Kosovë-Serbi, Meta: Jo ndryshimit të kufijve

Presidenti Ilir Meta u shpreh sot kundër idesë së rishikimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, si pjesë e një marrëveshjeje që do t’i jepte zgjidhje problemeve mes dy vendeve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Në një intervistë për gazetën Albanian Daily News, zoti Meta thekson se “Dialogu Serbi-Kosovë është ndërtuar jo për të ndryshuar realitetin, por për të udhëhequr procesin e pranimit të tij, në emër të paqes e stabilitetit. Ai është parakusht për integrimin evropian të të dy vendeve. Çdo diskutim dhe debat që ndihmon në kuptimin dhe pranimin e këtij realiteti është i mirëpritur. Çdo devijim nga ky realitet, përveçse provokon emocione dhe retorika populiste nuk sjell dobi”.

Presidenti Meta vë në dukje se “sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është realitet i njohur dhe i pranuar tashmë nga një shumicë bindëse e vendeve anëtare të OKB-së. Kosova është sot anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare dhe rajonale”, shprehet Kreu i Shtetit shqiptar duke shtuar se Pavarësia e Kosovës ka qenë “një nga investimet më të mëdha dhe të suksesshme” të BE-së dhe SHBA-së në Ballkan “dhe në vijimësi vendosja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve dhe të stabilitetit, paqes dhe sigurisë afatgjate në rajon”.

Presidenti shqiptar nënvizon se e ardhmja Serbisë dhe Kosovës është Bashkimi Europian. “Modeli dhe parimet e bashkëjetesës, harmonisë dhe paqes mes vendeve të Bashkimit Evropian është modeli i shkrirjes dhe zhdukjes së kufijve shtetërorë, veçanërisht atyre etnikë. Kështu e shikoj edhe unë procesin e integrimit të rajonit tonë në BE: drejt bërjes të parëndësishëm të kufijve dhe jo drejt imponimit të kufijve të rinj”, thotë zoti Meta, sipas të cilit “çdo tentativë për të imponuar modele të ndryshimit të kufijve, jo vetëm do të cënonte stabilitetin e rajonit por do të vinte në rrezik edhe frymën dhe parimet e BE-së për të cilat ajo është investuar nga themelimi i saj deri sot”.

Presidenti Meta thekson se “Shqipëria gjithmonë ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fortë e procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA dhe përfundimi i këtij dialogu duhet ta bëjë rajonin më të qetë dhe qytetarët tanë më të sigurtë për të ardhmen e tyre. Për Shqipërinë – shton ai – është i një rëndësie të veçantë respektimi i parimeve bazë të sanksionuar në Kartën e Helsinkit dhe të Parisit të OSBE për sigurinë në Europë, veçanërisht parimi i mos-ndryshimit të kufijve”.