Roli i arsimit në formimin e vetëdijes kombëtare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX

Nga doktorant Nikollë Loka

 

Përmbledhje
 
Nacionalizmi ballkanik lindi si fenomen kulturor dhe politik i kufizuar në qarqet e ngushta të elitave të shkolluara dhe kishte filluar si lëvizje kulturore e mësimit të gjuhëve kombëtare dhe historisë së popujve, si parakusht për të formuar vetëdijen kombëtare të tyre. Reformat e Tanzimatit, që Perandoria ishte detyruar të ndërmerrte në tërë hapësirën e saj, për shqiptarët nuk prodhuan efekte pozitive, sepse duke qenë popull plurifetar, ata nuk përfituan nga shërbimet që shkolla dhe arsimi në këtë periudhë po i bënin formimit të vetëdijes kombëtare te popujt e tjerë.
Edhe nacionalizmi shqiptar, si nacionalizmi ballkanik, lindi fillimisht si nacionalizëm etnik dhe kulturor për të kaluar pastaj në nacionalizëm politik. Përderisa te shqiptarët feja dhe kombësia nuk përputheshin, udhëheqësit e tyre u përpoqën të zhvillonin ato aspekte të kulturës kombëtare që ishin të një natyre jofetare, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të realizonin bashkimin kombëtar. Theksi u vu te gjuha e përbashkët, që mund të shërbente si një hallkë ndërlidhëse ndërmjet grupeve të ndryshme krahinore e fetare.
Hyrje
 
Në këtë artikull do të parashtrojmë zhvillimin e arsimit shqip dhe ndikimin që ai pati në formimin e vetëdijes kombëtare.
Zgjimin kombëtar të shqiptarëve e kam parë si një dukuri të përbashkët ballkanike, në kushtet e përpjekjeve të rajonit për t’u çliruar nga pushtuesit osmanë dhe për të krijuar shtetet kombëtare. Nisur nga ky këndvështrim, Rilindja Kombëtare Shqiptare ka ngjashmëri me rilindjen e popujve të tjerë, por për shkak të veçorive kombëtare, zgjimi kombëtar i shqiptarëve erdhi me vonesë në kohë.
Nacionalizmi kulturor në Ballkan dhe veçoritë shqiptare
 
Nacionalizmi ballkanik lindi si fenomen kulturor dhe politik, i kufizuar në qarqet e ngushta të elitave të shkolluara (Rrapaj, Kolasi, 2013: 196), së pari si lëvizje kulturore e mësimit të gjuhëve kombëtare dhe historisë së popujve, si parakusht për të formuar vetëdijen kombëtare (Frashëri, 2008: 13). Karakteristika e parë e jetës kulturore të popujve të Ballkanit ishte drejtimi i fortë kombëtar, që përfshinte synimin e krijimit të shteteve të pavarura me bazë kombëtare (Jevalich, 2004: 245). Nacionalizmi në Ballkan u zhvillua në kushtet e ndërlidhura (politike, shoqërore dhe kulturore), në mungesë të borgjezisë, shoqërisë sekulare dhe të klasës së re shoqërore, që del kundër rendit të vjetër dhe heret a vonë e paraqet veten si përfaqësuese e të gjithë kombit (Rrapaj, Kolasi, 2013: 196). Duhet theksuar se grekët, shqiptarët, bullgarët, serbët dhe rumunët si etni në Perandorinë Osmane, ishin krejtësisht të qartë për diferencat në mes tyre (Roudometof, 1998: 12). Kështu, në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë Konstantinos Paparrigopulos solli në vëmendje të kaluarën bizantine të Greqisë, duke argumentuar se helenizmi (greqizmi) përmbante elemente klasike dhe të krishtera që plotësonin njëri – tjetrin. Është e natyrshme që themeluesit e nacionalizmit shqiptar ta kërkonin identitetin kulturor shqiptar te gjuha (Doja, 2000) dhe përnjimend, pothuajse gjithçka tjetër në Shqipëri ishte faktor ndarës më shumë se unifikues (Buda etj., 2002: 247). Megjithatë, çështja shqiptare ishte në disavantazh të dukshëm në krahasim me çështjet kombëtare të fqinjëve të saj, sepse nuk kishte traditë të gjuhës së shkruar. Zhvillimi dhe përhapja e gjuhës dhe letërsisë shqipe të shkruar do të bëhej gurthemeli i nacionalizmit shqiptar.
