NALTËSIMI I SKËNDERBEUT NË LONDËR

Nga Mal BERISHA – ish ambasador i Shqipërisë në Mbretërtinë e Bashkuar

Kam patur nderin dhe privilegjin e madh që të përfaqësoja vendin tim, si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut dhe Irlandës, nga viti 2012 – 2015. Viti i emërimit tim në atë post, pra ai 2012, përkonte me 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Sapo fillova punë, i vura një qëllim vetvetes:

–  Të  vendosja në Londër një bust të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Dhe kështu u bë. Busti, vepër e skulptorit Kreshnik Xhiku u vendos në një vend shumë të bukur në zonën e parë të qytetit të Londrës, pranë stacionit të trenit Bayswater, në adresën: 113 Inverness Terrace, London W2 6JH.

Por për të ardhur deri tek vendosja e tij natyrisht ishte dashur shumë punë dhe ishim ndeshur me shumë peripeci dhe vështirësi të shumë formave. Kishim punuar me pasion bashkë me diplomaten e talentuar shqiptare, Xhoana Papakostandini dhe ndihëm e mikut të shqiptarëve, anglezit David Lloyd, dhe kryetares së Bashkisë Westminster, zonjën Susan Burbridge.

Ai do të vendosej në një nga qytetet më të pasura në vepra arti në botë, ose më mirë të them në një qytet galeri të hapur veprash skulpturore – Londër.

Në mbrëmjen e 27 nëntorit 2012, busti arriti nga Tirana në aeroportin Gatwick në Londër. Pas formaliteteve doganore dhe kufitare, ai duhej të transportohej për në qendër të Londrës. Djaloshi tropojan Isuf Margjeka, e vendosi atë në kamionin e tij dhe më telefonoj aty nga mesnata:

“Ambasador, më thuaj të lutem, çfarë duhet të bëj tani me bustin, pasi e kam marrë në kaminonetën time dhe po vi drejt Londrës?”

Ishte vonë dhe ne në atë orë nuk mund ta inkastronim bustin në piedestalin e përgatitur me shumë kujdes në atë vend aq të bukur të quajtur Lady’s Samuel Square. Kjo do të ndodhte të nesërmen, me datë 28 Nëntor siç e kishim planifikuar. Atherë i thashë:

“Merre bustin në shtëpinë tënde sonte! A ka nder më të madh sesa ta kesh patur qoftë edhe një natë të vetme si musafir heroin tonë, Skënderbeun? Kjo do të mbahet mend përjetë”.

Djaloshi qeshi, ashtu bëri, e mori bustin në shtëpi dhe të nesërmen që në mëngjes e solli tek vendi i duhur. E vendosëm atë ditë të 100 vjetorit aty  ku qendron edhe sot krenar dhe i pamposhtur siç ishte në jetë.

Në atë ceremoni inaguruese merrte pjesë edhe një vajzë arbëreshe nga fshati Munxhufuni, Mavi D’inzeo, nga Rajoni i Molises në Itali, një fshat i banuar krejt prej arbëreshëve. Pas disa ditësh ajo më erdhi në zyrë dhe më tha se në fshatin tonë, në majë të kodrës, ekziston një shesh me emrin Skënderbeg, ndoshta që prej 300 vjetësh, por që nuk ka një monument të Skënderbeut. Ajo më kërkoi që ta ndihmoja me një bust dhe me përpjekje arritëm që një kopje të bustit të Skënderbeut në Londër, me ngjyrë tjetër, bronxato, sponsorizuar nga Leonard Kastrati, ta derdhnim dhe ta dërgonim në Munxhufunin. Vajtëm nga Londra dhe e inaguruam edhe atë me 4 gusht të vitit 2013. Edhe ai qëndron sot krenar në maje të atij fshati arbëresh.

Ndërkohë, gjatë përiudhës së punës atje u njoha me zonjën Patrica Nugee, një koleksioniste e shquar e librave të Skënderbeut. Midis librave që ajo kishte mbledhur për heroin tonë gjëndej edhe nje novelë e shkruar nga Benjamin Disraeli, dy herë Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.

Libri titullohet “Naltësimi i Iskanderit” (The Rise of Iskander). E mora librin dhe e përktheva në gjuhën shqipe me një analizë të thellë të veprës dhe të jetës së autorit. Libri është botuar sivjet në këtë përvjetor të 550 – të, të Skënderbeut nga shtëpia Botuese KOHA në Prishtinë. Autori ka përdorur faktet historike rreth jetës së heroit tonë kombëtar dhe i ka kombinuar ato me elementë artistikë. Ai e përshkruan Iskanderin jo vetëm si një ushtarak shumë të zotin, një luftëtar të përgatitur në akademinë më të mirë ushtarake orientale, një patriot të madh, por edhe një njeri më një moral shumë të lartë. Ai largohet nga ushtria turke, bën marrëveshje me Janosh Huniadin, çliron atdheun e tij por pikërisht në atë kohë merr vesh për marrjen peng të vajzës së Janosh Huniadit, Idunës. Ai nuk mund të rrinte indiferent ndaj fatkeqësisë së mikut të tij prandaj ndërmerr një aventurë shumë të rrezikshme: shkon në Adrianopojë dhe e liron atë nga pengmarrja. Në fund novela mbyllet me nje festë ku Skënderbeu feston në kështjellën e Krujës, bashkë me Huniadin, edhe lirimin e Idunës, vajzës së Huniadit edhe çlirimin e Epirit. Shqiptarët i kthejnë atij kurorën mbretërore të të atit që ia kishin rrëmbyer osmanët.

Vepra ka rëndësi pasi është shkruar prej njërit nga personalitetet më të mëdha të Britanisë së Madhe, Benjamin Disraeli. Aty tregohet se si  figura e Skënderbeut nuk u bë thjesht dhe vetëm një figurë frymëzuese për ne shqiptarët por edhe për vetë anglezët. Rilindja angleze dhe ajo viktoriane kishte nevojë për figura si heroi ynë. Vepra është shkruar në vitin 1833 kur Disraeli ishte i ri, në qytetin jugperëndimor Bath dhe pararend Këngët e Milosaos së De Radës së madh në vitin 1836, i cili shënon fillimin e Rilindjes tonë kombëtare.

Disraeli është një ndër figurat më të shquara të historisë së vendit të tij, njeriu që shpalli Mbretëreshën Viktoria Perandore të Indisë. Prandaj vepra e tij Naltësimi i Iskanderit merr një rëndësi të veçantë, jo vetëm si një figurë historike dhe letrare por edhe sepse është shkruar nga një njeri kaq i madh i kulturës dhe politikës britanikë.