Kundrime e vlerësime për poezinë e Skënder Buçpapajt

Nga Akademik Gjovalin Shkurtaj

Dashuria dhe krenaria për vendlindjen si “baza e nisjes” e  krijuesve të Alpeve

“Hijeshia ligjërimore dhe prurje pasuruese të Skënder Buçpapajt dhe krejt poetëve të alpeve vjen jo nga “mbyllja” në dukuritë dialektore të rrahinës, por, përkundrazi, nga derdhja e pandalshme e fjalëve, toponimeve dhe e frymës  alpine e aq  thekshëm veriore në shtratin e shqipes së përbashkët e të njësuar nga ana fonetike e morfosintaksore. Dhe, pikërisht në atë sfond të rrafshët e të gjithmbarshëm, si  në telaion e pikturave mjeshtërore, shquajnë toponimet dhe fjalët e mënyrat e të thënit aq të bukura të krahinave tona, si ato që ndeshim në vjershërinë e Skënder Buçpapajt.”

Kam thënë dikur, po edhe e kam përsëritur e po e ritheksoj, se “baza e nisjes” apo vendi prej nga vjen poeti është gjithmonë me rëndësi të dorës së parë për udhën a rrugëtimin  e tij letrar. Gjërat e thjeshta, të vogla e në dukje të parëndësishme të moshës së re, jo vetëm nuk harrohen në moshë të madhe, por edhe  do t’i vlejnë krijuesit si ”çelësa” të botës së vet shpirtërore, si pika lidhëse e nyja të gjuhës së shkruar, që mësohet në shkollë, me fjalët, mënyrat e të thënit dhe krejt atë arsenal të pasurive ligjërimore, natyrisht edhe të onomastikës së vendlindjes, të cilat krijuesi do t’i marrë kurdoherë më vete, si breshka  zhguallin, sepse pa to ai nuk e ndien se është vetvetja. Lum ata (dhe ato), që  lindin në vise me tradita të bukura, në katunde e malësi ku doket e mënyra e të folurit  janë ende të paprishura  e të pandikuara nga njëjtësimi rrafshues i metropoleve, ku ende këndohen këngë me zë e të shoqëruara me vegla muzikore të traditës, ku njerëzit shkojnë në dasma e festa jo vetëm për të ngrënë e pirë e për të parë shfaqjen që japin artistë profesionistë e të paguar, por ku vetë ata kërcejnë, këndojnë, bëjnë humor e përfshihen në festa të këndshme e të atilla që secili do ta mbajë mend si gjë të bukur.

