Programi britanik i vëzhgimit masiv ka shkelur të drejtat e njeriut

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur që programi britanik i vëzhgimit masiv, i ekspozuar nga informatori, Edward Snowden, ka shkelur rregullat bazike të qytetarëve të këtij shteti.

Në vendimin e 13 shtatorit, Gjykata me seli në Strasburg, ka thënë se mbikqyrja përbën shkelje të privatësisë dhe lirisë së informacionit të përfshirë edhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në vendimin për rastin e dërguar nga një grup i gazetarëve dhe organizatave joqeveritare, gjykata ka thënë se përgjimi i pjesshëm ka qenë legjitim, mirëpo sistemi i zbuluar nga Snowden ka ofruar masa mbrojtëse të pamjaftueshme.

Më 2013, Snowden ka zbuluar se agjencia britanike e Inteligjencës, GCHQ, ka mbledhur fshehurazi komunikimet në internet në shkallë industriale.

Agjencia ka pasur qasje në to, ka filtruar të njëjtat dhe ka analizuar pjesën që i është dashur dhe që e ka konsideruar të nevojshme për sigurinë kombëtare.

Kjo agjenci ka pasur mundësi të marrë të dhëna dhe përmbajtje nga partnerë dhe kompani amerikane siç janë, Apple, Google dhe Facebook.