Komiteti LIBE diskuton të mërkurën çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën

Komiteti i Bashkimit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) pritet që të mërkurën, më 29 gusht, të diskutojë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, do të udhëtojë drejt Brukselit, me ç’rast ka paralajmëruar se do të zhvillojë takime me zyrtarët e BE-së në lidhje me përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.

Hoxha tha pas takimit të Këshillit Ndërministror për Integrim Evropian se pret mbështetje nga ky Komiteti LIBE për të kaluar çështje e liberalizimit të vizave në Parlamentin Evropian.

“Nesër dhe pasnesër do të mbahet takimi i komitetit LIBE, dhe unë do të jem që nga sot në Bruksel me ç’rast do të takohem me eurodeputeten dhe raportuesen për liberalizimin e vizave me Kosovën, Tanja Fajon dhe presim lajme të mira që në LIBE që çështja e vizave për Kosovën të miratohet dhe të kalojë ky proces e të kaloj në hapin e radhës që është miratimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian”, tha ministrja Hoxha.

Pas rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian, diskutimi në Komiteti LIBE paraqet nisjen e fazës finale të përmbylljes eventuale të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, duke e adresuar më pas çështjen në Parlamentin Evropian.