Ja pse, edhe në mjediset shqiptare, gjithmonë dallohen disa areale të gjeografisë letrare e artistike, ku janë më të shumtë ata që këndojnë, ata që dinë të kërcejnë, ata që  shkruajnë e flasin bukur, si dhe  përgjithësisht ata që brez pas brezi kanë dashur (e ditur) të krijojnë. Folkloristët   dhe etnologët vendas, ata që mblodhën qysh në agimet e folkloristikës shqiptare “Visaret e Kombit”, po edhe albanologët e huaj, që kanë pasur rastin ta vizitonin e ta njihnin Shqipërinë e dikurshme, kanë lëvduar pasurinë e bukurinë e këngëve shqiptare,  sidomos Eposin e Kreshnikëve apo,sikundër e quante M.Lamberci “Die Folksepik der Albaner”, si dhe polifoninë e Jugut, për të cilat nuk i kanë kursyer rreshtat e vlerësimet meritore shumica e albanologëve dhe e vizitorëve të huaj.  Dhe, ndërsa çudia e madhe apo mrekullia e dikurshme   ka qenë dukuria se pikërisht në vendet më anësore, malore e larg qyteteve e qytetërimit, në bjeshkë e troje të vështira për ta nxjerrë bukën e gojës e për të mbijetuar, si Nikaj-Mërturi, Dukagjini e pjesët epërme të Malësisë së Madhe, Mirdita etj. dilnin këngëtarë e valltarë virtuozë, rapsodë që mbanin mend dhe i këndonin me lahutë dhjetëra mijëra vargje të Eposit, po edhe që sajonin një arsenal të pakundshoq këngësh të “buta”, me figura aq të zhdërvjellëta sa për t’ua pasur zile edhe poetët e oborreve mbretërore. Shpesh, kur më zgjohet dëshira për të kujtuar fjalë e figura të bukura, ashtu si hapet dritarja për të marrë pak ajër të pastër,  hapi faqen e këngëve të kreshnikëve dhe dëgjoj “Ajkuna qan Omerin”, kënduar nga rapsodi  Mirash Ndou, nga Gjocajt e Shoshit. Ridëgjoj shpesh edhe këngë të tjera, që i kam regjistruar në rrjedhë të viteve nga këngëtarë të zotë të vendlindjes sime, Kastratit, Kelmendit, si “Bash ku rrinë shqipet e malit”, një nga këngët më madhështore kushtuar Prek Calit, kënduar nga Pjetër Nikprelaj, sikundër ma ka ënda të dëgjoj  edhe këngë të Kosovës. Kështu, edhe pse nuk merrem mirëfilli me shkrimtari artistike, sa herë punoj, ma ka ënda të kem në sfond muzikë të mirë dhe, së andejmi, si kokrrat e qershisë në degët e epërme të pemëve, më tingëllojnë të pavdira vargje si ato të këngës rapsodit Mysli Bega  nga Jezerci i Ferizajt: “Moj e mira nën hije të bagremit/, ti m’u bafsh si kokrra e sheqerit/ e ty të shtifsha në xhep të xhamperit…”.   Mijëra herë e kam dëgjuar, asnjëherë nuk jam ngopur s’e shijuari, prapë do ta ridëgjoj deri sa të jem midis të gjallëve. Këngët e bukura, sidomos ato me të cilat jemi ushqyer qysh në moshë të njomë, na freskojnë shpirtin, na gjallërojnë e na frymëzojnë. Kjo duket më së miri edhe në poezinë e përfaqësuesve më të dalluar të vjershërisë shqiptare. Si shembulli më i qartë mund të jetë “kori” i krijuesve nga Tropoja, më saktë nga Malësia e Gjakovës, të cilët janë aq të shumtë, gjithmonë në shtim e duke u shumuar si uji i lumenjve mbas shirave.

Të mësuar me këngët e bukura të krahinës së Tropojës, të cilat i këndojnë burrat po edhe gratë e vajzat, poetët e lindur në ato anë, më tepër se kushdo tjetër, kanë pasur edhe një inerci të lindur për të kaluar nga kënga në vjershërim,nga rapsoditë në poezitë e shkruara. Krejt ashtu si e thotë Mirash Ndou në hyrje të një kënge “të butë”, që e ka kënduar për mua  e zonjën Mina Jensen, studiuese e Universiteti të Kopenhagës, në dimrin e vitit 1973:

“Lamë trimnitë e kapim mahitë/nusja e çika shkojnë në krue/ djali mbrapa iu ka vndue / dredh moj çikë e fol me mua…”

Dhe, kam bindjen time të rrastë, se nuk është aspak e rastit që, ashtu si në këngët e vallet popullore, krahina e Tropojës dhe krejt Malësia e Gjakovës ka  nxjerrë aq shumë emra, saqë (me një parafrazim  të titullit të librit “Në Shkodër këndojnë të gjithë” të Isa Alibalit) mund të thoshim se  edhe në Alpet verilindore  “këndojnë  e shkruajnë të gjithë”. Nuk mund të mos vëmë re se nga Tropoja kanë dalë shumë, më shumë se nga çdo krahinë tjetër, poetë e shkrimtarë, gjuhëtarë, gazetarë e studiues, secili me mëvetësi e gjakim për të bërë emër e për t’u dalluar në lëmin e letrave, aq sa, vështirë, t’i dalësh zot një renditjeje shteruese të emrave të tyre. Prandaj, qysh në krye të këtij shkrimi,  u kërkoj ndjesë atyre që nuk do të përmenden prej meje, por që, pa dyshim, kanë vlera dhe urojmë të jenë kurdoherë në vlagën e punës e të krijimtarisë poetike.

