Ursula von der Leyen në Shkup: Dëshirojmë ta ndërtojmë Evropën bashkë me ju

Ministrja gjermane e Mbrojtjes qendroi në Maqedoni, ku ndër të tjera mori pjesë në panelin e diskutimit organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer “Roli i shoqërisë civile gjatë procesit të integrimit në NATO dhe BE”.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen thotë se vendi i saj do ta mbështesë Maqedoninë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në NATO.  Dëshirojmë ta ndërtojmë Evropën së bashku me ju. Ne ndajmë të njëjtat vlera, ato janë demorkacia, sundimi i ligjit, dinjiteti i çdo individi, e drejta e shprehjes së lirë. Kur flasim sot për BE-në, flasim edhe për një politikë të përbashkët të mbrojtjes që duhet zhvilluar bashkë me partnerët e BE-së. Flasim për ndërtimin e një ardhmërie të përbashkët dhe këtë duam ta ndërtojmë me partnerët tanë në Maqedoni, u shpreh Ursula von der Leyen. Ministrja gjermane përkujtoi qytetarët e vendit se ndodhen para një shansi unik që duhet shfrytëzuar. Avancimi i perspektivës evropiane të vendit tuaj edhe më shumë do të thellojë lidhjet tona, tha ministrja gjermane, duke siguruar mbështetjen e plotë të qeverisë së saj.

“Së shpejti do të ketë një referendum, dhe jam në dijeni se ka të bëjë me emrin e shtetit tuaj, por ka lidhje edhe me kulturën, identitetin dhe historinë tuaj, megjithatë, ne shohim një shans të jashtëzakonshëm në këtë referendum. Ky është një shans, prandaj shpresoj që qytetarët e vendit të marrin pjesë aktive, ndërsa nga përvoja jonë me bashkimin e dy Gjermanive, mund të them se këto janë raste unikate që duhen shfrytëzuar. Edhe kur flas për shfrytëzimin e shansit dua të them se flas për Evropën e bashkuar, se dëshirojmë së bashku të vazhdojmë ta ndërtojmë Evropën me ju”, ka deklaruar von der Leyen.

Sipas ministres gjermane të Mbrojtjes kur bëhet fjalë për bashkëpunimin bilateral, dëshiron së bashku të ecim në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.

“Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në nivel bilateral lidhur me stërvitjet e përbashkëta, të cilat mund të zbatohen në bashkëpunim midis dy shteteve. Ofrojmë mundësi për thellimin e bashkëpunimit në sferën e trajnimit të kualifikimit të mëtejmë, por nënkuptohet edhe në planin material. Kur flasim për NATO-n mund të them se mendimet tona janë shumë të ngjashme dhe shumë të afërta por e kam ndjesinë sikur ju të jeni pjesë e NATO-s”.

Shekerinska: Jemi të gatshëm për në NATO

Ministrja maqedonase e Mbrojtjes, Radmila Shekerinska nga ana e saj rikujtoi mysafiren gjermane për zhvillimet të cilat i kanë paraprirë referendumit dhe shprehu bindjen se referendumi do të jetë i suksesshëm, për çka vendi tashmë ka filluar përgatitjet për bisedimet paraprake me NATO-n. “Nga momenti kur ne morëm ftesën për në NATO, krijuam ekipe për përgatitjen e institucioneve për këto negociata paraprake. Ekipet e NATO-s tashmë ishin në vendin tonë për çka në fund të këtij muaji do të mbahen takimet me përfaqësuesit e Aleancës së NATO-s në Bruksel. Bisedimet po zhvillohen sipas planit. Nuk shohim ndonjë çështje e cila mund të ngadalësojë procesin”, tha Shekerinska.

Shekerinska dhe von der Leyen morën pjesë edhe në panelin e diskutimit organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer me temë “Roli i shoqërisë civile gjatë procesit të integrimit në NATO dhe BE”.

Robertson: Dalja në referendum është imperativ për çdo qytetar

Kur isha Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s isha i detyruar që shtetin tuaj ta quaja FYROM, por ishte gabim. Kjo përgjithmonë mund të ndryshojë më 30 shtator. Marrëveshja me Greqinë e garanton identitetin, kulturën, gjuhën dhe e hap derën drejt Evropës. Vendimi është në duart tuaja, tani ose asnjëherë,kështu është shpreh  ish sekretari i përgjithshëm i NATO-s Xhorxh Robertson në një tribun të mbajtur me qytetarët e Manastirit. Do të ishte gabim t’ju them si të votoni, por votimi në këtë moment është imperativi më i madh dhe në këtë kuptim do ta theksoj një proverb i cili thotë “nëse nuk voton, atëherë nuk ke të drejtë të mendimit”. Lord Robertson porositi se vendimi është në duart e popullit të Maqedonisë dhe ai duhet të shfrytëzohet, tani ose kurrë.
“Me rëndësi është që secili të votojë, t’i bindni të gjithë. Fqinjët tuaj të dalin dhe të votojnë më 30 shtator”, theksoi Robertson./ Fatos Musliu / D.W./