Femrat e diasporës bëjnë me banesë një grua me katër jetimë

Një grua me katër fëmijë por në gjendje të rëndë ekonomike sot është bërë me banesë të re në Prishtinë.

Banesën kësaj gruaje ia ka blerë shoqata “Forumi i Femrave Shqiptare” që vepron kryesisht në diasporë.

Këto të fundit janë shprehur të lumtura që kanë arritur që ta strehojnë një grua që e vetme rrit fëmijët.

Përfituesja e kësaj banese, F.G u shpreh se kjo është njëra ndër ndjenjat më të veçanta për të, pasi sipas saj, çështjen e banimit e ka pasur  gjithnjë sfidë të madhe në jetë. Ajo tregon se nuk ka pasur ndihmë shtetërore asnjëherë.

F,G:Nuk kam pas asnjë përkrahje nga Komuna e as shteti.

“Është një ndjenjë shumë e mirë, e papërshkrueshme, dmth tash u binda që femra për femrën gjithmonë ka qenë dhe  do të jetë… kjo për veti qenka një ndjenjë dhe më e fuqishme… çështjen e banimit e kam pas si një sfidë, kam jetu në shumë shtëpia me qera, podrume… jo nuk kam pas përkrahje”, tha ajo.

Përfaqësuesja e  Forumit të Femrave Shqiptare Kumrie Karaçica tregon se  brenda një viti që prej kur është themeluar ky grup, i kanë ndërtuar trembëdhjetë shtëpi.

Ndërsa theksoi se grupi ka kryesisht gra që veprojnë dhe jetojnë në diasporë dhe fokus i tyre për ndihmë janë nënat vetushqyese dhe personat me aftësi të kufizuara.

Karaçica: Brenda vitit kemi ndërtuar 13 shtëpi

“Nuk e di si ta përshkruaj ditën e sotme, sepse është një kënaqësi  shumë e madhe që të ndihmoj një nëne që është vetëushqyese me katër jetimë dhe vet është me një sëmundje, mund të them dhe me një sëmundje të rëndë, i falënderoj nga zemra gjithë donatorët e humanizmit FFSH. Brenda një viti kemi ndërtuar trembëdhjetë shtëpi… shumë shpejtë pritet dhe një shtëpi në përfundim është në Kaçanik. Shoqata jonë e humanizmit ndihmon nënat vetushqyese  dhe personat me aftësi të kufizuar”, tha  Karaçica.

Ndërsa, anëtarja tjetër e këtij forumi, Valbona Pakashtica tha se donacionet vijnë nga vetkontributi  i grave. Sipas saj, asnjë përkrahje nga shteti ose komuna nuk kanë marr.

Pakashtica: Financat i bëjmë vet, ne forumi i grave

“Financat i bëjmë vet, vet kontribuese jemi, vet anëtarët tona…ndihmë marrim vetëm kush shpreh vetëdëshirë me kontribu. Diçka përkrahje prej shtetit ose komunës të cilës e marrim shtëpinë, ne nuk kemi asgjë. Ka raste kur ne shkojmë vet udhëtojmë, dalim në një fshat, apo një qytet dhe kërkojmë gjithë ditën ne shoqet bashkë. Pyetëm kryetarin e komunës a ka raste sociale, ose imamin e xhamisë dhe na përcaktojnë që ka ndonjë familje më të varfër, ne shkojmë i vizitojmë dhe i marrim si raste”,  thotë Pakashtica.

Kp ka kontaktuar edhe me komunën e Prishtinës për të mësuar se sa familje kanë aplikuar për të përfituar banesa sociale.

Zëdhënesja Miranda Mullafazliu, tha se komuna ka ndarë disa banesa për familjet që jetojnë me ndihma sociale dhe se procesi ka qenë shumë transparent.

Ajo tha se secili që i ka plotësuar kriteret që janë përcaktuar ka përfituar banesë.

Mullafazliu nuk ka shifër të saktë se sa familje kanë aplikuar për banesa sociale.

Shoqata e humanizmit, “Forumi i Femrave Shqiptare” kryesisht funksionon përmes rrjeteve sociale, në veçanti në ‘Facebook’.