(Refleksione nga publicisti Dëfrim CANI mbi Harry BAJRAKTARIN-Nderi i Kombit dhe breznitë e familjes së tij të madhe BAJRAKTARI të VRANOCIT)
Në kronikën e historisë emblematike të mbijetesës së Kosovës, nëpër ngjarje të njohura të saj, në historinë e kullave dhe të burrave të vendit, siç thuhet ndryshe për kullat e Rrafshit të Dukagjinit dhe përgjithsisht të Veriut, shpeshherë e takon emrin e familjes Bajraktari. Dhe sa herë ndodh kështu, të duket se takon një të njohur të hershëm, një luftëtarë që vjen drejt kohërave tona, që shndërrohet në një refleksion të brendshëm, që lidhet shumë me historinë e shqiptarëve të Kosovës, qoftë në kohë të mëhershme, qoftë dhe të kohëve të vona. Dhe siç ndodh gjithmonë me këtë lloj kumti burrërorë- tradicional- historik, dhe familja e Bajraktarit të Vranocit lidhet me një histori mbijetese, sakrifice, një histori trimash e burrash dhe mundimi, me djersë dhe gjak të derdhur për trojet e veta dhe të gjithë Kosovës.
1.
Familja Bajraktari njihet si e tillë, me këtë “shenjë” që në trojet shqiptare, zë në kohën e pushtimit otoman, e cila ka tregues të saj trimërinë, që nga vitet 1600, dhe lidhet me një legjendë trimërie, e cila tregohet deri në ditët tona, por dhe luftërat që Perandoria ka bërë kundër kundërshtarëve të saj.
Familja Bajraktari më së pari ka jetuar në Geghysen të Malësisë së Gjakovës, dhe njihet me mbiemrin Mrripa, para se të shkonte në Vranoc, ku kishte gjetur më shumë hapësirë për të punuar dhe tokë.
Një djalë i kësaj shtëpie ka bërë një akt të madh trimërie dhe guximi, duke u përballur në duel me një luftëtarë të njohur grek, për të cilin janë thurë legjenda.
Ashtu si dhe në trevën e Malësisë së Gjakovës, ku njihet tradita e interpretimit të Kanunit të Lekë Dukagjinit, familja Bajraktari ka gati pesë shekuj që ka udhëtuar me shenjën e familjes së parë, e cila ka mbajtur flamurin dhe që detyrohej që të dalë në kuvend të flamurit, të dalë në ushtri të flamurit. Lidhur me këtë rregull, akademik Mark Kraniqi e ka shpjeguar mjaft mirë në librin “Lugu i Baranit”, ku ka jetuar gjatë kësaj kohe dhe familja Bajraktari.
Në të gjithë këtë shtrirje të gjatë historike kohore, familja e madhe Bajraktari ka qenë present në të gjithë nevojat kanunore dhe të gjykimeve të drejta për çështje të rëndësishme, që nga gjakmarrja, hasmëria dhe të gjithë nevojat e tjera të rregullave dokesore dhe kanunore, ashtu siç ka qenë nga familjet e para të përfshira në ngjarjet historike të Vranocit, Lugut të Beranit dhe të Kosovës. Ajo është njohur si “Bajraku i Vranocit”.
2.
Mbi këtë truall dhe traditë të rezistueshme ka jetuar dhe ka ardhur familja Bajraktari e Vranocit, e cila sot përfaqësohet me emra dhe figura të tjera, po kaq të njohura dhe të respektuara deri tek Metë Bajraktari, Harry Bajraktari me të gjithë gjerësinë e tyre familjare, të cilët e lidhin gati në dy shekuj historinë me ditët e sotme të Vranocit dhe të Kosovës, si një shembull mbijetese, sakrifice dhe triumfi prej shumë rreziqesh dhe kurthesh, në të cilat ka tentuar t’i zejë koha.
