Nga Asllan Bajrami – gazetar e studiues

-TRAKTATI I SHËN STEFANIT (3 mars 1878)
Pas fitorës së Rusisë mbi osmanët, vendet që ishin nën ndikimin rus përfituan duke zgjeruar territorët e tyre në dëm të tokave shqiptare.
Bullgaria zgjeroi territorin e saj duke marrë krahinat shqiptare të Korçës, Pogradecit, Dibrës, Strugës, Kërçovës, Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut dhe të Kumanovës.
Serbia dhe Mali i Zi që kishin rifilluar luftën kundër Perandorisë Osmane marshuan drejt tokave shqiptare në vilajetin e Kosovës dhe vilajetin e Shkodrës. Më shumë se 600 qendra banimi të shqiptarëve u bën rrafsh me tokë në Sanxhakun e Nishit, në Dradaninë Verilondore. U dëbuan me dhunë dhjetra-mijëra shqiptarë nga trojet e tyre etnike. Ata u vendosën në territorin e sotëm të Kosovës.
Serbia, sipas Traktatit të Shën Stefanit, do të aneksonte viset veriore të Kosovës deri në afërsi të Mitrovicës.
Mali i Zi do të merrte Ulqinin, Krajën, Anamalin, Hotin, Grudën, Kelmendin, Plavën, Gucinë dhe Rugovën.
Traktati i Shën Stafanit do të lënte pjesën tjetër të Shqipërisë nën sundimin e Perandorisë Osmane. Nga ana tjetër pretendimet e Mbretërisë së Greqisë për të provokuar një kryengitje antiosmane në Shqipërinë e Jugut dësthuan.

-TRAKTATI I BERLINIT (13 korrik 1878)

Ky traktat, i cili zëvendësonte Traktatin e Shën Stefanit, doli nga Kongresi i Berlinit (13 qershor – 13 korrik 1878).
Shqipëria në këtë kongres nuk u konsiderua Njësi Politike me vete, nuk u respektua territorialiteti i saj tokësor dhe as që u mor fare në gojë.
Shqiptarët iu drejtuan këtij forumi ndërkombëtar me dhjetëra peticione e memorandumi, por jo me një dokument të vetëm.
Në emër të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kongresit të Berlinit iu përcoll një kërkesë me anë të Abdyl Frashërit, në të cilën nuk kërkohej pavarësia por kërkoheshin disa të drejta autonomiste për Shqipërinë.
Nëse kërkesa e Lidhjes së Prizrenit nuk pretendonte Pavarësinë, këtë e kërkuan një grup atdhetarësh shkodranë, gjë e cila nuk u mor parasysh.

-KONFERENCA E AMBASADORËVE NË LONDËR (17 dhjetor 1912 – maj 1913)

Çështja shqiptare përfshihet në kuadrin e marrëveshjes së Fuqive të Mëdha (Austro-Hungari, Gjermani, Itali, Francë, Britani dhe Rusi).
Asnjëra nga këto fuqi nuk iu përgjigj zyrtarisht kërkesave të Ismail Qemalit të paraqitura më 28 nëntor 1912 në Vlorë, për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Përkudnrazi, marrëveshja në fillim të Konferencës pranonte autonominë e Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë Osmane, ndërsa më vonë me propozim të ambasadorëve të Austro-Hungarisë dhe të Italisë, u njoh pavarësia e Shqipërisë në kufijtë e sotëm. Nga trungu i Shqipërisë u shkëputën Kosova dhe Çamëria, dy vatrat më të rëndësishme të lëvizjes për çlirimin nga zgjedha osmane.

-TRAKTATI I FSHEHTË I LONDRËS (26 prill 1915)

Ky Traktat ishte një marrëveshje e fshehtë e përfunduar midis fuqive të Antantës dhe qeverisë italiane. Sipas pikës 5 të Traktatit, bregdeti shqiptar prej derdhjes së Bunës në veri deri në derdhjen e Drinit në jug, përfshirë Shëngjinin, do t’i kalonte Serbisë dhe Malit të Zi. Sipas pikës 6 Vlora dhe ishulli i Sazanit do t’i kalonte Italisë. Sipas pikës 7 Italia detyrohej të mos e kundërshtonte dëshirën eventuale të Francës, Anglisë dhe Rusisë që pjesët veriore e jugore të Shqipërisë të ndaheshin midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, ndërsa në Shqipërinë e Mesme do të formohej shteti shqiptar “autonom”, i cili do të ishte nën protektoratin e Italisë. Traktati u hodh poshtë në Kongresin e Lushnjës, (21 – 31 janar 1920).

