Skicë: “Kompaninë” tonë e vizitoi prof. Foto Toti…

Nga: Murat Gecaj

Nga e majta:S.Harka, B.Xhama, FToti e M.Gecaj (Tiranë, 22 tetor 2018)

1.

Kishim disa kohë, që parashikonim të bënim një takim me Prof.Foto Totin, ish-punonjës i njohur në shëndetësi. Por arsyet ishin të ndërsjallta, sidomos na pengoi, sadopak, shëndeti?! Dhe ja, sot në mëngjes e realizuam një gjë të tillë.

Një pjesë e “Kompanisë” sonë, siç e kemi pagëzuar ne, ish-punonjës të gazetës “Mësuesi”, takimin me atë e bëmë në lokalin “Frends”, në afërsi të ish-Farmacisë Nr.10 të kryeqytetit.

Të parët, mbërritëm aty, Sejdo e unë dhe pas pak ia erdhi Bardhyl Xhama, ai “djaloshi” nga Bregdeti, shkrimtar e publicist i njohur-“Mësues i merituar”, me çantën hedhur në krah. Meqenëse Prof.Foto banon disi larg nga ai lokal, erdhi pak më vonë. U përshëndetëm të gjithë, me njëri tjetrin dhe Bardhyli nuk vonoi të na qeraste me karramele, por dhe na vuri përpara nga një “shishkë” me raki.

Duke ngritur dolli e duke pirë kafe ose çaj, biseda rodhi e natyrshme, “si ujë burimi”. Ne nuk harruam ta urojmë e përgëzojmë Prof.Foton, për shkrimin e botuar sot, në dy faqe të gazetës “Dita”, me titullin domethënës: “Labova e Madhe e laboviti, me tri varre”. Kryesisht, përveç asaj krahine atdhetare e liridashëse, aty flitet për Vangjel Zhapën (1800-1865), që ka merituar titullin e lartë, “Nderi i Kombit”.

Në lokalin “Frends” të kryeqytetit…

2.

Në vazhdim, ne folëm për familjet tona, për kolegë, miq e të njohur. Ndër të tjara, Prof.Toti tregoi për miqtë e shumtë të tij, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), ku jemi njohur bashkë, që në vitet ’70-të të shekullit të kaluar. Ai përmendi me kënaqësi Valbonën, por dhe rrugën e re të makinës, e cili shkoi në fshatin me bukuri të rralla alpine ose në “Amfiteatrin gjigand” natyror, Curraj i Epërm. Është domethënëse, që ai dhe e shoqja, Lirika, e kanë vizituar atë rreth malor edhe disa ditë më parë.

Megjithëse ish-punonjës shëndetësie, Foto Toti shkruan bukur e pret që, së shpejti, të botojë edhe një libër, ku sigurisht vend me rëndësi do të zërë koha e kaluar me punë, në Tropojë. Gjithashtu, kishin se çfarë të tregonin, për mjaft botime të tyre, Bardhyli e Sejdo, ashtu si dhe unë. Një kopje të librit të tij për fëmijë, Bardhyli ia dhuroi punonjësit të lokalit, që na shërbeu dhe na bëri disa fotografi, dy prej të cilave po i bashkëngjes me këtë skicë modeste.

Meqenëse Bardhyli e ka në natyrën e tij, të caktojnë kohën e qëndrimit në lokal, ai na “paralajmëroi” se na kishin mbetur dhe 15 minuta kohë, për të biseduar bashkë.

Kështu, “zilja” ra, për mbarimit e takimit tonë e ne dolëm përpara lokalit “Frends”. Aty u ndamë përzemërisht me njëri tjetrin, duke uruar shëndet e jetëgjatësi, gëzime e lumturi, si vetjake e familjare. Por, ndërkaq, premtuam se, përsëri, do të shihemi bashkë, ndoshta dhe me pjesëmarrjen e kolegëve e miqëve të tjerë.

-Deri atëherë: Mirupafshim!

Tiranë, 22 tetor 2018