28 vite më parë bashkë me mbi 700 studentë dhe pedagogë kam qënë i ngujuar në grevë urie në Kino-klubin e Qytetit Studenti. Qëllimi ynë fisnik ishte ta çlironim vendin nga simbolet e komunizmit dhe kufomat e diktatorit të cilat zezonin në çdo shesh të qyteteve dhe fshatrave tona. Me mbështetjen e qytetarëve, e theksoj jo të politikës ja dolëm. Shkolla u depolitizua me ligj, bustet dhe emri i diktatorit ranë, u fshinë. Por filozofia marksiste ishte ngulitur thellë në ndërgjegjën e deformuar të lidershipit të ri politik që prodhoj Lëvizja Studentore, ata e përdorën lirinë, demokracinë, ekonominë e tregut, lëvizjen e lirë dhe gjithçka tjetër që çliroj lëvizje e studentëve për pushtetin e tyre politik dhe ekonomik me aksiomen bolshevike që mbartnin nga e shkuara “Gjithçka ju takon sovjetëve”

Tremujori i parë i vitit të 29-të të pluralizmit politik ka qënë pothuajse protestë. Studentët, pedagogët, qytetarët që ju shëmben arbitrarisht shtëpitë, mbrojtësit e Teatrit Kombëtar dhe së fundi opozita e bashkuar janë në sheshet e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.

Unë dhe brezi im studentor e kaluam pjesën ma të mirë të jetës nëpër protesta. U bëmë me familje, lindëm fëmijët, i rritëm ata nëpër protesta për liri, demokraci, shtet ligjor dhe barazi. Ne brezi i viteve 90 nuk ja dolëm të realizonim ëndërrën tonë për një Shqipëri si gjithë Evropa sepse në thelb të shpirtrave tanë qëndronte liria. Dhe liria që prodhuan zgjedhjet e vjedhura dhe të kontestuara në shumicën e tyre ranë në duart e pushtetarëve që përgjatë këtyre 28 viteve mision kishin grabitjen e pronës publike, ndërtimin i institucioneve dhe ligjeve që favorizon dy- treqind “petritat” e partisë shtet.
Fatkeqësisht shumica e njerëzve të ndershëm të këtij vendi janë të revoltuar dhe të pakënaqur nga keq qeverisja e vendit.

Shumica kanë ikur, ata që kanë mbetur janë të trembur, mosbesues, të lodhur, të raskapitur, të zhgënjyer.

Protestat e studentëve në Dhjetor dhe pjesëmarrja masive e qytetarëve në protestën e opozitës ditën e shtunë ishin flaka e rindezjes së SHPRESËS.

Gjesti i djeshëm “I djegies” së mandateve të deputetëve të opozitës është vërtetë një masë ekstreme por kur sheh arrogancën dhe brutalitetin e Sulltan Ramës është hapi dhe veprimi më i arsyeshëm që mund të bëj një opozitë për të treguar që e ka ndaluar bashkëpunimin me një mazhorancë që vret shpresën dhe besimin e qytetarëve të vet.

Edhe pse dyshues deri në asht, unë do të vazhdoj të protestoj edhe të ejntën, edhe të premtën, edhe të hënën deri sa të bindem që pushteti që prodhojnë protestat të jetë i qytetarëve të lirë dhe jo i hajnave, horave, mafiozëve dhe i rrethit të tyre familjar.

 

19 Shkurt 2019