Instituti Statistikor i UNESCO-s: 750 milionë njerëz në botë nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë

Edhe pse numri i personave që shkruajnë e lexojnë është rritur ndjeshëm në 50 vitet e fundit, në mbarë botën ndodhen ende 750 milionë njerëz, dy të tretat e të cilëve janë gra, që ende nuk dinë të shkruajnë e lexojnë.

Sipas të dhënave të Organizatës Arsimore, Shkencore dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), gjatë 50 viteve të fundit shkalla e shkrim-leximit në mbarë botën është rritur ndjeshëm, sidomos në popullatën me moshë të re. Megjithatë, UNESCO ka tërhequr vëmendjen se 750 milionë njerëz në botë ende nuk e kanë këtë formim.

Teksa vihet theksi se gratë përbëjnë dy të tretat e personave që nuk dinë shkrim-lexim, bëhet e ditur se 45 përqind e personave që nuk dinë shkrim-lexim jetojnë në Azinë Jugore, 27 përqind në Afrikën Sub-Sahariane, 10 përqind në Azinë Lindore dhe Juglindore, 9 përqind në Afrikën Veriore dhe Azinë Perëndimore dhe 4 përqind në Amerikën Latine dhe Karaibe.

– Rritje në normat e shkrim-leximit

Sipas Institutit Statistikor të UNESCO-s, rritja më e madhe në normat e shkrim-leximit në vitet e fundit është arritur në Azinë Lindore dhe Jugore dhe Afrikën Veriore dhe Perëndimore, ku shkrim-leximi është shumë prapa.

– Në disa vende niveli i shkrim-leximit nuk është në nivelin e dëshiruar

Me rritjen e mundësive arsimore sot më shumë të rinj janë në gjendje të lexojnë dhe të shkruajnë.

Instituti Statistikor i UNESCO-s ka theksuar se shkalla e shkrim-leximit në mesin e të rinjve është rritur nga 83 për qind në 91 për qind dhe se numri i të rinjve analfabetë, i cili ishte 170 milionë në vitin 1996, është ulur në 102 milionë në vitin 2016.

Sipas UNESCO-s, 50 vjet më parë, teksa një e katërta e të rinjve 15-24 vjeç nuk dinin shkrim e lexim, theksohet se sot kjo shifër është më pak se 10 përqind e kësaj grupmoshe. Përkundër kësaj, shkalla e shkrim-leximit në mesin e të rinjve në disa vende, veçanërisht në Afrikën Sub-Sahariane dhe Azinë Jugore, ende nuk është në nivelin e dëshiruar.

Pothuajse të gjithë të rriturit në Azinë Qendrore dhe Lindore, në Evropë dhe Amerikën e Veriut dinë të shkrujnë dhe lexojnë. Krahas këtyre rajoneve, shkrim-leximi i të rinjve në Amerikën Latine dhe në Karaibe është gjithashtu i avancuar.AA