Senatorë amerikanë nga të dyja palët, e mbështetën vendimin e Presidentit Donald Trump për të ndërprerë takimin e nivelit të lartë me udhëheqësin koreano-verior, Kim Jong Un nëse nuk ishte e mundur një marrëveshje e pranueshme për Shtetet e Bashkuara.

“Më mirë pa marrëveshje, sesa me një marrëveshje të keqe”, u tha gazetarëve të enjten, demokrati nga Virxhinia Perëndimore, Joe Manchin.

“Pjesë e artit të negociatave, është të dish kur të tërhiqesh prej tyre. Jam i kënaqur që presidenti Trump e vuri në zbatim këtë aftësi dhe pati mundësinë të thoshte: ‘Megjithëse e dua marrëveshje, ky nuk është momenti i duhur’”, tha republikani nga Dakota e Jugut, Mike Rounds.

Takimi i dytë Trump-Kim, në Hanoi të Vietnamit, u mbyll papritur, sipas njoftimeve për shkak të një ngecjeje mbi ritmin dhe fazat e lehtësimit të sanksioneve për Korenë e Veriut, në raport me afatet e Phenianit për çnuklearizimin.

“Nëse presidenti dhe ekipi që e shoqëronte, nuk menduan se do të siguronin diçka pozitive, atëherë është gjë e mirë që nuk bëmë lëshime”, tha senatori demokrat nga Virxhinia, Tim Kaine.

Por njëkohësisht, senatorët amerikanë kishin mendime të ndryshme lidhur me vlerësimin e tyre për politikën e administratës së Presidentit Trump për Korenë e Veriut.

“Natyrisht që unë nuk dua që asnjë president të nënshkruajë një marrëveshje të keqe, por zakonisht bëhen përgatitje të serioze paraprakisht, për të krijuar një ide, në mos për të parashikuar rezultatin. Në këtë rast, mesa duket kjo nuk ishte bërë”, i tha Zërit të Amerikës, demokrati numër 2 i Senatit, Dick Durbin nga Ilinoi.

“Diplomacia përmes narcizizmit nuk funksionon. Nuk mendoj që presidenti është në gjendje t’i imponojë asnjë lloj marrëveshjeje Kim Jong Unit. Mendoj se Kim e di shumë mirë se ç’do dhe ai do që trupat tona të largohen nga Zona e Çmilitarizuar”, tha demokratja nga Havai, Mazie Hirono.

Nga ana tjetër, republikanët vlerësuan strategjinë e presidentit Trump.

“Presidenti duhet të vlerësohet për angazhimin e tij personal për të bindur Kim Jong Unin që të ndryshojë drejtim. Ishte diçka e zgjuar ta bëje Kim Jong Unin të shkonte në Singapor dhe në Vietnam, për ta ekspozuar delegacionin ndaj mirëqenies ekonomike që ata mund të kenë, nëse zgjedhin një rrugë tjetër”, tha kreu i shumicës republikane në senat, Mitch McConnell nga Kentaki.

“Mendoj se kurdo që zgjedh dialogun mbi luftën, ka një mundësi t’i përmirësosh gjërat. Siç pati thënë Ronald Regani, ‘beso dhe kontrollo’. Jam shumë i kënaqur që presidenti po ndjek këtë rrugë”, tha senatori Rounds.

Demokrati nga Oregoni, Ron Wyden hodhi poshtë çdo krahasim mes Reganit dhe Trumpit.

“Ronald Regan, megjithëse unë shpesh nuk isha dakord me të, kishte parime të vërteta. Me këta njerëz së administratës së Presidentit Trump, nuk e sheh një gjë të tillë, i tha ai Zërit të Amerikës. Nuk të krijohej përshtypja se ekipi i administratës shkoi në Hanoi me një plan të qartë. Ishte pikërisht në karakterin e zotit Trump. Shkoi atje duke improvizuar dhe përfundimi ishte zhgënjyes”.

Edhe analistët dhanë mendimin e vet.

“Presidenti Trump me të drejtë vuri parimet dhe aleatët tanë tradicionalë mbi marrëdhënien me Kim Jong Unin, tha studiuesi i marrëdhënieve koreane Bruce Klingner i Fondacionit Heritage. Megjithëse detajet nuk janë qartësuar, duket se Koreja e Veriut ofroi vetëm kompleksin bërthamor të Yongbyonit, në këmbim të heqjes së të gjitha sanksioneve. Megjithëse mund të jetë tunduese, një marrëveshje e keqe, është vërtet më keq sesa pa marrëveshje”.

“Mund të kishte qenë më keq. Dhe nxjerr në pah, rreziqet e diplomacisë nga lart poshtë”, tha studiuesi i Këshillit të Atlantikut, Robert Manning.

Manning tha se takimi do të kishte pasur rezultate më të mira nëse negociatorët amerikanë dhe koreano-veriorë të kishin përpunuar një kornizë për marrëveshjen, para takimit.