Fillimi i zgjimit kombëtar shqiptar, e njohur më mirë si Rilindja Kombëtare Shqiptare, filloi gjatë viteve 1830-1840. Një vështrim rreth origjinës tregon se, së paku në fillim, Lëvizja Kombëtare Shqiptare, gjatë fazës së saj të afirmimit, nuk ndryshonte prej lëvizjeve të tjera kombëtare në rajon. Të përmbledhura shkurt, kërkesat e saj ishin: Krijimi i një kombi “organik”, kulturalisht dhe gjuhësisht homogjen; transformimi i “etnisë” pasive në një komunitet aktiv etno-politik; kthimi i gjuhës së folur nga njerëzit në gjuhë të mësimit; përcaktimi i alfabetit, gramatikës dhe fjalorëve; sigurimi i njohjes ndërkombëtare të vendit, me kufij të përcaktuar qartë; kërkesa për autonomi administrative (Misha 2002: 34).
Kushtet në të cilat u zhvillua Rilindja Kombëtare Shqiptare
 
Shekulli XIX i gjeti shqiptarët si një nga popujt më të prapambetur dhe më të izoluar. Atyre u duhej të kapërcenin pengesa që fqinjtë e tyre i kishin kapërcyer ose nuk i kishin hasur kurrë. Nga ana tjetër, disa nga politikat osmane u aplikuan mbi të gjithë popujt e Ballkanit, ndërsa të tjerat vetëm mbi shqiptarët. Osmanët bënë ndarjen e njësive administrative, pa marrë parasyshë përbërjen etnike, prej të cilës shqiptarët u ndanë në katër vilejete të ndryshme. Nga ana tjetër, te shqiptarët feja nuk ishte e lidhur me kombësinë, si në shumicën e vendeve të tjera të Ballkanit (Fisher, 2013: 1), prandaj ndarja e shoqërisë otomane në bazë të kritereve fetare e vështirësoi dhe e vonoi bashkimin e shqiptarëve. Këtë patën parasysh rilindasit që shtruan nevojën për të mos vënë re dallimet fetare (Dujizings, 2002: 70). Ndryshe nga grekët, serbët, rumunët dhe bullgarët, të cilët, në saj të fesë së njëjtë, njiheshin si kombe të veçanta dhe askush nuk ua kishte mohuar në parim të drejtën për formimin e shtetit kombëtar më vete, për shqiptarët e ndarë në disa rite fetare rivale, opinioni europian e kishte disi të vështirë të kuptonte se ata përbënin një komb të veçantë (Frashëri, 1997: 84). Trajtimi i shqiptarëve si tri bashkësi, “tri milete” të veçuara fetare dhe bashkëngjitja e tyre me milete etnikisht të huaja (turke, greke, slave dhe latine) përmbante rrezikun e një zhvillimi kulturor dhe shoqëror të veçuar nga njëri-tjetri. Kjo gjendje i hapte rrugën humbjes së identitetit kulturor dhe kombëtar(Shpuza, 2001: 151).
Reformat e Tanzimatit, që Perandoria ishte detyruar të ndërmerrte në tërë hapësiren e saj, për shqiptarët, nuk dhanë efekte pozitive. Duke qenë popull plurifetar, shqiptarët nuk përfituan nga shërbimet që shkolla dhe arsimi në këtë periudhë po i bënin formimit të vetëdijes kombëtare te popujt e tjerë. Shqiptarët detyroheshin të arsimoheshin sipas fesë së tyre në turqisht, greqisht ose italisht.
Sulltani, nën presionin e Fuqive të Mëdha, lejoi hapjen e shkollave të huaja, të cilat krahas synimeve arsimore, realizonin përhapjen e nacionalizmave të këtyre popujve, si një hap i parë që do t’u paraprinte pretendimeve të reja territoriale të shovinistëve fqinj në vitet e mëvonëshme. Në vitin 1892, në të katër vilajetet shqiptare kishte më shumë se 1000 shkolla greke, 40 shkolla vllahe, 200-300 serbe dhe bullgare dhe vetëm 2 shkolla shqipe (Ditërrëfenjësi, 1900: 153-154). Sipas statistikave të viteve të fundit të shekullit XIX, në të katër vilajetet e athershme kishte 1187 shkolla turke, nga të cilat 1125 shkolla fillore, 57 shkolla qytetëse (ruzhdije) dhe 5 shkolla të mesme (idadije) (Buda etj., 2002: 247). Në interes të Perandorisë, Sulltani e kishte bërë të detyrueshëm arsimimin në gjuhën turke ose arabe te myslimanët, pavarësisht nga prejardhja e tyre kombëtare. Shpresohej se një frymë e njëtrajtshme feje dhe gjuhe shtetërore do të mund të krijonte një barrierë ndërmjet elementëve të krishterëve e myslimanë (Jevalich, 2004: 209-210, Skëndi, 2000, 129).
