar…
Grupe grupe vinin gratë shqiptare dhe burrat të veshur me elegancë për të festuar këto dy data të shënuara, ku në hyrje mirëpriteshin nga zonjat e nderuara të Motrave Qiriazi Agathia Luka, Ariana Deda-Elezaj etj…
Mbrëmja u moderua plot elegancë dhe kulturë nga gazetarja e mirënjohur në TV-të amerikane Lidia Curanaj.
Presidentja e Organizatës “Motrat Qiriazi” zonja Beti Beno me profesionin avokate me një thjeshtësi dhe qetësi karakteristike të saj tha se ne mblidhemi për çdo vit dhe festojmë së bashku shumë data historike të Kombit tonë, por sivjet do të nderojmë disa zonja dhe një burrë filantropist në këtë restorant që perballë ngrihet madhështore statuja e Lirisë. Zonja Beno foli me krenari te ligjshme dhe për grumbullim të fondeve që po bëhet nga Motrat Qiriazi për një muze shqiptaro hebraik që do të ngrihet së shpejti në Prizren ku donatorët kryesorë janë z.Bajraktari dhe z.Gecaj.
Biznesmeni i suksesshëm z.Harry Bajraktari në fjalën e tij tha se është krenari që do të ndërtohet një muze në Prizren dhe ne t’i tregojmë botës se si të gjithë hebrenjtë u strehuan nga shqiptarët për t’i shpëtuar bishës naziste. Në këtë mbledhje fondesh merr pjesë dhe z.Rrustem Gecaj të cilët me z.Bajraktari janë në krye të kësaj fushate.
Në këtë festë të bukur nderoi me pjesëmarrjen e saj zonja Patricia Engel, bashkëshortja e kongresistit Eliot Engel, i zgjedhur kryetar i komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan. Pasi përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit znj.Engel tha se projekti për muzeun e shqiptaro – hebrenjve realizohet me mbështetjen e kongresistit Eliot Engel.
Me shumë krenari foli Ambasadorja Teuta Sahatqija, Konsulle e Përgjithshme e Kosovës në New York e cila falënderoi donatorët dhe “Motrat Qiriazi” ku së shpejti në Prizren do të ngrihet një Muze shqiptaro-hebraik në nderim të popullit shqiptar i cili shpëtoi nga Holokausti gjithë hebrenjtë që u strehuan në Shqipërinë Etnike. Ky Muze është i pari i këtij lloji në të gjithë Kombin.
Në këtë festë përshëndeti dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara znj.Besiana Kadare.
Zonja Alda Mosko kryetare e Bordit të këshilluesve përshëndeti gjithë të pranishmit për festat e 7-8 Marsit si dhe falënderoi kontribuesit që bëjnë të mundur mjaft nisma në shërbim të çështjes kombëtare.
Motrat Qiriazi nderuan me çmime disa persnoalitete të Diasporës si artisten e shquar të Kombit me kontribut të vyer Lindita Mezini Lole si grua e vitit 2019-të, Afërdita Osmani si mësuese e vitit 2019-të për përkushtimin e saj të çmuar në Kosovë dhe Amerikë si dhe Albanian Youth Center në Connecticut një qendër e re komunitare në shërbim të edukimit të fëmijëve dhe të rinisë, cmim që u mor në emër të saj nga zonja Erjona Takaj.
U nderuan me çmimin special “Arrtije Jetësore” z.Dino Erbeli si një bamirës i jashtëzakonshëm për mbështetjen e fondit të fëmijëve nga Motrat Qiriazi si dhe znj.Hermira Gjoni për një kontribut të jashtëzakonshëm në art dhe edukim.
Proklamatat janë prezantuar nga aktivistja e nderuar zonja Alda Mosko kryetare e Bordit të këshilluesve dhe Eva Burnazi.
Pjesëmarrësit janë argëtuar nën tingujt e muzikës DJ Samy, violinisti Arens Leka, pianisti Altin Shehu si dhe përshëndeti me disa intepretime nga repertori i saj Lindita Mezini Lole.
Emri fort i nderuar “Motrat Qiriazi” që mban kjo organizatë doemos të bën krenar dhe të nderon si grua shqiptare. Për nderimin që iu është dhënë shekullin e kaluar motrave Qiriazi të kujton vlerësimin në revistën “Ylli i mëngjesit” botuar në vitin 1917-të ku shkruhet: “Le të mburremi jo vetëm ne burrat, por edhe gjithë zonjat shqiptare, se zonjusha Parashqevi Qiriazi, “Zhan D`Arka” e Shqipërisë na nderoi të gjithë. Asnjë komb i madh ose i vogël nuk ka sot në Paris një delegate zonjë, po Shqipëria e ka këtë zonjushe”.
Këto lloj mbrëmjesh janë me plot domethënie, por dhe argëtim që ngelen gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve dhe shembulli gjithmonë udhëheq.
Së shpejti TV “Alba Life” do të transmetojnë në kanalet televizive kronikën e përgatitur enkas për këtë mbrëmje madhështore organizuar nga Motrat “Qiriazi”.
Photo Credit: Glamphotography

3 Mars, 2019
Staten Island, New York