Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues
1.
Që në fillim, do t’u tregoj për një rastësi të thjeshtë e që mua më la mbresa të bukura…Kështu, në një takim të radhës, në lokalin “Galaxy”, aty ku fillon Bulevardi i Ri i kryeqytetit tonë, krijuesi e autori i njohur, por dhe miku i pandarë Përparim Hysi ose “Papi”, siç i themi ne, më solli një libër të ri. Autore e tij është mikja e kahershme, poetja Eleonora Gjoka ose Elko Qeparoi, me banim në Amerikë.
Pikërisht ky libër u bë edhe shkaku kryesor, se përse po i shkruaj këto radhë, më tepër në mënyrë paraqitëse, pra jo duke bërë analiza ose komente, si për poezitë ose shkrimet e ndryshme.
Duke ma dorëzuar librin, “Stafeta e dashurisë”(Buqetë poetike), Athinë-Nju Jork-Himarë”, botuar nga “ Edlora“ e kryeqytetit tonë, me administratore Edlira Kamen, “Papi” më paralajmëroi se aty kishte një poezi timen modeste, kushtuar mbesës Dorelë, kur ajo ishte 8-vjeçare, pra që më 2011, si dhe një shënim timin të thjeshtë, për gjuhën tonë të bukur amtare. Të jem i sinqertë, unë gati e kisha “harruar” atë vjershë, pasi nuk jam i kësaj fushe dhe kisha bërë një përjashtim, duke i hedhur në letër ato radhë.
2.
Në pjesën e brendshme të kapakut të këtij libri, me 186 faqe, jepet shkurtimisht jeta e autores, Elkos. Ndër të tjera, aty thuhet: “Aftësitë poetike, të trashëguara nga të parët dhe vendlindja e saj e bukur, i ka kultivuar me vullnet e pasion qysh nga mosha e re e në vijim…Elko është autore e një vargu botimesh letrare-artistike e shkencore, ndërmjet të cilave spikasin edhe tre vëllime me poezi”.
Këtë botim të ri, ajo ua kushton: të parëve të Bregdetit; nipave e mbesave të veta; gjyshërve të saj; kolegëve dhe poetëve bashkëkohës…Në vazhdim, ka bërë vetë një “Hyrje”, për tërë vëllimin poetik.
Pjesën e parë e ka titulluar “Dashuria për nipër e mbesa”. Fillon me poezinë “Jeta dhe stafeta” dhe vijon me: “Kur qesh famija”, “Emelia”, “Diçka për Elkon poete” dhe “Elleonorës së vogël”, “Kur ndodhemi midis…”, “Mirë se erdhe vogëlush, Akil!”, “Pagëzimi i Akilit” e “Akilit tonë”. Gjithnjë duke ua kushtuar poezitë e saj vogëlushëve, lexojmë: “Sa shpejt u rrite!”, “Tre fëmijët e vajzës”, “Nipçes”(Përgjigje Elkos, nga gjyshi P.J.Pali), “Gjyshër &Nipa e mbesa”, “Gjyshi Kostantin”, “Gjyshet” (Përgjigje poezisë së Elkos, Julit etj.,nga Medi Kelmendi) e “Elko përshendet Petraq J.Palin”.
Vërejmë se në këtë pjesë të librit, kjo autore ka botuar dhe poezi nga disa kolegë e miq të saj.
Më tej, Elko ka publikuar disa poezi të frymëzuara, si: “Jam nënë, muzë dhe poete”, “Nipit, Krist-Daniel Koka”, “Nipit tim” e “Nipit në Skype”, “Odetës, urim për Emmelian”, “Gëzuar 2 vjetët, Nora junior!”, “Mbesës Sienna” dhe “Emmelia ime”.
Në pjesën e dytë janë botuar poezi nën titullin, “Respekt, të parëve tanë!”. Sigurisht, secila poezi ka vlerat e bukurinë e saj. Ndërsa po përmendim vetëm ndonjërën prej tyre. Te poezia “Gjyshja ime, Nora”, shprehet me dashuri: “Gjyshja qe grua e rrallë,/faqe rozë, lekurë bardhë./Ishte e ëmbël, ishte e butë,/ qe e qeshur e fjalëurtë…”. Domethënëse është edhe poezia “Gogua dhe fiku”.Përsëri autorja ka botuar poezi nga kolegë e miq të tjerë të saj.