Familja e madhe Bajraktari, duke mbartur tradicionalisht një peshë historike që vetëm një familje e fortë dhe e fuqishme mund ta mbante, atë të bajrakut (flamurit), e njohur si Bajraku i Vranocit, do të zërë vend në kronikat historike, veçmas të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me ç’rast koha nxori në skenë rrezikun e madh që iu kanoseshin trojeve shqiptare, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve. Kështu. Bajraku i Vranocit ka mbetur aktiv gjatë gjithë këtyre ngjarjeve, qoftë në mbështetje të Lidhjes së Prizrenit, Lidhjes së Pejës, tubimin e Verrave të Llukës, duke marrë pjesë në ruajtjen e territoreve tokësore. Emrat dhe kontributi i Ali Bajraktarit dhe Rexh Bajraktarit janë të njohur ndër shqiptarë, si personazhe të Lëvizjes Kombëtare nga 1897 deri në 1909.
Në këto kohë të vështira Kullat e Vranocit sulmojnë ushtrinë turke (11 korrik 1893), e njohur si Lufta e Lugut të Beranit, e cila u udhëhoq nga Haxhi Zeka, i cili mbahej fort tek Bajraku i Vranocit. Në këtë rast kulla e Ali Bajraktarit dhe e Sylë Rexhës, prej nga sulmohen forcat turke, u goditën me top, të cilat bashkë me fshatin Vranocin bëhen pluhur dhe hi. Dy herë janë shembur dhe rrafshur kullat e Bajraktarit të Vranocit, në këtë betejë (1893) dhe gjatë luftës me serbët për çlirimin e Kosovës (1998).
Siç shihet, në të gjithë historinë e familjes Bajraktari të Vranocit, ajo lidhet me historinë e Vranocit, Lugut të Baranit dhe të Kosovës, madje dhe të Shqipërisë. Njerëzit e saj kanë qenë brenda zhvillimeve historike dhe atyre politike të kohës në mënyrë të vazhdueshme. Në ngjarjet e trishtueshme të copëtimit të trojeve shqiptare të vitit 1913 (pas atyre të viteve 1878-1881) në prill të vitit 1913 nga Lugu i Baranit u pushkatuan 12 veta. Fushatës për ndërrimin e kombësisë, Bajraktari i Vranocit iu përgjiigj “është punë që s’bëhet” dhe se “njeriu lind për të vdekur”. Në këto rrethana terrorizuese, siç ka ndodhur dhe më herët me Lugun e Baranit dhe trojet e tjera shqiptare në Kosovë, lug-baranasit u detyruan të largoheshin drejt Pejës, para të cilëve ishte vënë Sali Bajraktari, i cili kishte marrë “detyrën” burrërore, për të ruajtur karvanin e të ikurve.
Gjatë largimit, karvani i të ikurve përballet me forcat malazeze tek Ura e Gurit. Në këtë rast, para turmës del djaloshi Zenel Bajraktari, i cili iu rrëmben ushtarakëve malazes flamurin, duke ua shkelur me këmbë, por Sali Bajraktari, si mbrojtësi i karvanit të të ikurve e merr për vete përgjegjësinë e kësaj ngjarjeje të rëndë, për të ruajtur djaloshin e Bajraktarëve. Atë ditë, nga banorët e 35 fshatrave të Lugut të Baranit, të cilët po largoheshin prej terrorit sllav mbi njerëzit e tyre, bashkë me Sali Bajraktarin e Vranocit dhe Fadil Pocestës ekzekutohen një numër i madh burrash.
Ngjarja mori jehonë. Ajo ishte një apel i fortë për shqiptarët për të mos pranuar kombësinë malazeze. Ashtu si shekuj më parë, kur Mrripasit e Geghysenit në Vranoc u bënë bajraku i kësaj treve të njohur burrash, djemtë dhe burrat e kësaj dere u shfaqën në nyjet e historisë së Kosovës për të treguar një derë të njohur sakrificash, kur bëhej fjalë për çështje madhore dhe të rëndësishme. Historia e familjes Bajraktari ka qenë e lidhur mjaft me historinë e Vranocit dhe gjithë baticat dhe zbaticat politike-historike të zhvillimeve në Kosovë.
3.
Bajraktari i Vranocit ka pasur dhe vazhdon të ketë një lidhje të përjetshme me Vranocin në veçanti. Është një lidhje e thellë, e cila ka të bëjë me thellësinë etnologjike që një njeri ka në jetë me origjinën e tij, që lidhet me historinë e tij, me trashëgiminë e tij dhe me mbijetesën, si vijimësi historike dhe genetike. Askush më shumë se Bajraktari i Vranocit nuk e ka shprehur dhe ruajtur treguesin genetik të udhëtimit të tij jetësorë e familjarë.
