Një selam nga Putini për dyshen Thaçi-Pacolli

Nga Islam LAUKA*

Politika e pajtimit me Rusinë, e ndjekur nga dyshja ThaçI-Pacolli, po jep “frytet” e veta, sidomos pas takimit të Presidentit të Kosovës me Presidentin Putin, para pak ditësh, në Paris. Dëshmi për këtë është komenti zyrtar i sapobotuar, i Departamentit te Shtypit dhe Informacionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, lidhur me vendimin e qeverisë së Kosovës për taksimin 100% të mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.
Pas leximit të këtij komenti zyrtar, uroj që dyshja Thaçi- Pacolli të këndellet dhe të kuptojë qëndrimin e vërtetë dhe të pandryshuar të Rusisë-kundër lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Apo ata e kuptojnë dhe, duke bashkëpunuar me Moskën, bëjnë lojën e tjetërkujt, kundër interesave të Kosovës?

Ja teksti i plotë i komentit zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Rusisë: “Me 22 nëntor, “qeveria” e Kosovës, duke shkelur detyrimet që rrjedhin nga CEFTA për tregëtinë e lirë, shpalli vendimin për taksimin 100% të mallrave nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Faktikisht, bëhet fjalë për fillimin, nga ana e Prishtinës, të “luftës tregtare” në kuadrin e politikës së spastrimeve etnike, sepse popullsia serbe e Krahinës, në masë të madhe, varet prej furnizimit që merr nga Serbia Qëndrore. Për më tepër, në Prishtinë nuk e fshehin që ky veprim bëhet për hakmarrje ndaj dështimit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit për t`u anëtarësuar në këtë organizatë.

Ky provokim i Prishtinës përbën dëshminë e radhës, krejtësisht të qartë, mbi dështimin e “shtetësisë kosovare”. Tashmë, dhjetë vende janë tërhequr nga njohja që i patën bërë Kosovës.
Konstatojmë reagimin e përmbajtur dhe të matur të Beogradit ndaj kësaj mase dhe përpjekjen e tij për të ulur tensionin.

Bashkimi Europian, si ndërmjetësues në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës është i detyruar të ndikojë mbi autoritetet e Kosovës dhe të kërkojë heqjen e menjëhershme të këtij vendimi antiligjor, të mbarsur me acarimin serioz të situatës në Ballkan”.

___________

*Doktor i shkencave politike, ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë, president i Qendres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, drejtor i Përgjthshëm i Institutit të Studimeve Politike Shqiptare.