75-VJETORI I KONFERENCËS SË BUJANIT, AKADEMI PËRKUJTIMORE

Nga  Ibrahim HAJDARMATAJ

-Prefekti i Qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana, solli përshëndetjen e ngrohtë e vëllazërore të Qeverisë Shqiptare dhe personalisht të Kryetarit të Qeverisë, Edi Rama, drejtuar Malësisë së Gjakovës për Konferencën e Bujanit-

Me rastin e 75-vjetorit të Konferencës së Bujanit, Oganizata e Veteranëve të LANÇ-it të Kosovës, në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të LANÇ-it të Tropojës, organizuan Akademi  Përkujtimore në vitin jubilar të 550-Vjetorit të kalimit në amshim të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Aktiviteti filloi me vendosjen e kurorës me lule tek varri i Sali Man Mulosmanit në Bujan, nga  Afrim Deva, sekretari i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Gjakovës me kolegun e tij të Tropojës, Zeqir Hasanapapaj.

Ndërsa tek Kulla e Sali Man Mulosmanit u vendos kurorë me lule nga Kryetari i Veteranëve të LANÇ-it të Gjakovës, Skënder Hoxha me kolegun e tij të Tropojës, Rexhep Shpati.

Në Varrezat e Dëshmorëve të LANÇ-it të Tropojës, u vendosën kurora me lule nga Kryetari i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Kosovës, Zija Mulhaxhaj dhe Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Në qytetin e Bajram Currit u vendosën kurora me lule tek lapidari i luftëtarit AsimVokshi, nga anëtari i Kryesisë së LANÇ-it të Kosovës, Shefqet Vokshi dhe intelektuali tropojan, Sherif Mulosmani.

Po në qendër të Qytetit u vendosën kurora me lule tek Monumenti i Bajram Currit, nga kryetari i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Kosovës, Zija Mulhaxhaj dhe kryetari i organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Tropojës, Rexhep Shpati.

Pjesëmarrësit e shumtë bënë fotografi të rastit. Pastaj ndoqën me vemendje Akademinë Përkujtimore me rastin e 75-vjetorit të mbajtjes së Konferencës së Bujanit, në Pallatin e Kulturës “Dardania“ në qytetin e Bajram Currit.

Prefekti i Qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana.

Fjala e Prefektit të Qarkut të Kukësit  z. Zenel Kuçana:  -“Konferenca e Bujanit mbetet një nga ngjarjet më të mëdha të historisë së kombit shqiptar. Këtu u përçua zëri i Kosovës, e drejta për t’iu bashkuar tokës mëmë e kurrsesi si pjesë e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, më vonë Ish-Jugosllavia. Bujani, si krejt Malësia e Gjakovës, tashmë ishte histori, vazhdim i traditës shekullore të burrave të Kuvendit dhe trimave të paepur. Largpamësia e burrave të Malësisë së Gjakovës e Rrafshit të Dukagjinit dhe krejt Kosovës, qëndron në hartimin e Rezolutës së kësaj Konference që i’u dërgua Aleatëve Anglo-Amerikanë si dhe fuqive të tjera të kohës që kishte emërues të përbashkët: Rezoluta e Konferencës së Bujanit mbetet gurthemeli dhe në të njëjtën kohë, mbetet ëndërr e çdo shqiptari. Kjo Rezolutë u bë referencë shkencore për të gjithë ata miq të mëdhenj britanikë, amerikanë, etj.  që mbrojtën çështjen e Kosovës në simpoziumet më të larta botërore, në Oxford apo në Harvard, apo në qendra të tjera të botës. Duhet theksuar se Konferenca e Bujanit dhe Rezoluta e saj u shfuqizua në gusht të vitit 1945 në Konferencën e Prizrenit, ku të pranishmit kësaj rradhe shumë komunistë serbë e malazezë, me shumicë, votuan një Rezolutë tjetër, e cila parashihte që Kosova të mbetej nën Serbi, ashtu sikur kishte qënë nën Jugosllavinë e Versajës. Por pikërisht kur Kosova ishte nën flakët e luftës së fundit, Konferenca e Bujanit dhe Rezoluta e saj, ishin një argument më shumë, politik dhe juridik për ndërhyrjen e Aleancës Euro-Atlantike ndaj trupave gjakatare të Millosheviçit në Kosovë. Vitet kalojnë e shumë gjëra ndryshojnë në historinë e popujve, shumë konferenca kombëtare e ndërkombëtare janë realizuar, por asnjë ngjarje sado e madhe që mund të jetë nuk mund të retushojë apo deformojë magjinë e kësaj konference historike në llojin e saj, pasi ishte thjeshtë pasqyrimi i një ëndrre që jeton edhe sot tek çdo shqiptar. Koha, shqiptarët, po ashtu edhe miqtë e tyre, po punojnë që Rezoluta e Konferencës së Bujanit të bëhet realitet, bashkimin për shqiptarët, ndoshta, në Bashkimin Evropian. Misioni i Konferencës së Bujanit, vazhdon“.

Në fund, Prefekti i Qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana, solli përshëndetjen e ngrohtë e vëllazërore të Qeverisë Shqiptare dhe personalisht të Kryetarit të Qeverisë, Edi Rama, drejtuar Malësisë së Gjakovës, për Konferencën  e Bujanit.