-TRAKTATI I VERSAJËS, afër Parsiti (28 qershor 1919)

Konferenca e Paqës në Parsi zgjati 12 muaj. Vendet fitues në Luftën e Parë Botërore kishin dalë me një plan për rindërtimin e Europës.
Traktati që doli nga kjo konferencë u nënshkrua më 28 qershor 1919 midis fuqive fituese Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Britanisë dhe Japonisë dhe humbësve të Luftës së Parë Botërore Gjermanisë dhe aleatëve të saj.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqësoheshin nga presidenti Woodrow Wilson.
Shqipëria në Konferencën e Parisit (Versajë) përfaqësohej nga Luigj Bumçi, Gjergj Fishta dhe Dhimitër Berati. Në dy memornadume që parashtroi ky delegacion kërkohej që të rinjihej Pavarësia e Shqipërisë, sipas vendimeve të Konferencës së Londrës të vitit 1913 si dhe të ndreqeshin padrejtësitë që i ishin bërë Shqipërisë në Kongresin e Berlinit (1878) dhe në Konferencën e Londrës (1913).
Propozimet e Shqipërisë nuk u morën parasysh. Madje, në këtë Konferencë u paraqiten projekte për ndarjen e Shqipërisë midis Italisë, Greqisë dhe Serbisë. Falë qëndrimit që mbajti presidenti amerikan Woodrow Wilson, marrëveshjet ogurzeza ndaj Shqipërisë nuk u përmbushën.

-TRAKTATI I LOZANËS (24 korrik 1923)

Ky traktat ka të bëjë me shkëmbimin e grekëve të Anadollit me “turqit”, ku përfshihen edhe shqiptarët e besimit mysliman nga Çamëria. Në këtë mënyrë shteti grek përvetësoi përmes një dekreti pronat e shqiptarëve, duke i trajtuar ata si popullësi shkëmbyese.

-KONVENTA JUGOSLLAVO-TURKE (1938)

Kjo konventë projektonte shpërguljen për në Turqi të më se 40 mijë familjeve shqiptare nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare që në atë kohë shtriheshin në 3 të ashtuquajtura “banovina”, e Zetës, e Moravës dhe e Vardarit.
Mbretëria Jugosllave shprehej se shqiptarët gjoja me vullnetin e tyre janë përcaktuar të braktisin territorin e Mbretërisë për të iu bashkuar etnikëve të tyre natyral në Turqi.
Konventa Jugosllavo-turke nxjerrë në pah politikat shkombëtarizuese që ushtroheshin mbi shqiptarët, duke i detyruar ata të deklaroheshin turq.

-KONFERENCA E BUJANIT (31 dhjetor 1943 – 1 dhe 2 janar 1944)

Kjo Konferencë synim parësor kishte të afirmojë të Drejtën e shqiptarëve të Kosovës për Vetëvendosje.
Konferenca u mbajtë edhe për të kundërshtuar vendimet e Mbledhjes së Dytë të “Këshillit Antifashist Çlirimtar të Popujve të Jugosllavisë” (AVNOJ) në Jajcë më 29 dhe 30 nëntor 1943 (Bosnjë e Hercegovinë).
Në Rezolutën e kësaj konference thuhej: “Kosova bashkë me Rrafshin e Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron të bashkohet me Shqipërinë”.
Konferenca e Bujanit dhe Rezoluta e saj u shfuqizua në gusht të vitit 1945 në Konferencën e Prizrenit, ku përfaqësuesit shqiptar përveç atdhetarit Ramiz Cërnica, votuan për një rezolutë tjetër, e cila parashihte që Kosova të mbetej nën Serbi.

-KONFERNCA E RAMBUJES, afër Parsit (6 shkurt – 18 mars 1999)

Në këtë Konferencë Ndërkombëtare, Kosova përfaqësohej me delegacioni politiko-ushtrak i kryesuar nga Hashim Thaçi. Konferenca synonte arritjen e një Marrëveshjeje për Vetëqeverisje të Përkohshme të Kosovës nën protektorat të Kombeve të Bashkuara. Marrëveshja është nënshkuar nga delegacioni i Kosovës dhe 6 shtetet më të fuqishme të botës që përbënin Grupin e Kontaktit. Delegacioni i Serbisë nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen.
Gjashtë ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes,j më 24 mars 1999, NATO ka filluar fushatën e bombardimeve mbi caqet ushtarake serbe në Kosovë dhe në Serbi. Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), në aleancë me NATO-n, kanë mundur ushtrinë dhe policinë serbe, duke e detyruar Serbinë të nënshkruaj Marrëveshjen e Kumanovës më 11 qershor 1999 për tërheqjen e forcave të saj nga territori i Kosovës.

Pas bisedimeve të Vjenës midis delegacionit të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga i dërguari i posaçëm i OKB-së Marti Ahtisaari, Kosova shpall Pavarësinë më 17 shkurt 2008.