Shën Mhilli i përgjakur në Nikaj-Mërtur: 1946

Nga Besnik DUSHAJ – kryetar i Bashkisë të Tropojës

Të nderuar nikaj-mërturas, bijë e bija, nipa e mbesa dhe të afërm të burrave e grave të shquara, që qëndruan si këto male përballë diktaturës më të egër të Europës, komunizmit shkatërrimtar!

I nderuar deputet i Tropojës, z.Isuf Çelaj!

I nderuar kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të përndjekurve politik të Shqipërisë, z.Nebil Çika!

I nderuar kryetar i Shoqatës Nikaj-Mërturi, Dr.Mhill Gecaj!

Të nderuara familje të persekutuara nga regjimi komunist!

Të nderuar pjesëmarrës, vëllezer e motra!

Nuk është rastësi që një varg të gjatë përkujtimesh dhe kujtese historike po e fillojmë sot këtu dhe në një ditë të shenjtë, ditën e Shën Mhillit.

Kaluam nga vendi dëshmitar i tmerrshëm, nga lendina e gjakut pak metra më poshtë dhe u ngjitëm te ky shesh kuvendesh, sigurisht me plot emocione dhe dhimbje.

Ngjarjen e 29 shtatorit 1946, tashmë e di i madh e i vogël, jo vetëm në Malësinë e Gjakovës, por thuajse në gjithë Shqipërinë.

Heronjtë e pamposhtur të asaj dite janë mbi 3000 burra, nga 15 e deri në 90 vjeç, nga të gjitha fshatrat e Nikaj Mërturit.

Ajo ditë që mori emrin tragjik “Operacion”, ka martirët e saj Ukë Qunin dhe Fetë Sadikun, ka dhjetra të arrestuar nën krismat e mitralozëve dhe qindra të internuar për në Berat e Tepelenë.

Qëndresë si ajo e Fetë Sadikut, vdekje si e Fetë Sadikut në mes 3000 burrave, që e panë tek binte midis tyre si vigan nga plumbat e xhelatëve, nuk njeh historia jonë.

Kjo ditë, që është quajtur edhe si Shën Mhilli i përgjakur, ishte si rrjedhojë e asaj urrejtje të madhe që shteti komunist dhe forcat famëkeqe të Sigurimit kishin për vendin e Lirisë, popullin e pamposhtur të Nikaj Mërturit, ishte ky popull që në nëntor të vitit 1944, kur mbi të u sulën si bishat me zjarr e hekur brigadat komuniste, u ngrit në një kryengritje heroike që do të zgjaste dy javë, nga Qafa e Kolcit, deri ne brigjet e lumit të Mërturit.

Në Tropojë e Shqipëri u vendos diktatura komuniste, binom i asaj fashiste, dhe për 50 vite brezat i vuajtën këtu tragjikisht pasojat e regjimit komunist në të gjitha fushat e jetës.

Thuajse çdo vit, deri në vitin 1990, në Nikaj Mërtur dhe në zona të tjera të Tropojës u kryen vrasje me dhe pa gjyq, u bënë mijëra arrestime, internime, u konfiskuan prona dhe u izoluan familje të tëra, pastaj u hoq e drejta e besimit, u shkatërruan institucionet e fesë.

Të nderuar pjesëmarrës!

Sipas dokumentave arkivor, në fund të vitit 1952 dhe fillim të vitit 1953 me porosi të diktatorit dhe ministrit të brendshëm, vetëm për Tropojën u hartuan lista për çdo lagje e fshat, për arrestime masive dhe internimin e 200-300 familjeve. Shumë nga të arrestuarit, u turturuan dhe u ekzekutuan pa dalë në gjyq…

Sot në këtë ditë të përkujtimit të krimeve të komunizmit në Tropojë, kujtojmë qëndresën legjendare të popullit të Malësisë tonë, që nuk u përkul, nuk u mposht, por qëndroi krenar para kombit e historisë.

Nga ky vend, ku u krye masakra më e madhe, dua t’u bëjmë homazh dhe një nderim të madh mijëra burrave e grave, që janë heronjtë e pavdekshëm të kësaj qëndrese mbinjerëzore.

Në piedestalin e historisë së Malësisë së Gjakovës do të qëndrojnë në jetë të jetës martirët e Hereçit, djemtë e Qereshit, Hoxhajt e Lushës e të Pacit, pasardhësit e Binak Alisë, Halucajt e Bujanit, Hoxhajt e Gashit, Gjocajt e Kolgecaje, Cubel Dinët e Bradoshnicës, Jahelezët e Dragobisë, fretnit legjendarë të Nikaj Mërturit, e shumë e shumë familje të tjera që qëndruan dhe nuk u mposhtën nga regjimi çnjerzor.

Diktatura komuniste, simbolet e së cilës po valviten edhe sot nga disa segmente të këtij pushteti, në 50 vite shkatërroi çdo gjë të bukur e fisnike, ajo tentoi të tjetërsojë shpirtin dhe karakterin e malësorëve, lufta e klasave, superkolektivizimi varfëruan njerëzit dhe i çuan në kufinjtë e mbijetesës.

Të nderuar pjesëmarrës!

Ne sot e filluam këtu, për të vazhduar këtë kujtesë në gjithë njësitë administrative dhe në fshatrat e Tropojës.

Kjo do të kthehet në një lëvizje të fuqishme për evidentimin e krimeve të komunizmit dhe demaskimin e fuqishëm të tyre, në të njëjtën kohë do të nderohen me të gjitha mënyrat e mundshme ato familje, ata burra e gra, ato fise legjendare, që qëndruan, duke i rritur nderin dhe zbardhë faqen popullit historik të Tropojës.

Vëllezer e motra!

Këto mësime e kujtime të dhimbshme, që i kemi perjetuar prej kohësh, por që po i përjetojmë edhe sot këtu, do të jenë një start i ri për bashkinë Tropojë, duke lexuar me më kujdes vuajtjen e së kaluarës, ne do të mund të njohim më mirë dhe hallet e sotme, varfërinë, papunësinë, problemet ekonomike e sociale, qe fatkeqesisht janë të shumta në zonën tonë.

Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të përmirësuar jetën e familjeve të të përndjekurve të diktaturës, të cilët ishin dhe mbeten krenaria e Malësisë së Gjakovës dhe e vendit.

Nderim ndër breza për martirët e 29 shtatorit 1946 dhe gjithë martirët që ranë përballë diktaturës komuniste!

Nderim përjetë për qëndresën legjendare të familjarëve të tyre !

Tropoja është vendi i lirisë, ajo do të mbetet gjithmonë fitimtare mbi diktaturat. Lavdi popullit të Tropojës!

Ju faleminderit!

 

Lekbibaj, 29 shtator 2018

____________________

Në qendrën e Njësisë Administrative Nikaj-Mërtur u përkujtua sot masakra e diktaturës komuniste të 29 shtatorit 1946, që ishte dhe fillimi i një seri ekzekutimesh me dhe pa gjyq, internimesh dhe persekutimesh të dhjetëra e qindra familjeve të Malësisë së Gjakovës. Me këtë rast u bë përurimi i përmendores me pllakën përkujtimore të qendrës antikomuniste të kësaj krahine. Në këtë veprimtari përshendeti dhe kryetari Bashkisë të Tropojës, z. Besnik DUSHAJ.