SOT NË 205-VJETORIN E LINDJES SË GJENIUT

Nga Albert VATAJ

Giuseppe Verdi, kujtesa e kohës e ruan si ateistin romantik, patriotin garibaldin, ngadhnjyesin vagnerian, italian kryekëput. Qëndroi besnik deri në fund dhe mori meritimin e mirënjohjes të gjeneratave për krejtçfarë bëri dhe la trashëgim. Kjo botë perëndishë antike dhe rilindase, e cila vinte prej një mbamëndje të pashoqe, e u ngjizur në havanin 2000-vjeçar të kohërave, s’kishte sesi të ndalte vërshimin e saj uturitës në historinë e Evropës plakë. Ky shpirt Apenin do të gufonte prej humusit të brezave. Do të rilindtte një vazhdues i lavdisë dhe memories artistike që ngasi dhe dalldisi shekuj dhe breza të tërë. Ngadhnjeu mes britmash dhe harrimit, mes paradoksit dhe groteskut. Erdhi si një gurë meteotiti që do të plotësonte atë pjesë mozaiku të mrekullisë italiane.

Ai, Giuseppe Verdi, fshatari që i dha frymëmarrje metropolitane operas së një shekulli. Sizifi që nuk reshti së përpjekuri. Vegjelia e mjeshtrit, hekakeqe dhe rurale, e pamundur dhe nënshtruese e përndoqi gjatë. Hera-herësh i’a përfundi shtatin. Hendeqe të thella e barriera të larta i zunë rrugën në rëndien e tij të hovshme përgjatë Golgotës së ngjizjes së talentit, atij univers që do të shpërthente përdhunshëm si një shkreptimë eterne, për të mbetur atëherë e sot një dritim shndritës, në një prej ngulmeve artistike dhe estetike më të garrametshme të kohës. Për asnjë moment, përkundër asnjë rrethane dhe vështirësie, deri dhe në kushtet e mbijetesës, Giuseppe Verdi, nuk dredhoi. Ai u përball, u kacafyt me thonj e me dhëmbë dhe triumfoi. Fitoi vetveten dhe mëtoi përbotërisht talentin dhe vitalitetin e tij shpirtëror, duke e skalitur emrin dhe veprën në memorin e kohës, në mbamëndjen e gjenialiteteve që tokësoren e tyre e ngjitën në qiejt e lavdisë.