Vranoci ka një pozitë gjeografike të jashtëzakonshme për shumë çështje. Ai ka pasuri të shumta, tradita të njohura, që lidhen me mbrojtjen e vendit, me kuvendin e burrave në moment të rëndësishme historike, me traditën e ndërtimit të kullave, që shpeshherë kanë marrë funksione të rëndësishme shoqërore. Vranoci është njëri nga fshatrat më tërheqës të Rrafshit të Dukagjinit. Sot ai ka rreth 130 shtëpi, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tij ka emigruar kryesisht në SHBA.
Kulla e Bajraktarëve të Vranocit, si një kullë e njohur dhe referuese e ekuilibrit shoqërorë, është ndërtuar dhe ka funksionuar që herët. Ajo është ngritur para dy shekujve e gjysëm. Është tri katëshe. Bashkë me kullën e Sylë Rexhës është rrënuar dy herë në të njëjtën ditë, në vitin 1893 nga forcat e ushtrisë turke dhe në vitin 1998 nga luftërat e fundit me forcat serbe. Është një nga kullat më historike dhe më të njohura, pasi në të kanë bërë kuvend burrash dhe kuvend luftërash burra të njohur si Haxhi Zeka, Bajram Curri,Isa Boletini, Hasan Prishtina, Azem Bejta, Mic Sokoli, Shaban Binaku, Binak Alia, Çel Shabani, Ker Sadria, Ramë Binaku, Zhuj Selmani, Zhyj Abdyli dhe shumë të tjerë. Pas rrënimit të kullës së Bajraktarit të Vranocit, ka qenë i interesuar që në krye të herës gjithë familja Bajraktari, veçmas Harry Bajraktari nga SHBA-të. Po ashtu në ndërtim dhe kulla e Sylrexhëve të Vranocit, si dy pika referuese historike të Vranocit dhe krahinës së Lugut të Baranit.
Vranoci historikisht ka qenë i përfshirë në ngjarjet historike shqiptare në përgjithësi, në ngjarje që kishin vokacion kombëtarë dhe lokal. Shumë nga ngjarjet e burrave, kullave dhe njerëzve të njohur të Vranocit dalin në kujtesën dhe në skenën politike-historike shqiptare gjatë kohës së Rilindjes Kombëtare shqiptare, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shpalljes së Pavarësisë dhe Luftës së Dytë Botërore. Në këtë rrjedhë janë bërë të njohur burra të shquar të Bajraktarëve të Vranocit, si Rexhë Bajraktari e Ali Bajraktari (në lëvizjen kombëtare për Pavarësi), Sali Bajraktari e Zenel Bajraktari (në ngjarjet tragjike të viteve 1912-‘13), pastaj Haxhi Bajraktari, Shpend Bajraktari, Mulla Sherif Krasniqi, Adem Bajraktari, Malë Bajraktari, Adrian Krasniqi (dëshmori i luftës së fundit në Kosovë), por dhe intelektualë, mjekë, profesorë, inxhinierë, jurist, si: Muharrem Krasniqi, Zenun Bajraktari, Beqir Bajraktari, Sherif Krasniqi, Isuf Bajraktari, Arif Krasniqi, Emin Bajraktari, Sadik Krasniqi, Qerim Bajraktari, Xhaferr Bajraktari, Ajmane Krasniqi, Brahim Bajraktari, dr. Abdyl Krasniqi, Xhemail Krasniqi, Beqir Krasniqi dhe shumë të tjerë.
Familja Bajraktari njihet për një trashëgimi zakonore të traditës zakonore dhe burrërore të Malësisë së Gjakovës dhe të kësaj trashëgimie të hershme në Kosovë dhe në gjithë Veriun. Musli Bajraktari është një nga konaktarët e njohur të Vranocit, burrë zakoni me lidhje të shumta dhe me ndikim, i cili ka vepruar në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Për këtë ekuilibër të paepur shoqërorë, dhe që kishte karakter të theksuar kombëtarë, familja Bajraktari ka qenë në syrin e dhunshëm të pushteteve uzurpatorë e të armiqëve të Kosovës. Ajo është luftuar për ta rrënuar ekonomikisht, si një mjet dhe mekanizëm i njohur për të suspenduar aktivitetin kombëtar të jo pak familjeve shqiptare në Kosovë e gjetkë, për t’i eleminuar burrta dhe djemtë e saj me mjete të hapura dhe të fshehta.
