Shqiptarët dhe çështja e Referendumit në Maqedoni

Nga Abdulla Mehmeti  – Maqedoni

Ka përfunduar koha kur shqiptarët janë vënë para dy alternativave të gabueshme, duke u servuar qytetarëve shqiptarë në Maqedoni filma bardhë e zi, nga pushteti dhe partitë politike të korruptuara të tyre, në shërbim të politikave afatgjata të shtetit, për interesat e faktorëve të jashtëm, kryesisht serbe dhe ruse, në dëm të shqiptarëve dhe të drejtave të ligjshme të tyre.

Kësaj radhe, shqiptarët janë duke e sendërtuar alternativën e tyre të tretë, opsionin që shpresojmë të dominojë ndër shqiptarët, të cilin e kanë projektuar ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, përmes një platforme dhe strategjie të re, me të cilën:
– nuk do të dëmtohen interesat e qytetarëve të këtij shteti dhe reformat e qeverisë së tij;
– nuk do të cënohen interesat e shteteve fqinje;
– nuk është në kundështim me interesat gjeopolitike dhe gjeostrategjike të faktorëve ndërkombëtarë relevantë, SHBA, BE dhe NATO, por në interes të tyre;
– nuk do të cënohet procesi i eurointegrimeve i Maqedonisë;
– nuk do të dëmtohet interesi kombëtar i shqiptarëve, tradita shtetformuese, identiteti, historia, kultura dhe gjuha e tij, por do të avancohet statusi juridik-kushtetues dhe politik i tyre në këtë shtet të përbashkët, si dhe do të forcohet faktori shqiptar në rajon, në kuadër të Ilirikut (Ballkanit) Perëndimor.

Është mirë gjatë kësaj periudhe, deri më 10 shtator kur fillon fushata për referendumin dhe gjatë saj, të gjithë të jemi të kujdesshëm ndaj qytetarëve, sidomos me krijimin e opinioneve të gabuara, apeleve individuale dhe grupore të papërgjegjshme, pas alternativë, pa zgjidhje konkrete të ofruar, pa qartësi dhe vizion, që mund t’u shërbejnë vetëm propagandave të huaja për dëmtimin e imazhit ndërkombëtar të shqiptarëve si mbështetës të fuqishëm dhe të pakompromis të NATO-s, SHBA dhe BE-së.

(19 gusht 2018)