Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se i vjen keq për vendimin e Kuvendit të Kosovës për miratimin e pakos së ligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, pavarësisht paralajmërimeve dhe shqetësimeve të shprehura nga NATO rreth kësaj çështje.
Këtë deklaratë zyrtari i lartë i NATO-s e ka ripërsëritur gjatë një interviste për gazetën “Pobjeda” të Malit të Zi.
“Edhe pse në parim tranzicioni i FSK-së është çështje që Kosova duhet të vendosë, ne kemi bërë të qartë se ky veprim vjen në kohë të gabuar. NATO mbështet zhvillimin e FSK-së brenda mandatit të saj aktual. Me ndryshimin e mandatit, Këshilli i Atlantikut të Veriut do të duhet të shqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s me FSK-në” .
“Të gjitha palët duhet të sigurohen se ky vendim, i cili është bërë në kohë të gabuar, nuk do rrisë më tej tensionet në rajon. Të gjithë akterët politikë në rajon duhet të fokusohen në përparimin në reformat dhe në dialog. Kam biseduar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe i kam informuar ata për diskutimet aktuale në mesin e anëtarëve të NATO-s”, është shprehur Stoltenberg.