Së andejmi na vijnë, poetë tashmë të mirënjohur si Anton Papleka, me të cilin jemi gati të një moshe e jemi njohur qysh në universitet si studentë, Skënder Buçpapaj, i cili është plot 10 vjet më  i ri se unë, por e kam njohur e përmendur qysh në agimet e shtegtimit të tij poetik, sepse më bënte përshtypje fryma krejt origjinale e krijimtarisë së tij, si dhe mbështetja e fortë në leksematikën e vendlindjes, pa rënë në dialektalizëm të mërzitshëm e të pakuptueshëm.

Ashtu si devolliu i madh, që për herë të parë në letrat shqipe përuroi përmendjen e emrit të vet në vargjet e veta (Unë poeti nga Devolli, që shkruaj emrin Dritëro Agolli), do të fillonin të thoshin me “rropamë” “Unë poeti nga Tropoja”(N.Papleka) apo, edhe me perifrazime mbresëlënëse, si te poezia e famshme  “Plepat”, ku me një praralelizëm figurativ nga më të këndshmit, lexojmë:

 

“Plepat ndanë Valbonës

Si matës të nivelit të kaltërsisë së lumit

Nuk rrinin gjithmonë për të treguar

Se gjithmonë lumi i kaltër do të kalojë aty

 

Poshtë Urës së Bujanit

Ata rrinin aty për të treguar

Se nëpër të përthimë të ditës së re

Këtu do të kalojë mësuesi i fshatit dhe poeti i Alpeve Skënder Buçpapaj”.

Më vonë, një nga ish-studentët e mi të degës së gjuhës e të letërsisë, Mujo Buçpapaj, në qerthullin e ndihmesave e veprimtarive të tij të shumta e të ndryshme, edhe politike e  drejtuese në fushën e të drejtave të autorit,  do të na befasonte edhe me poezinë e tij, duke na falur krijime  nga më të pëlqyeshmet e me të cilat edhe ka fituar disa çmime e mirënjohje kombwtare dhe ndwrkombwtare. Me vlera e vlerësime të mira vjen në letrat shqipe edhe prozatori Flamur Buçpapaj, zëri autentik i të cilit ka pasur pëlqyeshmëri e përhapje të gjerë jo vetëm në Shqipëri,po edhe në diasporën shqiptare. Prej  atyre anëve është edhe i talentuari Ukzenel Buçpapaj, poet e përkthyes, një zë pa dyshim krejt i veçantë në letrat shqipe. Prej anëve verilindore bashkon zërin e vet në korin e poetëve të mirë shqiptarë edhe Hamit Aliaj, po edhe të tjerë, shumë të tjerë. Qysh në shkollën e mesme, në vitet tashmë të largëta 1958-1962 kam njohur edhe Marash Mëhillin, edhe ai i lindur diku në anët e Nikaj-Mërturit, i cili recitonte bukur e ishim edhe konkurrentë në mbrëmjet letrare të asaj kohe në Shkollën Pedagogjike të Shkodrës. Edhe ai, ashtu si shumë të tjerë që morën udhën e mërgimit në  vitet ’90, që nga Greqia ku punonte ka botuar disa vëllime me poezi dhe ka mëvetësinë e stilin e vet interesant.

Prej atyre anëve na vijnë edhe prozatorë të mirë, me vepra të mirënjohura e të vlerësuara, si Besnik Mustafaj, Fran Ukcama, Mehmet Elezi, shkrimtar e gjuhëtar me ndihmesa të rëndësishme e të shumta, ashtu si nuk mund të mos përmendim gazetarë të shquar të dalë prej atyre trevave, si Marash Hajati, Ilir Buçpapaj, Murat Gecaj, Ndue Ukcama, Sami Neza, Ibrahim Hajdarmataj etj., si dhe një varg zërash të rinj, që kanë mbiemrat e njohur si Haklaj, Lushaj.

