Anekdota është kjo:

Përpara një dere të hapur gjenden pesë europiano-perëndimorë dhe një amerikan. Europianët prekin me mirësjellje njëri – tjetrin në supe duke pëshpëritur: “Hyni, ju lutem!” Kurse amerikani praktik nuk e ndalon hapin te dera e hapur. Ai futet brenda duke duke u thënë: “Prandaj vonoheni ju europianët!”

Çfarë është ajo që po ndodh me shqipen, ngjanë si në këtë anekdotë. Ndërsa palët me pikëpamje të ndryshme mbi zhvillimin e gjuhës shqipe, ku me mirësjellje e ku pa mirësjellje vonojnë, grupi i teknicienëve moskokëçarës ka krijuar gjuhën tjetër, le ta quajmë “Shqipja e germës E dhe C”.

Nuk është diçka e papritur që kompjuterit i mungon pulla për prekje të drejtpërdrejtë të  germave “ë” dhe “ç”, mjaft të përdorura në gjuhën shqipe. Grupi i teknicienëve gjysmë të ditur në njohjen e shqipes, por më tepër dembelë, dhe jo vetëm ata, për t’i vënë të dy germat aty ku duhen e kanë më lehtë t’i zëvendësojnë me “e” dhe “c”, duke arsyetuar: “Nuk ka gjë, njerëzia dinë shqip. Aty ku duhet “ë dhe “ç”, edhe pse shkruhet “e” dhe “c”, le t’i lexojnë dhe shqiptojnë “ë” dhe “ç””. Kjo mendësi dhe praktikë dëmtuese e përditshme e ka cenuar gjuhën  deri në tjetërsim të alfabetit.

Pas vitit 1972, mënjanimi me kongres i foljes “asht” dhe në vend të saj mbajtja në përdorim vetëm e foljes “është”, çoi në dyfishimin e përdorimit të “ë”-ve dhe, pikërisht për këtë, kritikuesit e patën quajtur atëherë “Shqipja “Ë”. Tani po ndodh hakmarrja e germës “e” ndaj “ë”-së. Vështroni kujdesshëm dhe ditë pas dite programet nëpër kanalet e televizioneve të Shqipërisë, apo ekranet e celularëve, në mjaft raste edhe nëpër gazeta e libra, lë më nëpër dokumentat që qarkullojnë nëpër zyrat e shtetit, si si ndodh shfarosja e germave “ë” dhe “ç”. Se sa keq tingëllon “Shqipja “C”,“E” mund të vërehet edhe në një rekalamë, ku një amerikane në Nju Jork, e cila nuk di mirë shqip, thoshte “Tirane” për “Tiranë”, duke e rrahur fort theksin te gërma “e”.

Shqipëria e vogël nuk mund të ndikojë zhvillimin teknologjik as sa për një germë. Zgjidhja është e mundshme dhe e thjeshtë: kur shteti krijon policinë rrugore për të vendosur rregull në qarkullimin e automjeteve (kush e shkel ndëshkohet), edhe viktimat gjuhësore “ë” dhe “ç” duhen mbrojtur, po ashtu, me detyrim. Sa e shëmtuar është bërë shqipja e shkruar në disa raste, ka një mënyrë për ta vërejtur: le të vihet një aktor e të lexojë disa tekste të tilla vetëm me “e” dhe “c”, – siç është shkruar, domethënë pa “ë” dhe “ç”, e do të shihet sa gjuhë e shpifur përftohet e sa e përçudnuar tingëllon.

Alfabeti i gjuhës shqipe ka 36 shkronja. Germa e katërt – “ç”, dhe germa e tetë -“ë” nuk janë përjashtuar nga gjuhëtarët, por po zhduken nga masakruesit. Kësisoj duhet thënë se shqipja po shkon për kah alfabeti me 34 shkronja.

Kush ka të drejtë për ta marrë këtë vendim:

Teknologjia?

Gjysëm të shkolluarit?

Dembelët?

Apo përgjegjësit moskokëçarës?

“Policia gjuhësore” nuk ndëshkon. Ajo vetëm bën dëshmitarin, tek vriten dy germat e shqipes.