Receta e ditës/ Pulë e mbushur me fruta dhe gështenja

Për pulën nevojiten:

1 pulë
5 lugë gjelle gjalpë
1 lugë gjelle mustardë
1 lugë kafeje rigon
Lëkura e grirë e 1 limoni

Për mbushjen nevojiten:

2 lugë gjelle gjalpë
1 qepë e prerë hollë
2 degë seleni të prera hollë
1 mollë e pastruar nga lëkura dhe e prerë në kubikë të vegjël
6 kumbulla të thata pa bërthamë
Lëng dhe lëkurë e grirë e 1 portokalli
6 kajsi të thata pa bërthamë
10 gështenja të ziera e të pastruara
1 ½ verë e kuqe e ëmbël
5 feta buke tosti
Kripë e piper

Përgatitja:

Në fillim, përgatisni mbushjen: tretni gjalpin dhe kaurdisni në të qepën, selenin dhe mollët. Në vazhdim, shtoni lëngun dhe lëkurën e grirë të portokallit si dhe gjysmë filxhan çaji verë. Rregullojeni masën me kripë e piper dhe lëreni të ziejë për 7-8 minuta. Prisni hollë frutat e thata dhe gështenjat. Pritini fetat e bukës në kubikë të vegjël. Hidhini në tenxhere, përziejeni mirë dhe hiqeni tenxheren nga zjarri. Lëreni mbushjen të ftohet.

Në vazhdim, përgatitni pulën. Përzieni mustardën me gjalpin, lëkurën e grirë të limonit dhe rigonin. Rregullojeni pulën me kripë e piper. Ngrini lehtë lëkurën nga ana e barkut dhe shtroni përzierjen e gjalpit dhe mustardës ndërmjet lëkurës dhe mishit, duke u përpjekur që të mbuloni gjithë sipërfaqen nga gjoksi deri te kofshët.

Vendosni mbushjen në barkun e pulës dhe nëse ju tepron pak, vendoseni në tepsi rreth e përqark pulës. Spërkateni pulën me verën e mbetur, shtoni 1 filxhan çaji ujë dhe piqeni në furrë me temperaturë 200°Celsius për rreth 1 ½ orë, duke e kthyer nga të gjitha anët që të piqet në mënyrë homogjene.