Prej anëve të Tropojës, diku nga Gosturani i largët, ishte edhe kolegu im i mirë, prof.dr.Xheladin Gosturani, dialektolog e bashkautor në veprën tonë madhore “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe” (në dy vëllime të mëdha,botim i Akademisë së Shkencave, Vëllimi i parë,  Napoli-Tiranë, 2007, Vëllimi i dytë 2008). Nga Tropoja kanë dalë edhe një  plejadë gjuhëdashësish e gjuhëruajtësish me vepra e botime të rëndësishme. Përmendim, ndër të tjerë,  Petrit Zenelin, mësues që ka botuar dy fjalorë të shqipes dhe një monografi të gjerë për të folmen e etnografinë e Malësisë së Gjakovës, duke dhënë shembullin e mësuesit që nuk e ndan punën mësimore nga veprimtaria hulumtuese dhe kërkimi shkencor. Ka botuar disa vëllime me studime  gjuhësore, si:  “Fjalor me shprehje dhe fjalë të rralla” (484 faqe)  Shtëpia botuese “Toena” 1999, pastaj ka vijuar me monografinë “Vëzhgime gjuhësore dhe etnografike” (2010), studim i gjerë  dialektologjik dhe etnografik i Malësisë së Gjakovës dhe Rrafshit të Dukagjinit.  Në vitin 2015 ka botuar “Fjalor i gjuhës shqipe” me rreth 12000 fjalë dhe kuptime fjalësh. Ka  në proces botimi “Përsiatje gjuhësore”,  tani po punon për librin eseistik “Shqyrtime dhe meditime letrare”. Ka bërë gati për botim edhe një studim në lëmin e mitologjisë, të besimeve dhe të riteve shqiptare dhe arbëreshe bashkë me një  fjalor mitologjik mbarëkombëtar të titullur “Mitologjia, doket, zakonet dhe ritet shqiptare“. Librat e Petrit Zenelit për  të folmet dhe pasuritë e mëdha etnolinguistike të Malësisë së Gjakovës dhe mbarë trojeve verilindore të shqipes përbëjnë ndihmesa të shënueshme dhe që meritojnë edhe të vlerësohen edhe nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve,si dhe nga Akademia jonë e Shkencave,sepse ato dëshmojnë jo vetëm për zellin e punën  e fryshme si mbledhës,por edhe aftësi të plota prej hulumtuesi e përgjithësuesi të atillë që meriton të përmendet  krahas njohësve më të mirë të leksikut dhe pasurisë fjalësore e etnolinguistike të shqipes verilindore e më gjerë.

Prej atyre anëve ishte edhe studiuesi Avdyl Sula, me ndihmesa të vlefshme e autor i disa librave me kundrime për gjuhën shqipe. Ashtu si ujërat e kthjellëta, që nisen nga gurrat e maleve të larta, pasuria gjuhësore dhe etnolinguistike e librave të Avdyl Sulës vjen prej bjeshkëve të Malësisë së Gjakovës e “Bajram Currit” të largët, ku  ai  jetoi e punoi, duke ndjekur me përkushtim e kujdes, jo vetëm fjalët e rralla e të folmen e krahinës së vet, por sheh me shqetësim atdhetar dhe nuk mënon të reagojë gjallërisht e me dije të sigurta ndaj prirjeve  e qëndrimeve të pamira të shkruesve, gazetarëve e atyre që nuk i japin kujdesin e nevojshëm gjuhës shqipe. Më ka ardhur keq që u nda së gjallësh ende në moshë kur mund të sillte edhe ndihmesa të tjera prej pasurisë gjuhësore të anëve të Tropojës, ashtu si  ka bërë, në fakt, në “Shkrime dhe hulumtime gjuhësore”, Botime M&B,Tiranë, 2012, 264 faqe dhe “Larushia e fjalës në gojën e popullit”, Botimet M&G, Tiranë, 2013, 206 faqe. Dëshiroj të përmend në mënyrë të veçantë ndihmesat e Shaban Geclilës për onomastikën e Bytyçit dhe, pa dyshim, veprën  madhore “Fjalor i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006, 1664 faqe) të Mehmet Elezit, si dhe ndihmesa të tjera të tij në lëmin e kulturës së gjuhës e të onomastikës shqiptare,

