Nana ime shtrenjtë Xhuma! Jam përpjekur t’a ndaloj kohën, t’a kthej në një gjë të shtrenjtë, një relike hyjnore për t’a mbajtur përherë më vete! Jam përpjekur t’a “fshij” ditën që ti nise rrugën e pakthimit, rrugën e parajsës! Kanë kaluar gjashtë muaj, e ndoshta kështu do të ndodhë gjithmonë me mua!
            Do të kërkoj t’a ndaloj kohën! Do të kërkoj të të kem Ty në këtë jetë me sytë e butë, që sheh me dashuri çdo njeri në këtë jetë, me ato rrudhat që i fisnikërojnë njerëzit mbi ballë, me duart e zgjatura që duket se ta sjellin gjithë botën përpara me atë të ecurën e ngadaltë, siç ecën një Perëndi, me fjalët e urta që nuk lëndonin kurrë asnjeri! Nana ime e shtrenjtë Xhuma!
            Nuk kam mundur t’a ndaloj kohën! S’kanë mundur t’a ndalojnë askush atë ecjen “kokëfortë” të saj, si një kusht i fortë për të provuar sa i duan të gjallët ato që ikin nga kjo jetë, atje në parajsë, për t’i bindur të gjallët se duhet të jenë më të mirë për t’i bindur të gjallët se ata nuk shkëputen dot nga ata që kanë kaluar.
            Nuk kam mundur t’i ndaloj mendimet e dhimbshme për Ty nana ime e shtrenjtë, nuk kam mundur të ndaloj mungesën tënde në jetën tonë, në buzëqeshjen e Noemit, Elisës, Danielit të vogël, që ti nuk munde t’a prekje me dorë, por vetëm me ëndrrat e tua të përditshme, as mërzinë e babait tim Bujar (bashkëshorti yt i përjetshëm), vëllaut tim e djalit tënd Nuredin (që Ti e deshe pafundësisht), as mërzinë e Vilmës.
            Nana ime e shtrenjtë Xhuma! Nuk kam mundur t’a ndaloj kohën. Ajo ecën, ikën, zemërohet me ne, na përshëndet e atë ikjen e saj s’e ndalon kurrë.
            S’kam mundë të rralloj as ece-jaket e miqve tanë të cilët e bëjnë më reale mungesën tënde. Vijnë miqtë tanë nga katër anët e Shqipërisë, vijnë djemtë e luftës nga Maqedonia, Lugina e Preshevës, Metvegja e Bujanoci, e dhimbjen për Ty e bëjnë të thellë. Të thërrasin “Nënë Xhuma”, si dikurë, kur Ti ju lidhje plagët, i porosisje për rrugën e ju fusje bukën në çantën, ndërsa ata niseshin për luftë. Njerëzit e luftës i japin një kuptim të shenjtë dhe hyjnorë jetës nana ime e shtrenjtë Xhuma.
            Kaluan gjashtë muaj e Ti në udhëtimin Tënd e shtrenjta nana ime Xhuma! Sikur të kesh ikur dje nga ne. Qofsh e Perëndisë! Qofsh e Parajsës!
            Do të mbetesh nana ma e mirë në botë, njeriu ku ishin bashkë dashuria, mençuria, urtësia, humanizmi, thjeshtësia dhe më e rëndësishmja që ka njeriu n ëjetë- njerëzillëku! Nana ime e shtrenjtë Xhuma!
            Do të kalojnë muaj dhe vite, e gjithmonë për Ne, për mua, Babën tim Bujar, për Nurin, mbesat, për nipin, për familjen tonë do të jetë sikur me pas ikur dje…Nana ime Shtrenjtë Xhuma!