Një vend me rëndësi në këtë libër Elko i ka lënë poemës me titullin “Gjyshit tim legjendar, Dukë Todhrit” dhe poezisë “Nëna ime”.Ndërsa një shkrim të veçantë ka në vazhdim Petraq J.Pali, “Barba Duka”. Po në prozë, Elko ka botuar “Gjyshi, Petro Koka-Tenet” dhe një poezi për gjyshen Eleonorë. Në vijim, Elko ka botuar shkrimin “Nënave&Gjysheve”(Me rastin e botimit të antologjisë së përbashkët, “Nënave) dhe “Një natë buzë greminës…”.
Në faqet e fundit të këtij libri, janë “Edhe 4 penelata, nga portreti i pafund e anë, i gjyshërve…” dhe në vazhdim, “Studim për lidhjen mes tre brezave”.
Mbyllja bëhet me një jetëshkrim të Elkos dhe me vlerësime e opinione, nga rrethi shoqëror e miqësor i saj.
3.
Duke kërkuar mirëkuptimin e lexuesve, më poshtë po i shënoj, siç janë në këtë libër, tri strofa të poezisë për mbesën Dorelë dhe shënimin tim, për gjuhën tonë të bukur amtare:
KA DITËLINDJEN, MBESA DORELË!
Kemi ditëlindjen e mbesës Dorelë,
sot i ka mbledhur flokët kaçurelë…
Është Marsi i gëzimeve e urimeve,
njerëz të dashur, shumë përqafime!
……………………………………
Si pa kuptuar, na ikën këto tetë vjet,
shpejt Dorela hyn në klasën e tretë;
na kënaq me buzëqeshje e përkedheli
dhe ne, gjyshërit, ajo na bën më të rinj.
…………………………………..
Do të rrjedhin vitet, si uji i Valbonës,
mbesa Dorelë gjithnjë do na kujtojë,
sa fort e deshëm dhe iu përkushtuam,
gëzime e lumturi ne jetë, ne i uruam!…
Tiranë, 11 mars 2011
(Nga libri i Elkos, faqe 47-48 )
……………………………………………
GJUHA E BUKUR SHQIPE…
“…Politikanë e shtetarë të ndryshëm, mund të dinë disa gjuhë të huaja. Por nuk është e udhës që të dalin nëpër TV-të dhe të flasin me fjalë “të mëdha”, me shprehje e terma të huaja të panevojshme, kur ato i kemi ne, burimore tonat, shumë të qarta e të bukura.
Ku ka më bukur, se poezia e krijueses në Amerikë, (c) ELKO=Eleonora Gjoka, kur këto ditë i kushton një krijim të saj, gjuhës sonë amtare. Aty, ajo shkruan:
GJUHA JONË…
Kudo që shkuam, njohëm gjuhë të tjera,
po fuqia jote jep dritë, shkreptin si reja;
nga ti njohëm ligjet, kuptuam gjithësinë,
ke zanafilln e gjenezës, aty gjen Ilirinë!
(Nga faqja 178, e librit të Eleonora Gjokës (Elko N.Qeparoi), “Stafeta e dashurisë”(Buqetë poetike), Athinë-Nju Jork-Himarë”, Tiranë, 2018)
…Në mbyllje, nuk më mbetet gjë tjetër, vetëm ta përshëndes dhe ta uroj nga larg, miken poete Eleonora Gjoka (Elko), si për këtë libër e krijimet tjera të saj, dhe posaçërisht, që ajo më ka bërë pjesë të tij! Shëndet e mbarësi, me krijimtari të frytshme, me gëzime e lumturi, si vetjake dhe familjare!
-Mirësevjen, përsëri, në Shqipëri, mike poete Elko!
Tiranë, 6 shtator 2018