Përballë rrezikut të asimilimit që vinte nga shkollat e huaja, rilindasit intensifikuan përpjekjet për themelimin e arsimit në gjuhën shqipe. Konstandin Kristoforidhi ishte shprehur: “Në qoftë se gjuha shqipe nuk do të shkruhet, për një periudhë të shkurtër, nuk do të ketë më shqiptarë mbi sipërfaqen e tokës dhe emri i Shqipërisë do të zhduket nga faqja e dheut” (Vickers, Pettifer, 2000: 46). Prandaj rilindasit e shihnin mësimin në gjuhën shqipe dhe shpërndarjen e librve shqip si mjetin më të mirë për zgjimin kombëtar.(Vickers, Pettifer, 2000: 44).
Përpjekjet për arsimin shqip
 
Eshtë pohuar shpesh në literaturën e huaj se në periudhën pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit shënohet një pauzë në historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare dhe rrjedhimisht kjo kohë paraqitet “e bardhë” në historinë diplomatike të çështjes shqiptare (Puto, 2003: 39). Në të vërtetë, kjo fazë pasqyron një formë tjetër të zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare, përpjekjen për ndërtimin e identitetit kombëtar. Në këtë kohë, arsimi dhe kultura bëhen objektiva të fuqishme për Lëvizjen Kombëtare. Problemi i arsimit shqip ka qenë një shqetësim i madh i udhëheqësve atdhetarë shqiptarë në periudhën mbas Lidhjes, si në çështjen e gjuhës dhe atë të alfabetit. Sami Frashëri e ka shprehur përmbledhurazi këtë shqetësim në librin e tij mbi Shqipërinë që u botua nga fund i shekullit: XIX: “Shqipëria nuk mund të ekzistojë pa shqiptarët, shqiptarët nuk mund të ekzistojnë pa gjuhën shqipe, dhe kjo e fundit nuk mund të ekzistojë pa alfabetin e vet dhe pa shkolla” (Skëndi, 2000: 127). Sipas tij “ Shqipëria nuk do të mund ta shpëtonte kombësinë dhe gjuhën e saj, po qe se Turqia do të vazhdonte t’i ndalonte shqiptarët të themelonin shkollat e tyre amtare, ndërsa lejonte kombësitë e tjera, armike të saj dhe të Shqipërisë të vepronin si t’u pëlqente. Po të vazhdonte sundimi turk, me kohë nuk do të mbetej gjurmë Shqipërie” (Skëndi, 2000: 160). Edhe Abdyl Frashëri do të trajtonte në shtypin turk të kohës idenë se “shqiptarët formonin një kombësi më vete, në saj të bashkësisë së tyre gjuhësore, territoriale, kulturore dhe historike, dhe si të tillë ata gëzonin të drejtën supreme për vetëvendosje.” (Pollo, Pulaha, 1989: 155).
Programi politik i Rilindjes shqiptare filloi me kërkesën për sigurimin e së drejtës më elementare, – atë të mësimit të gjuhës shqipe (Pollo, 2003: 211). Në Kanonizmën e “Shoqërisë të të shtypurit shkronja shqip” theksohej roli i kulturës në zhvillimin e një kombi: “Gjithë sa kombe janë të ndrituarë dhe të qytetëruarë janë ndrituarë dhe qytetëruarë prej shkronjash ndë gjuhë të veta” (AQSH, F.101, D.48, fl. 66).