Pra, po të shtronim pyetjen: sa e madhe  është Tropoja, si krahinë, duke e krahasuar me hapësirat e tjera të njëjta për nga madhësia, do  të na dalë natyrshëm se prej saj kanë dalë më shumë krijues, jo vetëm poetë e këngëtarë, që janë të panumërt, po edhe  prozatorë, gjuhëtarë, gazetarë, po edhe diplomatë e politologë  më shumë  se çdo krahinë tjetër.

Dhe, për hir të s vërtetës,  koha po dëshmon se, nga hapësirat e largëta e anësore të Shqipërisë, kur u jepet rasti e u krijohen mundësitë, po dalin emra të atillë që e përfaqësojnë aq mirë “dellin  poetik” të shqiptarëve, duke kthyer drejt shkrimtarisë së tyre sytë e lexuesve më cilësorë të poezisë së sotme në gjuhën shqipe. Të tillë janë Buçpapajt, me zanafillë nga Tropoja e bjeshkët verilindore, por që i gjen tashmë në Tiranë e në metropole të mëdha të Evropës e deri në SHBA, prej nga, në fakt, ngrihet i madhërishëm e i lëvduar “verbi poetik” sa genuin, aq edhe i veçantë i Gjekë Marinajt, nga Bruti i Malësisë së Madhe, një fshat i humbur e midis shkrepave, diku midis Kastratit e Vrrithit, ku ha pula gur,  i cili është  tashmë, pa dyshim, një nga emrat nderues të letrave shqipe në Amerikë. Gati çdo mëngjes, para se të ulem për të shkruar e kryer punët e mia, ua jap një sy librit të tij “Mos më rri larg” , sikundër shfletoj me ëndje edhe tre a katër libra të tjerë, që më frymëzojnë e më çmallin me vendlindjen: “Të shtyhet mëngjesi” i Nikolla Spatharit, “Dejka kujtimesh” i Ndok Sinishtajt dhe “Vise me diell” të Sokol Zekajt.

Sa herë më mbushet zemra me mllef prej gabimeve e shtrembërimeve gjuhësore në shtypin e shkruar e në ligjërimet e folura, dora më shkon te vëllimet poetike të një logu krijuesish që vijnë nga Alpet tona, për t’u  freskuar sadopak me leksematikën bjeshkatare e me metaforat krejt të reja të poezisë së Buçpapajve (Skënder, Mujë, Flamur), prej të cilëve, vjershërisë shqiptare i vijnë prurje që nuk duhen lënë pa u vënë re. Në atë “kor” zërash   gjuhëbukur,duhet përmendur edhe krijimtaria e fryma e theksuar atdhetare e gazetarit Ilir Buçpapaj,  i cili ka dhënë ndihmesa të vyera e të jashtëzakonshme me dokumentarët  kushtuar pasurive natyrore e kulturore të Alpeve shqiptare dhe më gjerë.

Kohë më parë, në fakt tashmë këtu e tridhjetë vjet më parë, në disa prej shkrimeve të mia kushtuar gjuhës e prurjeve   ligjërimore të disa poetëve të rinj, të botuara te gazeta “Drita”, përmendja natyrisht pasurinë e leksikut, hijeshinë e freskinë e figurave burimore,që sillnin prej trevave të vendlindjes disa zëra të rinj,si Anton Papleka e Skënder Buçpapaj, prej të cilëve kishin filluar të vinin në vjershërinë shqiptare “grigjja e deleve” e “jehona e bjeshkëve”, gjithë ajo rrjedhë e pandalshme fjalësh e frazeologjizmash të verilindjes, gati të panjohura përveç se në Eposin e Kreshnikëve  e në ndonjë prej krijuesve paravajtës, si E.Koliqi e V.Prendushi, por që pak ose aspak lexoheshin në ato vite, duke qenë se kishin mbetur edhe jashtë programit të studimit të letërsisë në shkollë, si edhe jashtë kundrimeve e studimeve historiko-letrare. Më bënte përshtypje, në ato vite, edhe një poet i ri nga Jugu, Spiro Llajo, i cili punonte si kamerier diku në një restorant të Ksamilit,por që kishte botuar  një vëllim me vjersha aq të bukura, që  duke i lexuar të dukej së të vinte para sysh shkuma e bardhë e valëve të Jonit dhe krejt ajo bukuri përrallore e Bregut të Detit Jon.

