Shkëndija kërkon suksesin e rradhës në LPFM

Me ecuri prej pesë fitoreve të njëpasnjëshme në kampionat dhe Kupë, kuqezinjtë të dielën kërkojnë suksesin e radhës në LPFM kur përballen me Sileksin në Kratovë.

Pas triumfit 2:0 kundër Kit-Go nga Pehçeva, Shkëndija rikthehet në aksion në Ligën e Parë për përballjen si mysafire me një prej rivalëve më të preferuar, Sileksin. Kuqezinjtë kundër ekipit nga Kratova kanë bilans shumë pozitiv dhe tani kjo seri kërkohet të vazhdohet, nën entuziazmin e paraqitjes së fundit kampionale kur të dielën e kaluar u mund 6:2 Rabotniçki.

Pas vitit 2008, Shkëndija në 24 duele të zhvilluara numëron 21 fitore, ndërsa ka pësuar vetëm një humbje (3:1 në Kratovë në vitin 2015) dhe dy barazime (dy herë 1:1 në Kratovë në vitet 2010 dhe 2017). Sezonin e kaluar kuqezinjtë triumfuan në të katër duelet me Sileksin, ndërsa skuadra është e gatshme të japë më të mirën në duelin e parë mes veti të sezonit të ri. Pas ndeshjes të së mërkurës në Kupën e Maqedonisë, ekipi pushoi të enjten, ndërsa e premtja dhe e shtuna u shfrytëzuan për tu përgatitur për transfertën e vështirë me Sileksin.