Lëvizja kulturore shqiptare filloi me intelektualë të huaj dhe u pasua nga intelektualë shqiptarë që jetuan jashtë hapësirës gjeografike shqiptare. Me kalimin e viteve, interesi i studiuesve të huaj për gjuhën shqipe, prejardhjen dhe historinë e shqiptarëve u shtua edhe më tepër (Clayer, 2009: 144; Puto, 2013: 89). Duke u interesuar për Shqipërinë, studiuesit perëndimorë studiuan lashtësinë, gjuhën, traditat dhe zakonet shqiptare në origjinalitetine tyre, ku vunë në dukje lashtësinë, autoktoninë, origjinalitetin e kulturës shqiptare, duke dhënë shumë argumente në favor të çështjes kombëtare të shqiptarëve. Kthimi te origjina ishte i domosdoshëm për ta bërë më të lehtë identifikimin e Shqipërisë si komb i pavarur (Gut, 2008: 92).
Të parët që i përdorën teoritë nacionaliste rreth shqiptarëve qenë arbëreshët. Brenda kësaj ideologjie të re albaniste, intelektualët arbëreshë u orvatën të gjenin rrënjët e tyre të lashta dhe t’i përdornin ato si një argument për të kërkuar dhe mbështetur të drejtën e kombit shqiptar për t’u çliruar nga osmanët, ashtu siç ishte vepruar me të gjithë popujt e Evropës Juglindore që gjendeshin nën sundimin osman. Në funksion të këtij qëllimi, ata i gjetën rrënjët te popujt më të lashtë jo-grekë të Ballkanit, pra te pellazgët dhe ilirët. Duke i mëshuar dy elementëve kryesore të identitetit – siç ishin gjuha dhe kultura, – arbëreshët përqafuan lëvizjen e romantizmit në rrafshin politik. Ata e shtruan të parët në Evropë çështjen shqiptare, ndërsa në rrafshin letrar u bënë themeluesit e letërsisë moderne shqipe (Altimari, 2012: 13).
Arsmimi në gjuhën amtare, për popullsinë myslimane e ortodokse ishte jashtëzakonisht i vështirë. Shumë peticione i qenë drejtuar Sulltanit, nganjëherë edhe Fuqive të Mëdha, për hapjen e shkollave shqiptare, por më kot. Sulltani i kundërvihej në parim çdo lëvizjeje kombëtare të popullsisë shqiptare, veçanërisht të pjesës së saj myslimane (Skëndi, 2000: 129).
Perandoria Osmane nuk i lejoi shkollat në gjuhën shqipe edhe pas dekretit perandorak (Hatt-i- Humayun, 1856), kur me ligj, të gjithë popujt e Perandorisë kishin trajtim të barabartë në arsim. Portës së Lartë dhe Patrikanës së Stambollit iu interesonte t’i mbante shqiptarët të përçarë fetarisht (Skëndi, 2000: 26-27).
Edhe Patrikana e Stambollit i kundërvihej gjuhës dhe arsimit shqip për ortodoksët, sepse kjo donte të thoshte humbjen e ndikimit të saj, që do të shkonte ndoshta deri në krijimin e një kishe shqiptare të pavarur. Patrikana punoi me këmbëngulje për hapjen e shkollave greke, deri në fshatrat më të largëta, duke ia kaluar edhe shtetit. Në vitin 1882, në vilajetin e Janinës, ku kishte një përqëndrim të popullsisë ortodokse, të përbërë nga 532 000 vetë, kishte një total prej 23 368 studentësh në 665 shkolla greke, ndërsa popullsia myslimane prej 104 239 vetësh të seksit mashkullor-(vajzat myslimane nuk shkonin në shkollë) kishte vetëm 559 studentë (Skëndi, 2000: 130).
Ndërmjet katolikëve në veri, çështja e shkollave kishte gjetur njëfarë zgjidhjeje me anën e Kultusprotektoriatit, që Austria kishte fituar rreth tre shekuj më parë në Traktatin e Vjenës (1616) dhe pastaj e kishte përtërirë e zgjeruar me traktate e dekrete të mëvonëshme që i jepte të drejtë Vjenës të angazhohej me ndërtimin e riparimin e kishave katolike dhe të shkollave. Në vitin 1848, Perandoria Habsburge futi gjuhën amtare shqipe në shkollat e saj (Shllaku, 2002: 64).
