Nga korifejtë e letërsisë

Thomas Eliot, poeti që farkëtoi botëkuptimin e një gjenerate

Nga Albert Vataj

Poeti, dramaturgu dhe kritiku amerikan Thomas Stearns Eliot, sot mbush plot 130 vjet nga lindja. Gjurmët që la në letërsi janë të njëjta nga ato që ai la në botkuptimin e brezit të tij. Vetëm nëpërmjet vetmohimit dhe një pune këmbëngulëse, ai ka mundur t’ia shkul veten përditshmërisë rutinore për ta bashkuar atë më vërshimin uturitës të kumtit krijues.
Thomas Stearns Eliot ka lindur në Misuri, më 26 shtator të vitit 1888. Ka jetuar në St. Louis gjatë 18 viteve të para të jetës së tij. Gjeografia dhe ethet universitare do të zhvendosnin atë në Harvardit. Më 1910 u largua nga Amerika për të shkuar në Sorbornë. Prej atje u vendos në Paris ku qëndroi jo më shumë se 1 vit. U rikthye në Harvard për të ndjekur doktoraturën në filozofi. Gjatë qëndrimit në Londër u ndikua shumë nga bashkëkohësi Ezra Pound, i cili i pranoi poezitë e tij dhe arriti t’i botonte në disa revista më 1915. Libri i tij i parë me poema titullohet “Prufrock dhe vëzhgime të tjera”, i cili pa dritën e botimit më 1917. Me publikimin e “Tokës së humbur” më 1922, tashmë të konsideruar nga shumë studiues si vepra më poetike e shekullit të 21, reputacioni i Eliotit nisi të rritej jashtëzakonisht. Më 1930 dhe për 30 vitet e ardhshme, ishte figura më dominuese në poezi dhe kritikës letrare, kryesisht të vendeve anglishtfolëse. Si poet, transmetoi tërheqjen e tij për poetët anglezë të shekullit 17, veçanërisht John Donne dhe poetët simbolistë francezë ku përfshihen Baudelaire dhe Laforgue.
Poemat që la, në të shumtën e herëve lidhnin zhgënjimin e brezit të pasluftës me vlerat dhe traditën. Si kritik letrar, Thomas Stearns Eliot kishte padyshim një ndikim të madh në shijen letrare, duke parashtruar këndvështrime që bazoheshin në konservatorizmin shoqëror dhe fetar.
Poemat më të rëndësishme të Thomas Eliot përfshijnë “Frashëri i së mërkurës” (1930) dhe “4 kuartetet” (1943); librat e tij letrarë dhe shoqërorë përfshijnë “Druri i shenjtë” (1920), “Dobia e poezisë dhe e kritikës” (1933), “Pas perëndive të habitshme” (1934) dhe “Shënime drejt një kulture të përcaktuar (1940). Eliot ishte gjithashtu edhe një krijues dramash, si “Vrasësi në Katedrale”, “Ribashkimi i familjes” dhe “Festa e koktejit”. Ai u bë qytetar anglez më 1927; në shtëpinë botuese Faber@Faber botoi mjaft nga veprat e tij dhe më pas u bë drejtor i saj. Pas një martese të palumtur, Eliot u divorcua nga gruaja e tij e parë më 1933 dhe më pas u martua me Valerie Fletcher, më 1956. Tomas Eliot ka marrë çmimin Nobel për Letërsi më 1948. Vdiq në Londër më 1965. Tre vjet përpara se poeti të ndërronte jetë “The New York Times” do ta intervistonte atë në apartamentin e një të afërmi. Gjatë këtij rrëfimi thellësisht të çiltr, Tomas Eliot kumton se të shkruante poezi kishte nisur që në moshën 14 vjeçare, nën frymëzimin e Omar Khajam. Krijimtari e cila mbeti vetanake dhe personale. Mund të themi se këto strofa të zymta dhe ateiste ikën bashkë me adoleshëncën. Tentativa të këtilla do të vijonin edhe më pas, por vetëm përvoja e Harvardit do të behnin tek ai nëpërmjet “shpërthimeve të viteve të rinisë”. Megjithatë, për të nuk ishte e lehtë të ecje, të shënjoje. Ai rrëmoi dhe konsumoi shumë letërsi dhe shumë poetë, përvoja dhe tradita, shkolla dhe tendenca të ndryshme. Kësisoj po ndjente nevojën se po rendte, po rritej, por kumtonte Eliotin që do të njihte shumë shpejt gjithë letërsia, kryesisht ajo e vendeve anglishtfolëse. Miqtë dhe të njohurit, këmbëngulja e tij dhe puna vetmohuese, do të ndikonin në farkëtimin e personalitetit krijues.
