Haradinaj: Kemi nevojë për policë që e dinë gjuhën turke

Të gjithë të rinjtë që kanë kandiduar për policë të rinj e që nuk i takojnë shumicës shqiptare e kanë kaluar provimin edhe nëse nuk i kanë arritur 70 për qind të pikëve të testit me shkrim.

Kjo pasi Qeveria ka marrë vendim që ta ulë pragun e kalueshmërisë të testit me shkrim prej 70 për qind sa ka qenë, në 50 për qind.

Ky vendim i kabinetit qeveritar, transmeton kp, është marrë pas kërkesës së ministrit të Administratës Publike, Mahir Yagcilar, i cili ka kërkuar që ky prag të ulet për pjesëtarët e komunitetit turk, pasi që nga të gjithë ata që kanë aplikuar, sipas tij vetëm njëri ka arritur që të arrijë 70 pikë në testin me shkrim.

“Më lejoni të parashtroj kërkesën nga përfaqësuesit e komunitetit turk sa i përket pranimit në shërbimin policor, përkatësisht që pragu prej 70 për qind të ulet në 50 për qind, për arsye se nga të gjithë kandidatët që kanë aplikuar vetëm një e ka kaluar këtë fazën e parë të testimit, për shkaqe të ndryshme, por kryesisht për shkak të mos zotimit të gjuhës shqipe”, tha Yagcilar.

Por kërkesës së ministrit që vjen nga komuniteti turk ia kanë pa hairin edhe ata që nuk janë turq por që iu takojnë komuniteteve tjera jo shqiptare.

Kjo pasi që kryeministri Ramush Haradinaj propozoi që një gjë e tillë të vlejë jo vetëm për turqit por edhe për komunitetet tjera.

“A kishim mujtë me e votu për shembull në parim këtë, për komunitetet që nuk kanë gjuhë amtare gjuhën shqipe”, tha Haradinaj.

Kundër propozimit ka dal zëvendëskryeministri Dardan Gashi i cili tha se secili që dëshiron të bëhet polic duhet ta dijë edhe gjuhën shqipe.

“Nuk mund të funksionojmë kështu. Gjuhë zyrtare është shqipja dhe ëshët gjuhë e shumicës, polici duhet të dijë shqip”, tha Gashi.

Por në këtë deklaratë ka reaguar kryeministri Haradinaj, i cili tha se Policia ka nevojë për njerëz që e dinë edhe turqishten.

“Ne kemi nevojë për policë që e dinë turqishten. Ky është interesi reciprok. Nuk është se ai na vyen neve, ne i vyejmë atij. Është një praktikë e lejuar me e bë një diskriminim pozitiv. Unë kisha ftuar Qeverinë që ta votojë propozimin e ministrit Yagcilar”, theksoi kryeministri.

Sipas Haradinaj kjo nuk bie në kundërshtim të ligjit civil pasi që ulja e kriterit për këtë pjesë nënkupton vetëm mundësi për të hyrë në procedurat tjera.

Rekomandimi i ministrit Yagcilar u aprovua me shumicë votash.