Politika e Monarkisë dualiste, siç përsëritet shpesh në raportet e Ministrisë së saj të Punëve të Jashtme, synonte mbështetjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve nëpërmjet kulturës së tyre kombëtare, me qëllim që të formohej një Shqipëri e bashkuar, si kundërpeshë ndaj sllavëve (Skëndi, 2000: 128). Me qëllim që të dobësonte ndikimin kulturor italian që po rritej dhe për të forcuar ndikimin e vet, Austro-Hungaria bëri “nacionalizimin” e shkollave katolike në Shqipëri, duke zëvendësuar në mjaft prej tyre gjuhën italiane me shqipen. Ndonëse në masë më të kufizuar, edhe Italia u detyrua ta vërë mësimin e shqipes në shkollat e saj në Shqipëri (Dedja etj., 2003: 137). Për t’iu kundërvënë ndikimit austriak, italianët, aty nga fund i shekullit të nëntëmbëdhjetë, filluan të themelojnë shkolla në Shkodër dhe në qytetet bregdetare, ku jepej mësim gjuha shqipe. Pavarësisht nga synimet ekspansioniste dhe konkurenca midis Austro-Hungarisë dhe Italisë, shqiptarët, përmes shkollave të hapura nga këto vende, u ekzpozuan ndaj ideve dhe kulturës perëndimore, duke u bërë të vetëdijshëm për interesat e tyre kombëtare dhe individualitetin e tyre (Fischer, 2013: 2-3).
Ndikim të madh në lëvizjen kulturore të shqiptarëve pati “Shoqëria e të shkruarit shkronja shqip” e Stambolli (Jevalich, 2004: 209), që nisej nga teza e shpallur prej rilindësve të parë, se “çdo komb që nuk e shkruan gjuhën e tij dhe nuk ka alfabetin e vet kombëtar, është një komb i prapambetur” (Buda, 2002: 337-370). Krijimi i saj ishte hapi i parë për të dalë nga faza e veprimeve të veçuara dhe për të krijuar një bërthamë organizative e përfaqësuese të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (Buda, 2002: 126). Synimi i saj ishte themelimi i shkollave laike shqipe, të përbashkëta për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga feja e tyre. Shkollat laike shqiptare kishin si detyrë që nëpërmjet përhapjes së gjuhës shqipe, të ndihmonin në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe në rritjen e përpjekjeve të shqiptarëve për autonomi. Luigj Gurakuqi, drejtori i parë i Normales thekson: “Kur flasim për shkollën shqipe, nuk duhet të kemi parasysh vetëm ato ku mësohet shqipja por, më tepër, ato ku mësimi të jetë gjithnjë shqiptar dhe t’u përgjigjet nevojave të kombësisë sonë” (Musaj, 2017).
Dy javë më vonë u çel shkolla shqipe në Pogradec, pastaj me radhë në Ohër, Rekë, Ersekë, Leskovik, Polenë, Luaras, Elbasan. Mësimi dhe librat shqip u përhapën gjithashtu në viset e Kosovës, si në Prizren, Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Drenicë, etj (Dedja etj., 2003: 16[1]).
Për të ndihmuar mbarëvajtjen e arsimit dhe çeljen e shkollave të reja, në vitin 1888 u themelua “Shoqëria e Mësimit Shqip”, që arriti të kishte 160 antarë, shqiptarë të dy besimeve, ku çdonjëri prej tyre paguante një kuotë mujore (Dedja etj., 2003: 136) që shkonte për financimin e shkollave.
Zhvillimet në arsimin shqip pas revolucionit xhonturk
Pas revolucionit xhonturk, në themel të politikës nacionaliste xhonturke u vu doktrina e osmanizmit që i shpallte të gjithë shtetasit e Perandorisë “osmanllinj” dhe “të barabartë para ligjit”. Me këtë rast u lejua ngritja e klubeve kulturore dhe hapja e shkollave në gjuhët e kombësive të ndryshme. Në Shqipëri u hapën shumë klube kulturore dhe lëvizja për shkollën shqipe u shtri në të gjithë vendin. Klubet dhe shoqëritë atdhetare siguruan mjete financiare për shkollat shqipe, me anë të cilave paguheshin lokalet dhe mësuesit (Dedja etj., 2003: 177-179).
Zhvillimet arsimore diktuan nevojën e njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Kongresi i Manastirit, i mbajtur me 14-22 nëntor të viti 1908, zgjodhi alfabetin latin që do të ndikonte në zhvillimin e shkrimit shqip dhe do të ndihmonte në unifikimin kulturor të kombit shqiptar. Në fakt, vetë kontrasti midis alfabetit latin dhe atij turk do ta bënte vetëdijen shqiptare të ishte ndryshe nga ajo e turqve” (Skëndi, 2000: 187).