Nga personat që do të hynin pa trokitur në jetën dhe botkuptimin krijues, që do të dirigjonin këtë harbim emocional krijues, ishte Ezra Pound, i cili i’a kishte lejuar vetes të vinte dorë mbi poemat e Eliot, duke e përligjur këtë me: “Nuk ka kuptim të përpiqesh të bësh diçka që e ka krijuar dikush tjetër. Bëj diçka ndryshe më mirë”. Është fjala për poemën “Toka e humbur”. Eliot qartësoi më vonë rreth këtij episodi, por më shumë rreth kësaj poeme, për të cilën u shigjetua nga kritika e asokohëshme, duke u cilësuar si “zhgënjimin e një brezi të tërë”. Ai e kishte mohuar të ketë qënë qëllim në vetvete kjo trajtesë. “Kam folur për qëllimet negative më shumë se për ato pozitive, për të thënë se nuk ishte qëllimi im ky. Pyes veten se çfarë do të thotë “qëllim”, kishte kumtuar. Njeriu kërkon të heqë nga kraharori diçka që e pengon. Ai nuk e di mirë se çfarë është ajo që dëshiron të heqë nga kraharori, derisa e heq më në fund. Por nuk mund të përdorja fjalën “qëllim” pozitivisht te ndonjë nga poemat e mia”, shtoi Eliot gjatë intervistës.
Tomas Eliot shquhet njëherash për injektimin e poemës në teknikën e vargjeve të lira, çliruar nga metrika, nga përkufizimet dhe precizioni, vrastare të rrjedhshmërisë së impresionit dhe vërshimit emocional. Ai e shpëtoi shpirtin e tij krijues nga kufizimi. Tatpjetën e këtij vërshimi uturitës e la të lirë, pra i dha me pash atë që rregullat dhe normat i’a kishin mohuar në pafundësi.
Një nga metodat e punës krijuese, ndoshta e veçme përnga dialektika e praktimit ishte se ai poemat i krijonte të copëzuara, për t’i trupëzuar më pas në një të vetme. “Burri i rremë” është një syresh i këtillë, sendërtuar kësisoj.
Makina e shkrimit do të ishte bashkëudhëtare në pjesën më të madhe të punës, por kjo nuk do të thotë se ai la mënjanë laps e letër. Jo, një pjesë e madhe e dramës sime “Burri i moshuar i shtetit” është krijuar me laps dhe letër, pa finesë, tregonte ai. Për ta hedhur më pas në makinë shkrimi, para se bashkëshortja t’i hidhte një sy. Ky proces natyrisht që shoqërohej me ripunim të një pjese të rëndësishme të tekstit. Kohëzgjatja prej 10 orëve të punës në ditë për të është optimale, por Eliot mbetet te kufizimi i këtij limiti kohorë në 3 orë, e mjaftuesh kjo për të nxjerr prej vetes diçka të bukur.
Ndërmjet poemës dhe dramës, Eliot konstaton mjaft pika të përbashkëta. “Në një poemë mund të thuash “I mora ndjesitë te fjalët brenda vetvetes. Tashmë kam barazinë e fjalëve brenda zërit tim, që është shumë e rëndësishme. Në dramë mendon për fillimin, kur arrin ta realizosh atë, kur përgatit diçka që do të shkojë në duart e një tjetri, që ti nuk e njeh kur je duke shkruar. Sigurisht që këto nuk janë momente kur të dyja afrimet mund të mos puqen, kur them se ideale do të ishte po të qaseshin. Të dyja janë në vetvete një” parashtronte Thomas Eliot.
Në rrugëtimin e përsosjes së punës krijuese në dramë ai ia lë në dorë precedentit. Për të ishte rëndësishme të kishe një të tillë. Për të gjëja më e rëndësishme është të kishe një producent që ka ndjesinë e vargut dhe mund t’i udhëheqësh ato në rrugën e duhur, që t’ia nisësh nga proza dhe t’i ndërlidhësh së bashku në qasjet e tyre.
Gjithsesi ai ishte dhe mbeti poet. Ngado që hodhi vështrimin dhe la gjurmë, nuk u nda nga fjala poetike, si në kritikë ashtu edhe në dramë, si në botkuptim ashtu edhe në mëmuar, të cilin shfletojmë sot. Për të prioritare e një poeti ishte të kritikojë në detaje krijimin fillestar, dhe s’andejmi të hidhje vështrimin tej në një horizont që e shquan kjartësisht dhe në një të përditshme që e ndjek në çdo hap dhe e përgjon në krejt frymëmarrjet e saj. Megjithatë për të nuk kishte gjë më të keqe sesa të përpiqeshe të formoje njerëzit nga ana kulturore, sipas imazhit tënd. Poetët nuk thirren në kushtrim nëpërmjet një formule, një perimetri të përcaktuar sipas një mëtimit të personalizuar. Krejçka është në lëvizje, vërshuese dhe e pandalshme, mendimet dhe kumtimet duhet të jenë gjithashtu përshkuese të këtij rrugëtimi rrapëllitës, ligjëronte ai.