Shkuan vite e, mbas kaq kohësh, të rinjtë e dikurshëm janë burrëruar e kanë zënë vende të merituara në letrat shqipe, duke gëzuar tashmë jo vetëm kënaqësinë se kanë botuar vëllime e përmbledhje me poezi në Shqipëri e në hapësirat jashtë saj, kudo që flitet e lexohet shqip,po edhe u janë përkthyer veprat në gjuhë të huaja. Ka edhe asish që, në fakt, sot janë si të thuash më të njohur e të vlerësuar në botën e jashtme, nga kritika e njohësit e letrave shqipe,sesa brenda vendit.  Vjersha të zgjedhura të  disa prej poetëve  që vijnë prej anëve verilindore të Shqipërisë, si Skënder Buçpapaj e Mujë Buçpapaj  e Flamur Buçpapaj i gjen tashmë në antologji të rëndësishme të poezisë shqiptare, si dhe janë nderuar me çmime e mirënjohje letrare nga qendra e institucione të rëndësishme në Evropë dhe në Amerikë. Skënder Buçpapaj ka fituar çmime të ndryshme kombëtare në poezi, kritikë, publicistikë, studime dhe skenarë dokumentarësh. Rasti e do të kujtojmë se ai pati tërhequr vëmendjen e kritikës dhe historiografisë letare në Shqipëri dhe jashtë vendit që me ciklin e parë poetik të botuar në revistën “Nëntori” në janar të vitit 1973. I kam ende shënimet dhe nënvizimet në librin e tij “Zogu i bjeshkës” (1973), që sillte një element aq të mirpëritshëm e të freskët të kundrimit të jetës me syrin e poetit që vjen nga bjeshkët, që sjell fjalën bjeshkë e shumçka të maleve e kreshtave të Verilindjes,por që, ndërkaq, i është shtruar fushës e qytetarisë dhe shtronte, në fakt, probleme me vlerë shoqërore e përgjithësisht qytetare, ndaj të cilave ai sjell edhe vetveten e “unin” e vet poetik që të detyron, në mos tjetër, ta përfillësh e ta kundrosh me vëmendje.

Më vonë, me vëllimet e tij “Poezi” (1986) dhe, sidomos me “Frika nga Atdheu” (2009) dora e poetit do të bëhej përherë e më  e rëndë,duke fshikulluar shumëçka të pamirë e të dëmshme, që po shfaqej e merrte  këmbë një jetën e shqiptarëve, duke  hyrë, kështu, në vargun  e atyre që jo vetëm kundron,vëzhgon dhe zbulon anët e ndryshme të  jetës, sidomos  disa prej të këqijave  që fatkeqësish  i ngjiten si “rrodhet” ecurisë së Kombit tonë edhe në kohët e reja e aq të shumëpritura, po edhe që nuk ka aspak ngurrim edhe për të marrë kahun e kundërt me to, duke i shërbyer kështu rritjes së vetëdijes shoqërore e qytetare të shqiptarëve në kohët e reja. Ashtu si Agim Vincën, që e merr malli “për kohët e rrezikshme”, por në një mënyrë krejt tjetër e të veçantë, Skënder Buçpapaj te “Poema e Tplanit”, na fton të bashkohemi me drojën e tij:

 

“Druaj se mos më mardhin

Rrëshqanorët e bokave

Zhguallorët dhe jozhguallorët.