Këtë situatë sjellin në vëmendje vitet 1930 të shekullit të kaluar. Në Rrafshin e Dukagjinit kishte pllakosur një gjendje e rëndë politike. Mbi shqiptarët ushtrohej një presion i madh për t’u larguar nga vendi.
Pikërisht në këtë atmosferë të nderë, në vitin 1927 ka lindur Metë Bajraktari, një nga njerëzit më të rëndësishëm të kësaj familje, e cila do të përcjellë një lidhje të fortë tradicionale dhe bashkëkohore në rrugëtimin e familjes Bajraktari të Vranocit, pas kësaj kohe e deri në ditët tona. Ai lindi në kullën ku kishin bujtë burrat e njohur, në kullën ku kishte bërë vend kanuni i drejtësisë. Metë Bajraktari do t’i shihte me sytë e fëmijës dhe të burrit ngjarjet në Vranoc, Kosovë dhe Shqipëri, me mendjen e një burri të mençur, punëtor, trim dhe të drejtë. Para syve të tij kaluan ngjarje tronditëse, eksodi tronditës i largimit të shqiptarëve nga trojet e tyre, një projekt i njohur serb, i përtërirë dhe avancuar herë pas here me të njëjtin qëllim.
Kjo periudhë do të jetë mjaft e vështirë për këtë familje. Ajo do të ishte e shtrënguar të qëndronte, jo vetëm pse vinte nga një traditë shekullore si e tillë, por dhe si një motiv i rëndësishëm qëndrese për gjithë shqiptarët e Vranocit, Lugut të Baranit dhe të Kosovës. Kjo detyrë ishte e rëndësishme dhe kushtonte shtrenjtë, veçmas pas vitit 1944, kur Kosova u la nën kujdestarinë e Serbisë. Gjatë kësaj kohe një nga familja Bajraktari, Shpend Bajraktari zgjidhet kryetar i pushtetit vendor në Vranoc, të cilin në pretekstin e kërkimit për armë, OZN-a kërkon ta vrasë. Shpend Bajraktari arrin të largohet. Është kohë terrori dhe masakrash. Vijojnë arrestimet e shqiptarëve. Zenel e Metë Bajraktari arrestohen dhunshëm në kullën e tyre në Vranoc. Metë Bajraktari ishte vetëm 17 vjeç, ndërsa Zenel Bajraktari nuk kishte pranuar konvertimin në kishë. Atë me këtë rast e zhdukën. Sot nuk dihet asgjë për eshtrat e tij. Mbi familjen Bajraktari kishte rënë shinjestra e OZN-ës serbo- jugosllave.
Dhe gjatë dhjetëvjeçarit 1950-‘60-të në Kosovë vijoi politika dhe mekanizmat sllave për largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre. Masakra, burgosje, vrasje misterioze, keq-trajtime ishin mjete për ta bërë të padurueshme jetën për shqiptarët në trojet e tyre. Dhe gjatë kësaj kohe, Bajraktarët e Vranocit patën ndëshkimin nga pushteti utilitar serb. Keqtrajtohet barbarisht Haxhi Bajraktari, Musli Bajraktari, Metë Bajraktari, ndërsa në Kosovë kishte pllakosur zia. Në këtë situatë u gjendën dhe Bajraktarët e Vranocit, por derës së tyre iu gjendën miqtë dhe familjet e dëgjuara të kësaj ane.
Ata (Bajraktarët) i kanë qenë dhe iu kanë mbetur mirënjohës familjes së Ahmet Nezirit. Kjo periudhë (1956), në një kohë vërtetë të vështirë dhe për bajraktarët, Metë Bajraktari martohet me Zizën, vajzën e Arif Ademit (Gecajt), e cila në këtë kohë ishte vetëm 21 vjeçare. Në kronikën jetësore të familjes Bajraktari, rrëfimi i sinqertë i Zizës tregonte për vështirësitë e kësaj kohe dhe tek Bajraktarët e Vranocit. Në këtë kohë është dhe ardhja në jetë e njeriut më me ndikim sot në familjen Bajraktari, në Vranoc dhe në Kosovë, e Harry Bajraktarit.
