Skicë: Mirëseerdhe përsëri në Shqipëri, i dashur mik Qatip Mara!

Nga: Murat Gecaj

Nga e djathta: P.Hysi,M.Gecaj,Q.Mara e E.Doko…

1.

Ishte, pothuajse,i pabesueshem dhe mjaft befasues thirrja me celular, në mbrëmjen e para dy ditëve. Sakaq, dëgjoj një zë shumë të njohur e të dashur, i cili më vinte nga afër. Po më telefononte kolegu dhe miku im i kahershëm, arsimtari veteran e autor shkimesh e botimesh, Qatip Mara. “Sonte mbërrina nga Nju Jorku, në Rinas e tani jam në Tiranë…Më kishte marrë shumë malli për ju e nuk qendrova dot, pa u njoftuar! Dua të flas edhe me Papin (Përparim Hysi)…”. Sakaq e lidhjet tona u vendosën me shpejtësi. Në telefonin er shtëpiës më doli edhe Papi e ma dha këtë lajm të gazueshëm.

Që mos ta lodhi më tej lexuesin, sigurisht shkurtimisht, se përse na befasoi kjo telefonatë, po e tregoj arsyen…Afër 4 vjet më parë, arsimtari veteran, kolegu dhe miku ynë i pandarë, me origjinë nga Kropishti i Vlorës, Qatip Mara, u sëmur rëndë nga zemra. U shtrua në dy sptale private të kryeqytetit, ku i rrinin pranë bashkëshortja, Dhurata e familjarë të tjerë, por dhe ne  e vizituam shpesh. Për fat të keq, qe i pamundur shërimi këtu dhe jeta e tij ishte në rrezik. Pastaj vëllai e mori në një spital të Torinos e më tej e dërguan në atë të Milanos, në Itali, por asnjë përmirësim nuk kishte! Në këto rrethana, me kujdesin e së bijës, Brunildës, e cila jeton familjarisht në Nju Jork, udhëtoi me një avion të shpejtë për atje. E shtruan menjëherë në spital.ku nisën vizitat dhe ndihma e specializuar mjekësore. Nuk e di saktësisht kohën e gjendjes në “alarm”, për  shëndetin e Qatipit,. Po, para tre vjetëve, ndodhi mrekullia: Atij i bënë transplantin e zemrës! Sigurisht, gjatë kësaj periudhe, ka qendruar gjatë në spital. Por dhe pas daljes ka qenë i pashkëputur kujdesi ndaj tij.

Dhe ja, tani ai e ndiente veten aq  mirë, sa iu lejua udhëtimi me avion, për në Shqipëri. Se donte ta shihte përsëri Atdheun, vendlindjen, të takonte të afëm, kolegë, miq e dashamirë të shumtë, për të cilët kishte aq mall!

2.

Dje paradite, për në lokalin “Galaxy”, në hyrje të Bulevardit të Ri të kryeqytetit, Qatipin e shoqëroi miku i përbashkët, Përparim Hysi. “Kisha dëgjuar se as ti nuk je aq mirë me shëndet dhe doja të takoja, ndër miqtë e parë të mi”,-foli ai, me sytë e përlotur e duke u përqafuar përzemërisht. Zumë vend rreth një tavoline e secili porositi sipas dëshirës. Unë pata kënaqësinë t’i dhuroja atij  librin tim me titullin, “Kur flasin zemrat…”(Tiranë, 2016). Aty kam botuar letërkëmbimin tim, me bijën e shtrenjtë të Qatipit, Brunildën dhe një fotografi të tyre.

Kaloi vetëm pak kohë dhe në lokal mbërritën, miku i përbashhkët, arsimtari në pension, Ramiz Doko dhe sivëllai im, Maxhun Margjeka. Sigurisht, radhën e bisedës ia lamë Qatipit. Ai na foli, me emocione, për udhën shëndetësore të kaluar, për bashkëshorten  e tri vajzat e tyre dhe jetën në metropolin e Nju Jorkut. Por ai, bënte ç’bënte e i kthehej mallit, që e kishte zhurituar, në këto vite, për tokën  amtare. Kënaqësi na soli edhe lajmi, se ai do të botonte në Tiranë, librin me ngjyra, kushtuar së bijës, Brunildës dhe aty do të tregojë për situatat e vështira shëndetësore, të cilat më  në fund i kaloi, të gjitha, me sukses.

“Nesër do të nisem për në Vlorë,-tha Qatipi,-se kam disa qoka për të bërë. Po do të kthehem shpejt në Tiranë dhe do të shihemi përsëri bashkë. Bile do ta bëj dhe një vizitë në shtëpinë tuaj…”.

…Duke u ndarë, me përqafime të ngrohta dhe të përzemërta, e uruam kolegun e mikun e përbashkët, Qatip Mara, që të ketë përherë shëndet sa më të mirë dhe takimet e vizitat në Shqipëri t’i kryej sipas dëshirës, që ka, deri sa të rikthehet pranë familjes së tij, në Nju Jork.

Tiranë, 24 tetor 2018