Në përkujtim të heroit Ardian Krasniqi

Harry Bajraktari – New York

Sot, 21 vjet më parë në Kliqinë të Pejës, ra trimërisht heroi i kombit Ardian Krasniqi, përballë forcave të mëdha policore serbe. Ardian Krasniqi ishte ndër ushtarët e parë që u inkuadrua në radhët e UÇK-së dhe nuk u ndal deri në flijimin e jetës së tij për liri, që populli i Kosovës të mos vuante më robrinë serbe.
Ardiani i përket familjes së Sylërexhëve të Vranocit, e cila bashkë me familjet tjera të Lugut të Baranit, kanë dhënë shumë për çështjen kombëtare-në luftërat e ndryshme për lirinë e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Ai ishte në lidhje të ngushtë me Zahir Pajazitin, njëri ndër organizatorët kryesor të UÇK-së dhe me luftëtarët e hershëm të organizimit të kryengritjes së armatosur kundër pushtimit serb.
Ardian Krasniqi sot përkujtohet si luftëtar i pathyeshëm dhe simbol i qëndresës për luftëtarët që vazhduan luftën për lirinë e Kosovës.

Ai ra në fushëbetejë dhe do të jetë gjithherë në zemrën e kombit.

New York, 2018