Harry Bajraktari, ashtu si babai i tij, Metë Bajraktari, do të mbesin një shembull brilant i lidhjeve të forta të familjes së tyre, i shqiptarëve jashtë vendit dhe i burrave të vërtetë, të cilët nuk kursyen asgjë për të mbajtur lidhjet me vendlindjen, me zakonet dhe traditat shqiptare, me gjuhën, me Kosovën dhe Shqipërinë në rastet e fateve të mira dhe të fateve të pjerrëta.
4.
Ashtu siç ndodhi me shumë shqiptarë, familje dhe fshatra të shumtë të shqiptarëve të Kosovës e gjetkë, as familja Bajraktari nuk i shpëtoi dot largimit nga Vranoci.
Familja e Metë Bajraktarit u largua nga Vranoci për në SHBA-, ku kishin mërguar dhe shumë shqiptarë të tjerë. Ajo u largua për SHBA në vitin 1969. Dhe si në shumë raste të tjera, ai largim pati një odise, një largim ku pleksen shumë faktorë, shumë ngjarje, shumë lidhje dhe marrëdhënie që familja Bajraktari kishte krijuar gjatë kohës në Vranoc dhe më gjerë, që nga dy shekuj e gjysmë më parë. Duke qenë një familje e përndjekur, asaj i duhej të largohej, dhe këtë e dinte mjaft mirë Metë Bajraktari, i cili kishte marrë një nga ndërmarrjet më të vështrira, duke iu kundërvënë një opinioni të gjerë familjarë dhe të gjithë Vranocit, për ta larguar familjen nga Vranoci. Duke qenë emigrant në Gjermani e gjetkë, ai e dinte mjaft mirë këtë sfidë, por një burrë si ai e pranoi atë. Por, si çdo herë ai provoi dhe e sfidoi fatin, madje vuri në dyshim dhe jetën e Zizës së tij,e cila nuk pranoi kurrë të linte Vranocin dhe të afërmit e saj në Kosovë.
Ndërkohë, largimi i familjes Bajraktari në Amerikë, qoftë gjatë qëndrimit transit në Itali, vuri në provë miqtë e kësaj derë të njohur, e cila kishte diktuar mençuri, burrëri dhe bajrak që nga dy shekuj e gjysëm më parë në Vranoc dhe Lugun e Baranit. Lidhur me qëndrimin në Itali, familja Bajraktari ka një ngjarje jashtëzakonisht domethënëse, pasi në Atika të Italisë, ku ajo qëndroi për nëntë muaj, Metë Bajraktari shënoi përfundimisht mbiemrin e familjes së tij Bajraktari.
Sa herë flitet për historinë e fëmiljes dhe rrugëtimit të tyre historik, veçmas atij në Itali dhe në Amerikë, as Metë Bajraktari, as Ziza Bajraktari, as Harry Bajraktari dhe as Myftar Bajraktari (djali i Metë Bajraktarit, i cili ka lindur në SHBA) dhe as pjestarëve të tjerë të familjes, nuk harrohen miqtë dhe të njohurit, të cilët e lehtësuar sakrificën e tyre me ndihmën që iu dhanë. Në Amerikë familjen e Metë Bajraktarit e priti dhe iu gjend afër një familje e njohur në historinë shqiptare, ajo e Mulosmanëve, e cila ishte larguar nga vendi menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjen e komunizmit në Shqipëri dhe rregjimit serb në Kosovë. Metë Bajraktari kujton me shumë mirënjohje takimet me shumë emigrantë shqiptarë nga Kosova në vendbanimin e ri të familjes së tij në Bronx, e më pas më Manhaten.
Amerika ishte një sfidë tjetër për të gjithë Bajraktarët, të cilët nisën një jetë tjetër në një vend të huaj, ku nuk dinin as gjuhën, as kishin punë dhe as kishin staturën qytetare. Të ardhur nga Vranoci, ky ishte një kapërcim i madh. Harry Bajraktari tregon sakrificën e të gjithëve për të jetuar në Amerikë, që nga nënë Ziza, e deri tek krijimi i personalitetit të tij, i cili në ditët e sotme njihet si një nga biznesmenët e dëgjuar në SHBA dhe në Kosovë. Ai sot është një njeri i sukseshëm në rrugën e Woll Stritit bashkë me Anthony Athanas, Ekrem Bardhën, Xhim Xhemën, Hasan Biberajn, vëllezërit Rusi, vëllezërit Kolaj dhe të tjerë.
