“Testamenti” i Sabri Hamitit

  

Libri më i ri i Akademik Sabri Hamitit, “Testamenti”, është libri i 41-të i autorit që këto ditë ka parë dritën e botimit në edicion të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Libri është paraqitur në serinë e botimeve të ASHAK-ut në Panairin e Librit në Tiranë që po mbahet këto ditë. Libri ka 376 faqe të formatit të madh, ndërsa këtu po sjellim të plotë Parathënien e librit.

PARATHËNIE

            Libri Testamenti përmban shkrimet kritike për letërsinë shqipe, të bëra në vitet e fundit. Këto shkrime klasifikohen në tri pjesë: I. Lirika shqipe, II. Leksione dhe III. Testamenti, që me ide e procedime letrare lidhen domosdoshmërisht në një sistem me librat pararendës: “Bioletra”, “Tematologjia”, “Albanizma”, “Utopia letrare”.
            Në pjesën e parë, “Lirika shqipe”, trajtohet lirika si thelb i artit letrar, që si qenie, si thurje e si komunikim shfaqet në trajtë të klithmës emocionale, në trajtë të thirrjes identitare e, më rrallë, në trajtë të shqiptimit metafizik. Që nga zanafilla dy trajtat e para janë pranuar më lehtë e janë interpretuar më shtruar. Këtë herë është bërë përpjekje për interpretim të poezisë së mendimit, lirikës metafizike, të autorëve shqiptarë. Profecia poetike e Pjetër Bogdanit, lirika romantike e Jeronim de Radës, doktrina letrare e Naim Frashërit, lirika klasike e Ndre Mjedjes, testamenti lirik i Gjergj Fishtës, lirika moderne e Lasgush Poradecit, misioni poetik i Esad Mekulit, urtia poetike e Azem Shkrelit. Është parë domosdoshmërisht edhe thelbi identitar e shqiptimi elegjiak i kësaj lirike, që merr forma të ndërliqshme poetike.
                    Në pjesën e dytë, “Leksione”, (duke u nisur nga thelbi i nocionit “leksion”, së pari si “zgjedhje” e “lexim” dhe së dyti si “ligjërim”) janë trajtuar fenomene karakteristike të letërsisë shqipe. Te kapitulli “Gjergj Kastrioti (Variacione për heroin nacional)” kërkohet paradigma letrare e historisë dhe e letërsisë së identitetit: nisur nga amëza letrare, duke kaluar nëpër format e letërsisë në poezi, në dramë e në prozë, të autorëve të njohur shqiptarë. Te “Ujdhesa e shpëtimit” diskutohet drama e krijuesit dhe veçoria e krijimit letrar në diasporë. Në “Lamberci e Çabej: për letërsinë shqipe”, bëhet ballafaqimi i dijetarit gjerman e dijetarit shqiptar rreth zanafillës dhe zhvillimit të letërsisë shqipe. Në kapitullin “Një histori alternative e letërsisë shqipe”, rroket në trajtë teorike e në interpretim praktik letërsia shqipe e shkruar në gjuhë të huaja, duke tematizuar dhe mënyrën e komunikimit të saj në sistemin e tërësishëm të kësaj letërsie.
                Në një kapitull trajtohet letërsia dokumentare, si letërsi e logorit, e Zef Pllumit, duke lexuar edhe veprat postume të tij. Një kapitull tjetër ruan në vëmendje murgun letrar Anton Pashkun, duke interpretuar tekstet e tij më të fundit, dhe duke i vënë në relacion me prozën e tij moderne dhe letërsinë bashkëkohore shqipe. “Letërsia si kujtesë”, e trajtuar si fenomen universal letrar, vë në dukje trashëgiminë kulturore individuale si thelb të ligjërimit letrar te autorë të shekullit njëzet.
                Trajtesa “Ego: romani bashkëkohor” tematizon ballafaqimin e Autorit me Lexuesin në tekstin e romanit shqiptar të fillimit të shekullit XXI. “Mësimi i letërsisë” diskuton letërsinë si vlerë fundamentale shpirtërore të kombit dhe kompleksivitetin e e mësimit të saj në katedra, duke tejkaluar rrezikun e klishetizimit të formave letrare, të cilat janë të hapura përjetësisht dhe akceptohen në formë të varianteve nëpër sensibilitetin e brezave.
        Në pjesën e tretë, “Testamenti”, bëhet shenjimi i të dhënave letrare në kohë, autorë, vepra, stile, individualitete, formacione, të gjitha në një sistem të lidhur për të krijuar raportin e komunikimit të tërësishëm letrar mbrenda sistemit të letërsisë nacionale.