Xhonturqit kishin frikë se” duke theksuar kombësinë e përbashkët, alfabeti do t’i bashkonte shqiptarët dhe eventualisht do t’i shkëpuste nga Turqia”, prandaj organizuan një kongres tjetër në Dibër, ku u bë një lëshim, duke e lënë shkrimin e shqipes me alfabetin që do të zgjidhte secili sipas dëshirës. Për ta vënë në zbatim këtë vendim, pas Kongresit të Dibrës, xhonturqit organizuan demonstrata, në qytete të ndryshme të Shqipërisë, në favor të alfabetit turk, duke bërë përpjekjen e fundit për të ushqyer përçarjen në mes të shqiptarëve. Por atdhetarët shqiptarë nuk u tërhoqën dhe organizuan një kongres tjetër në Elbasan, ku u theksua se “ishte detyrë e Klubit të Manastirit të fuste gjuhën shqipe në të gjithë shkollat e Shqipërisë, nënkuptohet me alfabetin latin (Skëndi, 2000: 343-344). Kongresi i Elbasanit vendosi hapjen, në vjeshtë të atij viti, të një shkolle normale (pedagogjike) në atë qytet, për përgatitjen e mësuesve të shkollave fillore.
Projekti xhonturk për futjen e alfabetit turk në shkollat shqipe nuk u realizua dhe çështja e alfabetit u bë shkas për fillimin e një konflikti të hapur midis xhonturqve dhe shqiptarëve. Duke qenë se qeveria e Stambollit qe e pazonja për të realizuar qëllimet e veta me anë të propagandës, me urdhër mbylli shoqëritë dhe klubet shqiptare, ndaloi librat dhe gazetat në shqip dhe mbylli shkollat në gjuhën shqipe. Në ato kushte, shkollat shqipe punuan në kushte ilegale, deri sa në mars të vitit 1911, një qarkore e Ministrisë së Brendëshme në Stamboll urdhëroi riçeljen e tyre, sikundër dhe çeljen e të rejave dhe përdorimin e alfabetit latin (Skëndi, 2000): 350). Por përpjekjet përçarëse të xhonturqëve vazhduan edhe më tej, duke e trajtuar problemin e arsimit shqip dhe të alfabetit latin si të dëmshëm për fenë myslimane dhe të rrezikshme për interesat e Perandorisë.
Me fillimin e lëvizjeve kryengritëse të shqiptarëve, çështja e shkollave shqipe doli në plan të dytë. Perandorisë Osmane në Ballkan, nën goditjet e Rusisë dhe aleatëve të saj ballkanikë, po i tronditeshin themelet dhe kjo kërkonte një sjellje tjetër nga ana e shqiptarëve, si dhe marrje përgjegjësishë prej tyre për fatet e kombit shqiptar.
Përfundime
 
Shqiptarët janë të fundit në rajon që zhvilluan arsimin në gjuhën e vet dhe krijuan shkollat shqipe, sepse arsimimi i tyre në gjuhën amtare ishte konsideruar nga Porta e Lartë si mjet për realizimin e shkëputjes nga shteti osman. Edhe shtetet shoviniste fqinje, i intensifikuan përpjekjet për hapjen e shkollave të huaja, në përpjekje për pengimin e zgjimit kombëtar të shqiptarëve.
Gjatë Rilindjes u krijua themeli i literaturës dhe kulturës së Shqipërisë si një komb. Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë një kulturë e re kombëtare nuk ishte më aspiratë, por një fenomen i vërtetë me brezat e shkrimtarëve, mendimtarëve, publicistëve dhe studiuesve nga fusha të ndryshme, një realitet që dëshmonte identitetin unik kulturor të popullit shqiptar. Përmes shkollimit në shqip, shqiptarët mësuan të lexojnë e të shkruajnë në gjuhën e tyre, u njohën me historinë dhe traditat kombëtare, duke u vetëdijësuar se ata përbënin një popull të lashtë, lehtësisht të dallueshëm prej fqinjëve dhe për rrjedhojë u takonte të kishin shtetin e tyre dhe të vendosnin për fatin e vet.
_______
Arkiv
– AQSH – Arkivi Qendror i Republikës së Shqipërisë.
