Parlamenti grek ratifikoi marrëveshjen që normalizon marrëdhëniet me Maqedoninë fqinje. Me marrëveshjen e re, vendi fqinj ndryshon emrin për t’u quajtur Maqedonia e Veriut.

Disa qindra demonstrues u mblodhën përpara parlamentit grek të premten për të protestuar kundër marrëveshjes. Dhjetra njerëz protestuan gjithashtu në Selanik. Marrëveshja u ratifikua me rezultat të ngushtë votash.

Votimi në parlamentin grek u zhvillua pas tre ditësh debati të ashpër.

Sipas marrëveshjes, Greqia heq kundërshtimet e saj ndaj pranimit të fqinjit të saj ballkanik në NATO, pas një mosmarrëveshje prej gati tre-dekadash.

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për Greqinë tonë, atdheun e popullit grek. Është atdheu ynë ndërsa qeveria po e nxjerr në shitje. Këta njerëz nuk po kërkojnë gjë tjetër veçse një referendum të thjeshtë,” thotë Ioannis Psarakis, protestues nga Kreta.

Kundërshtimet ishin veçanërisht të ashpra në rajonin verior grek të quajtur Maqedoni, i cili kufizohet me ish republikën jugosllave që mori të njëjtin emër pas shpalljes së pavarësisë në 1991.

“Ne nuk e njohim këtë qeveri sepse është e paligjshme, ata nuk kanë bërë referendum për të dëgjuar të gjithë grekët, nga Thraka, Epiri, të gjithë ishujt dhe Kreta. Ne nuk duhet të pranojmë ndarjen e vendit tonë”, thotë Zoe Sakatzi.

Kritikët pohojnë se marrëveshja është në konflikt me identitetin e tyre dhe trashëgiminë e tyre kulturore që daton nga Aleksandri i Madh më shumë se 2.300 vjet më parë.

Më tepër se 150 njerëz janë arrestuar për t’u marrë në pyetje që nga e enjtja pas demonstratave të dhunshme kundër marrëveshjes në Athinë dhe në dy qytete të Greqisë veriore.

Shumica e tyre u liruan pa iu ngritur akuza.