“Druaj se mos më mardhin në shtëpitë e ftohta

Shkretanët, mbrapshtanët,

Gubanët, qurranët,

Zhelanët, breshkanët,

Gjenialët e Tplanit.”

 

Kisha nënvizuar  te vjersha e tij “Plepat”,disa vargje që përmbanin,si të themi, një farë “profecie” të poetit për vlerat e  veta,po edhe të krejt poezisë shqiptare, mbasi të qartësoheshin udhët e të zhdavariteshin retë, duke mëshuar idesë se “do të rikthehet përsëri te plepat e vet:

 

“Plepat rrinë pranë brigjeve, urave, lumenjve

Dregëzohen, lëmohen, gjethohen, zhgjethohen

Gjysmëdrejtëza të hequr nga toka drejt pafundësisë

Për të treguar se nga pafundësia

Pasi të ketë lënë në pritje të gjithë plepat e botës

Do të rikthehet përsëri te plepat e vet.”

 

Qysh në poezitë  më të hershme të Skënder Buçpapajt më bënte përshtypje dhe më tërhiqte sidomos sasia e madhe e emrave të vendeve dhe të njerëzve (ajo që ne gjuhëtarët e përfshijmë në termin onomastikë). Po, aty  kishte dhe ka shumë emra dhe kjo tregon,në radhë të parë, dashurinë e lidhjen e fortë të poetit me trojet e me rrënjët e veta, me njerëzit e me gjithçka sheh e njeh në vendlindje. Atë që Naimi e thotë me “bregore bukuroshe”, me “çukat, kodrat, brinjat e gërxhet”, poeti ynë do të na e thotë duke ua përmendur edhe emrat e vegjël (mikrotoponimet) e tyre. Po, poezia e S.Buçpapajt është plot me emra, që mua si gjuhëtar,përtej vlerave mirëfilli poetike, më kanë dhënë e më japin gjithmonë ndjesinë  se për ta dashur atdheun në përgjithësi, po edhe çdo pjesë të tij në veçanti, duhet edhe ta njohësh, t’ua mësosh e t’ua përmendësh emrat, madje, kur e do rasti edhe t’i zbunosh, t’i përkëdhelësh,ashtu sikundër bën jo rrallë edhe Skënder Buçpapaj.Ja, një pjesë, që e kisha nënvizuar qysh vite më parë:

 

“Plakat

Në dyer të tabaneve

Në Lug të Vrellës

Tellën e Pranverës

Balçinë të Luzhës

Lugun e Vocit

Gjarpër

Tëbanët e Hetës.”

 

Edhe më e shprehur duket kjo dukuri te “Poema e Tplanit”:

 

“Tplani

Prej Moknit në Arvejë

Prej Ballfushës në Kryekand

Është metropoli botëror

I bretkosave.”

 

Hijeshia ligjërimore dhe prurje pasuruese të Skënder Buçpapajt dhe krejt poetëve të alpeve vjen jo nga “mbyllja” në dukuritë dialektore të rrahinës, por, përkundrazi, nga derdhja e pandalshme e fjalëve, toponimeve dhe e frymës  alpine e aq  thekshëm veriore në shtratin e shqipes së përbashkët e të njësuar nga ana fonetike e morfosintaksore. Dhe, pikërisht në atë sfond të rrafshët e të gjithmbarshëm, si  në telaion e pikturave mjeshtërore, shquajnë toponimet dhe fjalët e mënyrat e të thënit aq të bukura të krahinave tona,si ato që ndeshim në vjershërinë e Skënder Buçpapajt.

 

Paçim jetë e shëndet për të shkruar edhe më gjatë e më gjerë për prurjet e mëdha , jo vetëm ligjërimore e gjuhëpasuruese, po edhe, mbi të gjitha, për vrullet e këndshme atdhetare, pa shtirje e poza, por thjesht si shprehje e dashurisë dhe e krenarisë për vendlindje, të cilat aq dukshëm përfaqësohen e shfaqen në shkrimtarinë e krijuesve të Alpeve verilindore.

 

Tiranë, 2 mars 2018