Në Amerikë Metë Bajraktari nuk kishte më frikë për të menduar dhe krijuar lidhje me njerëz të politikës, që punonin për Kosovën dhe Shqipërinë. Por Kosova nuk u harrua kurrë. Ajo qe një dhimbje dhe një thirrje e përditshme për Bajraktarët e Vranocit.
Amerika është një sfidë, por për Bajraktarin e Vranocit ajo ishte një verifikim i historisë dhe lidhjeve të familjes. Por Metë Bajraktari pati një armë të njohur të familjes; ai kishte një marrëdhënie tradicionale dhe të suksesshme me punën dhe sakrificën. Duke punuar, me një intuitë të veçantë, e cila bëhet e dobishme dhe e suksesshme në vendin e mundësive, siç është Amerika, Metë Bajraktari e fiton shpejt ekuilibrin ekonomik familjarë. Ai përfshihet shpejt në rrethet atdhetare patriotike shqiptare të SHBA-ve, të cilët vazhdojnë të mbajnë lidhje të forta me Kosovën dhe Shqipërinë. Në qendrën më të madhe të Amerikës, në Nju York, në vitet “70, patriotë, intelektualë dhe njerëz luftëtarë të larguar nga vendi, kanë menduar të krijojnë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në Mërgim, si një nevojë e re, e cila përkonte me një rrethanë historike të ngjashme me Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, për shkakun dhe nevojën e një uniteti të qëndrueshëm, por dhe kërkesave bazike që ajo pati, duke bërë një bashkim politik të shqiptarëve si asnjëherë tjetër, që nga koha e Skënderbeut.
Metë Bajraktari pati miq të njohur në Evropë dhe në Amerikë, figura emblematike të çështjes kombëtare dhe kulturës, që nga Ernest Koliqi (një nga njerëzit e kulturuar që bëri shumë për përhapjen e arsimit shqip në Kosovë), Leka Zogun (trashëgimtarin e Familjes Mbretërore shqiptare), Abaz Kupin, Fuat Myftinë, Abedin Mulosmanin, Hysen Beg Prishtinën, Haki Tërpezën, Xhaferr Devën, Mehmet Aga, Qazim Emra dhe të tjerë. Ai ishte një besimtar i devotshëm, e për këtë shkak në vitin 1989 shkon për haxhillëk në Qabe, ku e zë dhe vdekja e babait të tij Musli Bajraktari, i cili ndërroi jetë në Vranoc, një burrë i njohur, vazhdues i traditave të familjes dhe burrave kanunarë, pjesëmarrës në pajtimin e gjaqeve dhe hasmërive në krahinën e tij.
5.
Siç ndodh gati gjithmonë, mundësitë ekonomike janë të rëndësishme në raportet që njeriu vendos me shoqërinë. Për familjen Bajraktari në veçanti kjo ishte shumë e rëndësishme, që në momentet e para që ajo shkeli në tokën amerikane. Asnjë nga pjestarët e saj nuk e refuzuan punën që iu afrua. Metë Bajraktari punoi kujdestar ndërtesash, një punë, e cila i ndihmoi atij të kuptonte mjaft mirë se ç’mund të bënte përmes saj. Kështu, ai, në fillim guxoi të blente një ndërtesë të kushtueshme për mundësitë e tij, por shpejt asaj iu rrit vlera, duke e shitur atë, me ç’rast iu krijua kapital, të blente një më të madhe, duke i mbetur si fitim dhe një kapital i mirë për ta përdorë për punë të tjera. Tregëtia dhe biznesi në Amerikë është interesant. Ata kërkojnë një intuitë të hollë për të kuptuar kahjet dhe lëvizjet e tij. Falë kësaj intuite, familja Bajraktari u mëkëmb mirë në një cak të shkurtër kohorë. Familja e Metë Bajraktarit u përfshi në punë me një këmbëngulje të madhe dhe si një tregues fundamental, i një familje që kishte jetuar dhe ishte mëkëmbur vetëm me punë dhe mençuri. Kjo qe ndoshta dhe një nga mësimet më të mira që Metë Bajraktari i dha familjes në vendin e mundësive të mëdha, në një vend ku puna dhe biznesi u përvetësua mjaft mirë nga i biri i tij Harry Bajraktari, i cili dhe pse i lindur në Vranoc, arriti ta kapërcejë hendekun që krijohet në këto raste, në të shkuarin në një vend të madh si Amerika.