– HHStA PA A – Hof und Staatarchiv, Politiches Archiv von Austria.
– AMAE-Archivio Storico Diplomatico di Ministero degli Affari Esteri.
Libra dhe periodikë
– Dedja, Bedri etj, Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, vëllimi I; botim i Institutit të Studimeve Pedagogjike, Tiranë 2003
– Ditërrëfenjësi Kombiar, Sofje, mot i katërt, 1900.
– Doja, Albert. The Politics of Religion in the Reconstruction of Identities: The Albanian Situation. Critique of Anthropology, SAGE Publications 2000.
– Duijzings, Ger. ”Religion and the politics of ‘Albanianism: Naim Frashëri ’s Bektashi writings”, published in: Stephanie Schwandner-Sievers and Bernd J. Fischer (eds), Albanian Identities: Myths, Narratives and Politics. London: Hurst 2002.
– Fischer, P Bernd J. Paper, A Brief Historical Overview of the Development of Albanian Nationalism, Indiana University-Fort Wayne 2013.
– Frashëri. Kristo. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë,botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë, 2008.
– Frashëri, Kristo. Rruga drejt pavarësisë, Studime Historike, viti 1997, Nr.1- 4.
– Gawrych, George. The Crescent and the Eagle: Ottoman Rule, Islam and the Albanians, 1874-1913, I.B.Tauris, London-New York 2006.
– Historia e Popullit Shqiptar, vëllimi II, Rilindja Kombëtare, vitet 30 të shek. XIX – 1912, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Toena 2002.
– Jelavich, Charles & Barbara. Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit 1804-1920,botimet “Dituria” Tiranë 2004.
– Kanonizmë e “Shoqërisë të të shypurit shkronja shqip”, AQSH, F.101, D.48, fl. 66.
– Misha, Piro. “Invention of Nationalism, Myth and amnesia in Albanian Identities, Myth and History”, editors Stephanie Schwandner-Sievers, Bernd J.Fischer, Bloomington & Indianapolis, Indiana University Press, Hurst & Co 2002.
– Pollo, Stefanaq. ,Në gjurmë të historiesë shqiptare II,botim i Institutit të Historisë,Tiranë 2003.
– Pollo, Stefanaq, Pulaha ,Selami. Aktet të Rilindjës Kombëtare Shqiptare1878-1912, botim i Institutit të Historisë Tiranë.
– Puto Arben. Historia diplomatike e çështjes shqiptare,Albin, Tiranë 2003.
– Puto, Artan. The Idea of nation during the Albanian National Movement (1878-1912), botimet Dudaj, Tiranë 2013.
– Prifti, Kristaq. Lidhja Shqiptare e Pejës, botim i Institutit të Historisë, Toena 2002.
– Rexha, Iliaz. Komiteti i Stambollit dhe Aktivitieti tij,Konferencë shkencore e 100- vjetorit te Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Prishtine 1981.
– Roudometof, Victor. “From Rum Millet to Greek Nation, Enlightenment, Secularisation and National Identity in Ottoman Balkan Society, 1453 – 1821”, Journal of Modern Greek Studies, 16(1):11-48.
– Rrapaj, Jonilda& Kolasi Klevis (2013). “The Curious Case of Albanian Nationalism: the Crooked Line from a Scattered Array of Clans to a Nation-State”, The Turkish Yearbook of International Relations, Volume 44.
– Skëndi, Stavro. Zgjimi kombëtar shqiptar 1878-1912,përkthyer nga Skënder Luarasi dhe Nestor Nepravishta, Phoenix and Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit, Tiranë 2000.
– Shllaku, Ludovik. Shkollat klerikale, botimet “Camaj – Pipa”, Shkodër 2002.
– Shpuza, Gazmend . “Emancepimi shqiptar, hapi i parë drejt afirmimit të kombit”, Studime Historike 2001, Nr.1-2, botim i Institutit të Historisë.
– Trix, Frances. ”The Stamboul Alphabet of Shemseddin Sami Bey: Precursor to Turkish Script Reform”, International Journal of Middle East Studies, Vol. 31, No. 2 (May, 1999).
Vickers, Miranda, Pettifer James. Albania: From Anarchy to a Balkan Identity, NYU Press, 2000
– Vlora, Eqerem bej. Kujtime 1885-1925, Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tiranë 2003.