”Shqipëria është vajzë, grua, nënë”, Hajdarmataj thirrje grave në pushtet

Drejtoresha e qendrës “Gratë në shërbimin publik” Mimoza Hajdarmataj i ka bërë thirrje të gjitha grave të pushtetshme, për t’i dalë në mbrojtje një bije shqiptarësh, Xhisiela Malokut. Nëpërmjet një reagimi në facebook, Hajdarmataj i drejtohet kryeprokurores Arta Marku, Avokates së Popullit, e Vasilika Hysit që të reagojnë për Xhisielën si dhe të gjitha vajzave të tjera shqiptare.

Reagimi i Mimoza Hajdarmataj:

THIRRJE për të gjitha gratë e pushtetshme, për t’i dalë në mbrojtje një bije shqiptarësh, Xhiselës, të dhunuar e të kërcënuar- sepse ato paguhen edhe me taksat e nënës së saj!

THIRRJA e parë për znj. ARTA Marku, të hetojë dhe të zbardhë sa më parë të vërtetën dhe autorët e dhunës së shumëfishtë të ushtruar ndaj Xhesilës- Krimi nuk duhet të ketë imunitet!

THIRRJA e dytë për Avokaten e Popullit, të veprojë me autoritetin e institucionit, për sigurinë dhe mbrojtjen e integritetit njerëzor të Xhiselës dhe familjes së saj!

THIRRJA e tretë për gratë zëvendësministren e Punëve të Brendshme, ndikoni të zbardhet e vërteta dhe mos e shtyni më në kanalet e manipulimit politiko mediatik!

THIRRJA e katërt për nënkryetaren e Kuvendit znj. Vasilika Hysi dhe të gjitha deputetet e Kuvendit- ndërhyni sa më parë për plotësimin e mekanizmave ligjzbatuese kundër dhunës.

THIRRJA e pestë për gratë e shoqërisë civile dhe medias- mos ta lëmë Xhiselën të vetme, një zë në shkretëtirë… Ti gjendemi pranë në dhimbjen dhe frikën e saj!

Mbrojini vajzat!
Mbrojini gratë!
Mbrojini nënat!
Shqipëria është ” vajzë”, ” grua”, ” nënë”.

Boll plagë ka marrë ky vend!