Protestë, jo për një Linditë, por për ditën që do lindë nesër!

Nga Dr. Mine Balliu*

Kjo protestë e mijëra studentëve tregon një zhgënjim që nuk lindi as sot e as dje. Politika mediokre e bërë këto vite as më shumë e as më pak dërrmoi çdo familje shqiptare me iluzione, gënjeshtra e ngërdheshje të babëzitura ndaj tyre. Çdo prind kur bëhet fjalë për fëmijën, mposht edhe skamjen më të madhe vetëm e vetëm që ëndrra e fëmijëve të marrë jetë. Dyndjet e universiteteve e treguan më së miri këtë gjë. Familjet shqiptare i drejtuan fëmijët drejt universitetit si asnjëherë më parë, për të arritur ëndrrat, për të plotësuar veten e për të zhvilluar vendin. Çdo tarifë studentore vit pas viti, vetëm u rrit. U përballuan taksa  me sakrificat e prindërve edhe pse rritja e pajustifikueshme çdo vit e më tepër u bë e papërballueshme. Ndaj u desh që sakrificave të prindërve ti shtohej edhe punësimi i vetë studentëve në punë minimaliste që me çdo kusht të arrinin diplomimin. Dikush mund të thotë që në çdo vend të botës studentët punojnë e sakrifikojnë. Patjetër që ska asgjë të keqe që të punojnë e sakrifikojnë, por nëse shteti studentit të botës ia vlerëson mundin e djersën, shteti studentit shqiptar mundimin ia shpërblen me mbylljen e dyerve duke i bërë të ndjehen të pashpresë. Studentë që me një byrek ushqehen gjithë ditën vetëm e vetëm që të diplomohen e ti besojnë asaj diplome, në fund shohin që suksesi i i vetëm o garantuar është nëpërmjet rekrutimit politik e korrupsionit të hapur në tregun e punës duke kuptuar që mediokriteti politik qëndron ulur këmbëkryq duke e shndërruar vendin në një rrumpallë ku i paafti bën ligjin, propagandon arritje e i afti gjunjëzohet përballë injorancës e arrogancës. Reforma arsimore ishte as më pak e as më shumë, një shëmbëlltyrë e një e psikopatie rrëqethëse në kurriz të atyre më pak të mbrojturve, të rinjve që ua nisin rrugëtimin me kërcënime ende pa e filluar jetën me forcën e tyre. Këto vite studentët janë përdorur si kavie nga politika dhe jo vetëm, duke eksperimentuar me ta, por studenti pavarësisht përuljes që ka treguar ka patur  sy të shohë edhe veshë të dëgjojë. Të gjitha pisllëqet kundrejt tyre sot u përkthyen në mënyrën më të mirë të mundshme. Studentët treguan se qytetaria fillon e mbaron me mënyrën sesi reagon. Sot ata triumfuan pavarësisht gjakpirjes që u është bërë deri tani, brohoritjet e tyre sot ishin një mesazh jo vetëm për një Linditë por na  treguan që e nesërmja do të jetë e bardhë sepse e ardhmja do të jetë në duar të sigurta!

  • Pedagoge në UT