Ashtu si në Kullën e Vranocit, që nga shekuj më parë kishin bujtë, kishin ba kuvend e ishin ba plane për ngjarje e çështje kombëtare, po kështu dhe “kulla” e Metë e Harry Bajraktarit në Armonk, priti dhe përcolli, u ba kuvend e u fol për Vranocin, Kosovën, Shqipërinë nga dr. Ibrahim Rugova, dr. Bujar Bukoshi, Xhim Xhema, dr. Abdyl Krasniqi, akademik Mark Krasniqi, akademik Anton Çeta, Bajram Kelmendi, Azem Shkreli, Zekeria Cana, Ramiz Kelmendi, Dom Lush Gjergji, Kajtaz Rrecaj, dr. Femi Agani, dr. Alush Gashi, Nevzat Haliti, dr. Fatmir Sejdiu, ban kuvend kongresmeni Eliot Engell, Su Kelly, Alfons Damanto, Suzan Molinary, por dhe Hillary Klinton (bashkëshortja e Presidentit të SHBA-vë Bill Klinton), ndërsa mysafirë në gazetën e njohur “Illyria”, të themeluar nga Harry Bajraktari dhe Rrustem Geci, kanë qenë mysafirë personalitete të njohur shqiptarë dhe të huaj si Dr. Rugova, dr. Berisha, F. Agani, B. Bukoshi, Mark Krasniqi, Ismail Kadare, Adem Demaçi, Sabri Godo, Gramoz Pashko, Anton Belushi, Rexhep Qosja, Alush Gashi, Azem Hajdari dhe shumë personalitete të tjerë.
Siç dhe shihet, në këtë rrugëtim të gjatë të familjes Bajraktari, ashtu siç ndodh gjithmonë, rëndësi të madhe merr vazhdimësia. Bajraktari i Vranocit e ka siguruar vazhdimësinë shekullore të saj me traditën që ka rrespektuar dhe ushtruar kulla, me burrërinë dhe rrespektimin e të drejtës zakonore, me humanizmin, me pritjen dhe përcjelljen, por ajo që është më e rëndësishme në këtë mbijetesë është përfshirja dhe kontributi madhorë që ajo ka dhënë në çëshjten kombëtare shqiptare, e cila në disa raste ka kërkuar kuvendin e burrave, në disa raste përfshirjen në luftë, në disa raste luftëtarët, në disa raste pritjen dhe përcjellen e njerëzve që i kanë shërbyer kësaj kauze.
Dhe Kulla e Bajraktarit të Vranocit i ka bërë të gjitha këto. Në rrugëvazhdimin e mirë të familjes, traditës së kullës dhe bajrakut të Bajraktarit të Vranocit në Amerikë u shfaq i biri i Metë Bajraktarit Harry Bajraktari.
6.
Harry Bajraktari iku fëmijë nga Vranoci, për të jetuar në Amerikë. Ai qe një fëmijë i zgjuar dhe me intelekt, i cili përvetësoi mrekullisht sakrificën familjare, kumtin historik të familjes Bajraktari, por që, mbijetesën në vendin e mundësive të mëdha e ktheu në një shkollë dhe universitet të madh. I gjendur pranë të jatit Metë Bajraktari, Harry Bajraktari çdo mundësi që iu dha familjes së tij, në punët e vogla, e pa me sytë e përspektivës. Kurajoz, aktiv, fantazist, praktik dhe guximtarë, bashkë me Rrustem Gecin, që në vitin 1980 hap një zyrë biznesi për “Real Estate”, një përvojë që do t’iu shërbejë për t’i çuar në ndërmarrje dhe nisma të mëdha.
