“Një hënë artificiale” në Kinë për të ndriçuar rrugët në mbrëmje

Instituti hapësinor i Chengdy prezantoi një projekt interesant që parashikon hedhjen në orbitë të një “hëne artificiale” për ndriçimin e rrugëve në orët e darkës. Sateliti do të ketë një rreze veprimi prej 80 kilometrash.

“Një hënë artificiale” për të ndriçuar rrugët në mbrëmje. Kjo është ideja, që po bën xhiron nëpër botë, e propozuar nga Aerospace Science and Technology Microelectronics System Research Institute Co (Casc) në qytetin e Chengdy, në jugperëndim të Kinës.

Bëhet fjalë për një satelit në gjendje të përhapë një ndriçim të ngjashëm me muzgun, në një zonë me diametër mes 10 – 80 kilometër, që do të përmirësonte shikueshmërinë në orët e natës dhe do të zëvendësnte llambat aktuale, me kursim të prekshëm në energji. Këndi i ndriçimit ka një saktësi me disa dhjetëra metra dhe mund të rregullohet nga distanca.

Projekti u prezantua më 10 tetor nga Wu Chunfeng, presidenti aktual i Institutit Hapësinor Privat Casc, në një konferencë mbi inovacionin dhe sipërmarrjen. Në bazë të asaj që u deklarua nga WU, testet e para për këtë lloj ndriçimi kanë vite që zhvillohen – teknologjia është pjekur për ta përdorur konkretisht.

Sateliti ka një rreze drite tetë herë më të madhe krahasuar me Hënën. Megjithatë enti siguroi që kjo karakteristikë nuk do të përbëjë një problem për kafshët e natës. Nëse qeveria kineze do ta miratojë, sateliti do të vihet në funksionim në vitin 2020.