Me duartrokitje të vazhdueshme u përcoll Fjala e Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të  LANÇ-it të  Kosovës, Zija Mulhaxhaj, i cili bëri lidhjen vëllazërore të Kosovës me Shqipërinë Amë, si dhe mikëpritjen, bujarinë, fisnikërinë që treguan vëllezërit tanë në Shqipëri për ne kosovarët gjatë Luftës…

Ndërsa akademik, prof. dr. Jusuf Bajraktari, Zëvendës/kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës referoi:“Konferenca e Bujanit– mësim për historinë“.

Me rastin e 75-vjetorit të Konferencës së Bujanit, akademiku Bajraktari, ndër të tjera, tha: “Në 75-vjetorin e kësaj ngjarjeje madhore duhet pohuar se me gjithë mohimet, ndëshkimet dhe paradigmat politike, që janë bërë në të kaluarën, Konferenca e Bujanit, ka mbijetuar. Sa më shumë kanë kaluar vitet, ajo ka arritur të konfirmohet si një vlerë e përgjithshme që lindi në kohën e duhur, u mbajt në vendin e duhur, u miratua me pajtimin e të gjithëve nga përfaqësues të duhur, me prezencën e Misionit  Anglez si misionarë të Bllokut Antifashist  fitimtarë të Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht për këto vlera dhe forcën e saj mobilizuese, jo vetëm në Kosovë, Konferenca e Bujanit meriton afirmimin dhe respektin e institucioneve të shqiptarëve kudo që janë. Mbështetur në burimet e kohës mund të konstatohet se më 31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar1944, në Kullën e patriotit Sali Mani në Bujan të Krasniqes në Malësinë e Gjakovës, zhvilloi punimet me sukses të plotë Konferenca Themeluese e Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit. Aty, në prezencën e 49 delegatëve përfaqësues të viseve të Kosovës, prej të cilëve 43 ishin shqiptarë dhe 6 prej tyre serbë e malazezë, u zhvilluan diskutime e debate të vlefshme dhe u miratuan dokumente të rëndësishme për punën e mëtejshme në terren. Në mbështetje të dokumentit me emrat e nënshkruesve ose firmëtarëve të Konferencës, shihet se ishin personalitete me përgjegjësi ushtarake si dhe me autoritet në mjediset prej nga vinin, si FadilHoxha–komandant i Aradhave Partizane, Mehmet Hoxha–prefekt, Zekirja Rexha–profesor i filozofisë, Hajdar Dushi–drejtor banke, Xhevdet Doda–drejtor shkolle, Rifat Berisha–prefekt dhe oficer, Bije dhe XhaferVokshi–të Familjes së njohur patriotike Vokshi nga Gjakova, ndërsa nga Malësia e Gjakovës, Shkodra dhe Tirana vinin Tefik Çanga, Din Bajraktari, Mehmet e Jah Mulosmani, Veli e Maxhun Nimani (Doçi), Beqir Ndou, Shaban Haxhia, Avdyl Kerim Ibrahimi, vëllai i kryetarit të KMKK-së–Hoxhë Kadri Prishtina, e të tjerë, shumica e tyre me akademi ushtarake ose studentë të dalluar të asaj kohe. Po ashtu nga Plava e Gucia, merrnin pjesë Zymer Halili, Mehmet Dermani, Sadik Bekteshi e Bejto Shamani. Në anën tjetër, merrte pjesë edhe Pavle Joviqeviqi, sekretar politik i PKJ-së për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit. Të gjithë këta delegatë, përfaqësonin zona të rëndësishme për shtrirjen e Lëvizjes Antifashiste. Pa dyshim se dokumenti më i rëndësishëm është Rezoluta, e cila bën fjalë për të drejtën e patjetërsueshme për Vetëvendosje. Aty, pa ekuivoke, thuhej:“Kosova e Rrafshi i Dukagjinit asht një krahinë e banueme me shumicë nga populli shqiptar, i cili si gjithmonë ashtu edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipnin…”. Kjo ishte pjesa, që me të drejtë e mori primatin e vëmendjes së opinionit të gjerë. Në Konferencë u shtruan për zgjidhje dy çështje fondamentale: e para, formimi i Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës, i cili do të identifikohej me individualitetin e subjektivitetit politik-shtetëror të Kosovës dhe e dyta, do të ishte zgjidhja e çështjes kombëtare për të ardhmen e shqiptarëve, gjë që paraqitet si risi për kohën në flakën e luftës”.

Në këtë Akademi Përkujtimore përshëndeti edhe nënkryetari i Bashkisë së Tropojës, Astrit Margjeka, veprimtari Zenel Vidrica, intelektuali tropojan, LirimMulosmani, sekretari i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Tropojës, Zeqir Hasanpapaj dhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Tropojës, Rexhep Shpati, i cili lexoi Përshendetjen e Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Shqipërisë, Rrustem Peçi me rastin e 75-vjetorit të Konferencës së Bujanit.

Në fund të kësaj Akademie Përkujtimore, anëtarët e Pallatit të Kulturës “Dardania” të qytetit Bajramcurri dhanë një koncert të pasur artistik me këngë e valle karakteristike të Malësisë së Gjakovës.

Jehona e Konferencës së Bujanit, edhe pas 75-vjetëve, është në zemër e në mendje të Shqiptarëve.

 

____________

*Kryetari i OJF-së “Mësuesi”.