Në Amerikë ka shembuj të shkëlqyer të sipërmarrjeve të sukseshme të shqiptarëve në biznes. Të gjithë kanë pasur në themelin e tyre punën, këmbënguljen dhe aftësinë për të kuptuar përspektivën. SHBA-të ndihmojnë sipërmarrjet e njerëzve kurajoz, ashtu siç janë të rrepta kur mungon korrektësia. Guximi dhe korrektësia janë dy armët e forta të Harry Bajraktarit dhe të Rrustem Gecit, të cilët sot njihen si dy biznesmenët e sukseshëm në SHBA dhe në Kosovë.
Harry Bajraktari është rritur në një familje dhe mjedis tradicional shqiptar. Është rritur në një familje, ku praktikohet filozofia, se jeta ndërtohet me punë. Dhe siç ndodhi gjithmonë në këtë familje, kudo ajo shkoi, pavarësisht në kushtet dhe rrethanat që u gjend, Kosova nuk u harrua kurrë. Në familjen Bajraktari është folur shqip, është pritur dhe përcjellë si në Kullën e Vranocit. Harry Bajraktari dhe Rrustem Geci, bashkë me gazetën “Illyria” ishin ambasadorët më të afërt dhe më kurajoz për ta çuar çështjen e Kosovës në tryezën më të rëndësishme historike të diplomacisë amerikane, të Shtëpisë së Bardhë dhe të NATO-s, për të marrë nismën historike çlirimin e Kosovës nga armiku tradicional pushtuesi serb. Nuk ka ndihmë, nismë dhe angazhim amerikan, ku të mos ketë kontributin e tij Harry Bajraktari, i cili ka ditur mrekullisht të vlerësojë historinë e Kosovës, kontribuesit e saj, të cilët bënë ç’mundën për ta bërë të njohur çështjen e Kosovë, luftën dhe të rënët e saj.
Familja Bajraktari dhe Harry Bajraktari, ky luftëtarë i kohëve moderne, e ka prekur me dorë dhe ka respektuar Jasharët, si shembulli i sakrificës për Kosovën, Familjen Haradinaj, si shembulli i spikatur i luftëtarëve dhe martirizimit për lirinë dhe shtetin e Kosovës, ka rrespektuar Ibrahim Rugovën, si modelin e përkryer të politikanit, diplomatit dhe intelektualit që në vetvete përbënte burrështetasin më të besuar dhe më të suksesshëm në sytë e perëndimit.
Sot Harry Bajraktari dhe Rrustem Geci janë dy investitorët më të mëdhej në zhvillimin e Kosovës, janë urë-lidhja e suksesshme e Kosovës me shtetin më të fuqishëm të botës, janë dy njerëzit e rëndësishëm të Kosovës, të cilët i kanë afruar Kosovës miqtë më të mirë dhe më të sinqertë në historinë e saj nga Amerika, Evropa dhe vende të tjera.
I lindur dhe rritur në një familje tradicionale shqiptare, e njohur për cilësitë e derës së mirë, i rritur nën peshën e tregimeve dhe edukatës për luftëtarë dhe burra të mençur, në një konak ku është bërë kuvend dhe drejtësi, ku janë projektuar luftëra, Harry Bajraktari ka mbartur peshën dhe “barrën” e Kullës së Vranocit, Bajrakut të Vranocit, e cila siç ka treguar nga dy shekuj e gjysmë e deri sot kërkon luftëtarë. E kjo do të thotë për Harry Bajraktarin, të mbetesh një luftëtar i përjetshëm.
Dëfrim CANI
Publicist
Tiranë, 2019
Harry Bajraktari me Presidentin Amerikan Bill Klinton dhe kongresmenin amerikan Eliot Engëll dy miq të mëdhenj të Shqiptarëve
Harry Bajraktari me kryeministrin britanik Tony Blair
Metë Bajraktari baba i Harry Bajraktarit
Zizë Gecaj Bajraktari nana e Harry Bajraktarit
Harry Bajraktari me kongresmenin Eliot Engell kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme në Kongresin Amerikan dhe me zonjen Engell
Harry Bajraktari mes miqve të tij politikanë e biznesmenë në Amerikë
Harry Bajraktari mes miqve të tij në Amerikë
Harry Bajraktari në Tropojë