Ujrat letrare të Arbër Ahmetajt, janë të kristalta!

Nga Entela Komnino

Për librin e Arbër Ahmetaj ” 69 gra”.

E folura në ngjarje të tilla, që për autorin është shumëçka, për auditorin dhe ata që bëhen pjesë e paraqitjes së librit, mbetet një zonë e minuar vëmendjeje. Njëlloj si emri i dikurshëm i prodhimit letrar, realizmi i kritikës letrare është nën thundrën e tregut të vogël, shtëpive botuese e sponsorëve të pamjaftueshëm për të patur e jo më për të blerë botimin, por sidomos të presionit të leximit. Kjo situatë përcjellëse post shkrim, që Arbri e ka sfiduar qëkurse ka shkruar për më shumë se gjysmën e jetës së tij tashmë, për mua është në kushtet gati laboratorike. Kam dëgjuar e lexuar librin e parë të Arbrit dhe do të flas shkurt për ‘69 gratë’ e fundit.
Midis teknikës për të shkruar edhe kur nuk ka emocion ose pragut tjetër të pamundësisë emocionale për të shpërndarë emocionet në funksion të teknikës, Arbër Ahmetaj zgjedh sigurisht këtë të fundit. Kapriçoja, që do lexonte rëndom një kritik letrar, sidomos kur bëhet fjalë për botime që e kanë kaluar numrin e provës së fillestarëve ose amatorëve të shkrimit, është në pashmangshmërinë më të pafajshme, atë të prirjes individuale. Por kjo nuk mbetet e vetme në shkrimin e tij kur qartësohet logu, si histori dhe kod komunikimi. Impulset letrare sigurohen me praninë e një teknike mendimi e figuracioni mu siç Arbri e përjeton për ‘këngëtaren ilire’ diku në Irlandë ‘- Të kam pa qindra herë n’ëndërr! – i thashë. – Ti dukesh si grua e antikitetit, si shpirt i ardhur në modernitet për të na dëshmuar se sa e shkurtër është rruga e qytetërimit dhe sa e përgjakshme njëkohësisht’.
Pritja ime, bazuar mbi Doruntinën dhe e takuar me këngëtaren në Irlandë, u befasua kur një bisedë me nënën e tij e tregimizuar e çoi këtë përmasë në Kozmos. Fare thjeshtë Hëna- ‘putana kozmike që nga nuk del’, më kujtoi (jo për moral, por për përmasë fizike) citimin nga Arbri në një bisedë grupi të vajtimit të Ajkunës mbi varrin e Omerit ‘Cohu bir e luj me zana, çohu se varrin ta run nana’. Substanca e legjendave që sfidojnë sidomos atë me të cilën matet botimi sot, shifrat, është terren aktiv krijimi tek Arbri me lëndë dhe skema sipas asaj që po sot njihet si status ‘Një fjalë a foto sa 1000 fjalë’. Kështu një bisedë në avion me një mjek grek e bën historinë e një fëmije shqiptar që duhet të shpëtojë vëllain nga vdekja, por nuk arrin për shkak të vizave edhe kur mjekët grekë ofrojnë shanse, kujën e brendshme të fatit mbi toka që kanë pjellë qytetërimin. Dhe kjo ndodh edhe kur Arbri mendon se i ka ikur këtij vendi dhe po bën jetën e turistit sedentar zviceran në Irlandë, ku e qerasin si në Shqipëri pa e njohur. Pyetjet deri në prag shkatërrues që lindin nga ngjarjet në dukje rëndom, nuk janë nga ato që mësohen në shkolla të shkrimit se sa sigurohen me teknikat e përshtypjeve për të përmbushur kodin e tregimit më të lashtë. Kjo e ka aftësuar madje në shkallën edhe të vërejtjes ndaj vetë kodit si tek Rozafa: ‘Të dua edhe si shenjë pendese për atë burrë që nuk e meritoje. ….Më janë dashur dy mijë vjet të bëhem më burrë se burri yt. Gjykimi të takon ty’. Në tregime ku legjenda zgjatet që të arrijë kohën e Zukerbergut, ose sfidohet me Rozafën si një nga 69 gratë e tij, rrjedhin ‘ujëra të lashta e të turbullta’ sfidon edhe vetveten Arbri kur një djalosh ‘përpiqej të thoshte gjëra të mençura, që ta shpëtonte nga “vetëvrasja” (mbytja në lumë). ‘Nga ta dinte ai se në çfarë ujërash të lashta e të turbullta po lahesha apo po ndotesha unë?’, rrjedh përroi i brendshëm i Arbrit. Në fakt, ujërat letrare të Arbrit janë si kristali i Valbonës në të cilat, personazhe dhe autorë shohin qartë e dallojnë kode fillesash. Ne kemi shansin t’i gjejmë edhe në letra e të vazhdojmë t’i lexojmë sipas të njëjtit rit të pashkruar të shkrimit të tij.