Mallkoj zanën

Nga Hasan Selimi

 

MALLKOJ ZANËN  

N`mrizet e nalta udhëtoja natën

S`dëgjoja gjumin e zogjve, as hapin tim

zogjtë ndërronin degë, pishë se pishë kërkonin

Kërkoja diçka, s`mbaj mend ditën, larg

Flakë n`sytë e mi si në vetëtimat e motit

Tundi fustanin e bardhë dritë prej qiellit.

Ngurrova ta prek, qeshi nga dhëmbët flakë

Prita bubullimat pas vetëtimës,  s`ranë,

n`gjunjë pushova sa me marr pak frymë…

 

Avulli i flakës krehu flokët e mia, njoha zanën

Piskata, oj zanë  ty të shitoftë bukuria

Në mua pse ke ndalë, m`digj

Të provoj dashuri zane.

Bukuria më ka ba të dekun n`mrize  t`natës

Dritës tënde po i ban hije

prej gjuhës tënde po merr flakë pylli

digjen mrizet.

 

Zogjtë s`kanë ku këndojnë

qyqja tash thërret mjerim

Qesh zana me mallkimet e mia

ulet në gjunjë, pikëllohet, n`lot shkrinë gurin

flokun tim kreh me dorën e flakës

rrinë mbi kryetin tim, unë i dekun prej dritës saj.

 

Mëngjesi erdhi dritë paralele

n`fytyrën time dek prej dritës e flakës pa bubullimë

Zgjohem n`mallkim pa derë, pa dritare, n`çatinë qiell

në pyllin e pishave buzë malit që pjell zana

Në majën e bredhit var fustani i bardhë,

pisha kurorëzohet  dritë nate.

 

Diellin thirra për mëngjes,

të pimë qumshtin e ëndrrës

T`bahem të ndritshëm në dritë e terr

Hanën ta mbajmë në xhep

Dhuratë për ditën e dasmes n`gjoks nusje

Një ditë të jemi të tre në dasmën e yjeve…

 

SHKODER, 31/10/2018