Përshkallëzimi i protestave të studentëve nëpërmjet mekanizmave kushtetuese

Nga DARDAN MUSTAFAJ

Kanë kaluar mbi dy javë tashmë që nga fillimi i protestës së studentëve, duke dëshmuar kështu që jo gjithnjë edhe çudia më e madhe tri ditë zgjat. E kam ndjekur me vëmendje këtë protestë me shpresën se përbën zanafillën e një ndryshimi në qëndrimin e pjesës më vitale të popullsisë së vendit tim për të mos u pajtuar më me të keqen, për të mos pranuar më “t’i hapin rrugë së keqes” siç e thotë shprehja e mbrapshtë popullore, për të mos pranuar më që në vend të përballjes të ngrenë supet dhe të largohen nga ky vend! Kam shpresë të madhe se më në fund erdhi brezi i vërtetë “pastranzicion” i cili do të rilidhë fillin me vlerat që u mundësuan paraardhësve tanë që, me barkun bosh, me zhele, në mjerim dhe të rrethuar nga armiq, ia dolën ta nxjerrin këtë vend nga kanali a bataku ku e kishte hedhur kolonizimi turk disashekullor.

Mendoj se gjendja e sotme e arsimit, por edhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi, është pasojë pikërisht e këputjes së këtij filli vlerash nga të mbrapshtit për të krijuar “njeriun e ri”. Ky njeri i ri është ai që mësoi të mbijetonte, duke toleruar të keqen, duke u shmangur, duke ikur, duke u bërë bashkëpunëtor për një kockë ose duke shpresuar dhe pretenduar se të tjerët do të luftojnë për të. Ky brez po dëshmon më në fund se jemi duke u kthyer në binarët e vlerave tona të natyrshme si qëndresa dhe sakrifica për parime në të mirën e përgjithshme.

Refuzimi i studentëve për dialog me Edi Ramën apo për pranimin e ndërhyrjes së partive politike merr kuptim pikërisht në këtë optikë: studentët nuk duan të bashkohen me të kaluarën si njeriu i ri, njeriu i Republikës së Re apo ai i Rilindur! Ata janë e ardhmja e këtij vendi dhe për të përdorur fjalët e Nietzsche, “janë ata që shkruajnë vlera të reja në rrasa të reja”. Ky qëndrim është guximtar dhe trim!

Mirëpo, pas mbi dy javësh protesta, pa arritur qëllimin e pranimit të tetë pikave të tyre, studentët ndodhen në një udhëkryq: a do të bjerë apo do të ngrihet në intensitet protesta e tyre? Kjo pyetje u shtrohet pa reshtur nga gazetarët e të gjitha mediave me shpresën se do të përfitojnë ndonjë deklaratë sensacionale. Disa studentë kanë folur për përshkallëzim pa shpjeguar, ndërsa disa të tjerë kanë përmendur grevën e urisë. Mendoj se në një shoqëri relativisht demokratike si kjo e jona, nuk është vendi për vetëflijim nëpërmjet grevës së urisë apo masave të tjera ekstreme, pasi ekzistojnë mjetet kushtetuese dhe demokratike për të arritur objektivin e miratimit të tetë kërkesave.

Kushtetuta jonë përmban disa mekanizma të fuqishëm demokratikë, të ideuar pikërisht për zgjidhjen e tensioneve shoqërore, siç është rasti për protestat e studentëve. Fjala është për referendumin. Kushtetuta parashikon dy lloje referendumesh me iniciativë popullore (me kërkesë të pesëdhjetë mijë shtetasve). I pari është “Referendumi shfuqizues” ku objekt i referendumit është shfuqizimi i një ligji. Në këtë rast, studentët mund të kërkojnë organizimin e referendumit për shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë, duke detyruar kështu qeverinë që miratojë një ligj të ri ku të jenë përfshirë tetë pikat e tyre. Studentët mund të kërkojnë gjithashtu organizimin e një “Referendumi mbi një çështje të një rëndësie të veçantë”, ku t’i kërkojnë popullit shqiptar që të mbështesë tetë pikat e tyre dhe për pasojë t’i imponohen Edi Ramës. Organizimi i cilitdo prej këtyre referendumeve do të ishte një risi dhe për më tepër do të vendoste një gur themeli në ndërtimin e demokracisë sonë! Asnjëherë, një gjë e tillë nuk është bërë! Ky brez, përpos arritjes së qëllimeve të tyre, do të linte gjurmën e tij në historinë e këtij vendi si ndërtues i vërtetë i praktikës institucionale dhe i rikthimit të pushtetit të uzurpuar nga elitat tek qytetarët.

Dashje pa dashje, me protestat e tyre studentët kanë marrë tashmë në dorë penën dhe përgjegjësinë për të shkruar disa rreshta e ndoshta disa faqe të historisë së Shqipërisë.