NJË KONKURS MBARËKOMBËTAR PËR PLISIN E BARDHË

Në vend të një urimi për rrugëtimin e një kuvendi poetësh

 Vëllimi poetik “Plisi i vargut tim” vjen si rezultat i Konkursit që u shpall publikisht vitin e kaluar, i organizuar nga “Poeteka Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi”, që është organizëm i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi” Tiranë-Prizren. Ai është ngritur dhe është i specializuar për organizimin e konkurimeve, tribunave poetike, promovimin e librave, të shkrimtarëve, etj. Tribunat poetike janë organizuar dhe mbajtur prej më shumë se 13 vitesh, ose çdo vit me rastin e mbajtjes së “Festës së Bytyçit” dhe bytyçasve ngado që ata janë. Pjesëmarrësit kanë qenë nga Shqipëria, Kosova, Çamëria, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Diaspora. Ky konkurim poetik është hera e dytë që organizohet. Për herë të parë ai u bë nga “Poeteka Mbarkombëtare Ndue Bytyçi” si një konkurim poetik mbarëkombëtar me temë të lirë. Kishte shumë prurje poetike dhe pjesëmarrje të shumë poetëve konkurues, të cilët vinin nga të gjitha viset dhe diaspora shqiptare, por për to akoma nuk ka dalë një vëllim poetik.

Në vitin 2016, pas një përvoje pozitive që u fitua me organizimin dhe mbajtjen e tribunave letrare, u bë një konkurs i ri poetik. Ky u mbajt për herë të dytë dhe u emërtua “Plisi i vargut tim”. Tani jo më me temë të lirë, por me krijimtari në vargje (poezi, poemë, himne) vetëm dhe vetëm për plisin (qeleshe, kapuç, festë, takije, etj) e bardhë.

Sqarojmë se tema e plisit të bardhë është bërë një kryefjalë e shprehjeve dhe kryetema e aktiviteteve dhe organizimeve që ka mbajtur dhe po mban Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren. Vitin e kaluar u bë një organizim dhe konkurrim me temë të përcaktuar me krijimtari për plisin, që ka mbajtur Poeteka Mbarkombëtare “Ndue Bytyçi”.

Duhet theksuar se mbajtja nga ana e kësaj shoqate e tribunave poetike dhe po ashtu edhe i konkurimeve poetike nuk është e rastësishme, por një nder dhe bashkëveprim me të gjithë krijuesit shqiptarë të vargut. Ai bëhet në një kohë kur për hir të së vërtetës vëmendja e lexuesve është larguar nga ajo lëndë substanciale dhe “bio” e  shpirtit krijues të poetëve dhe e shpërqëndruar pas trilleve të teknologjisë. Qëllimi i atij “kushtëzimi” mbante me vete “disiplinimin” e krijuesve për konkurim me temë të krijimtarisë në vargje vetëm për plisin, si një objekt me rëndësi për trashëgiminë materiale dhe kulturore. Është plisi sa hyjnor, aq edhe mistik, si dhe një materie e thjeshtë dhe e bukur e tejet përfaqësuese dhe funksionale. Është para së gjithash një element identitar shqiptar, i cili vjen nga lashtësia, por që është në një reduktim të ndjeshëm.

Theksojmë se lidhur me plisin e bardhë, konkurrimi në fjalë nuk është i vetmi hap i ndërmarrë nga ana e Shoqatës, por ajo “Festë e Bytyçit” dhe të bytyçasve ka vite që e ka emërtuar “Festa e Plisit të Bardhë”, dhe, tani, së fundmi “Festa e Plisit të Bardhë”, si një nismë për t’u shpallur si Festë Mbarëkombëtare Shqiptare, duke ndikuar që edhe vetë Manifestimi i përvitshëm që mbahet në malin e Dajtit mbi Tiranë të marrë përmasa mbarëkombëtare.

Në organizimin e këtij konkurimi, ashtu sikurse edhe në konkurimin e parë, qëllimi ynë si organizatorë ishte “aksioni” i përfshirjes së krijuesve në konkurim dhe përzgjedhja e drejtë e fituesve dhe jo sikurse ka vijuar të ndodhë rëndomë në shumë organizime të tilla nga të tjera organizata që më parë janë përcaktuar fituesit dhe më pas është organizuar konkurimi me qëllim për të fituar ata që ishin paracaktuar për një gjë të tillë.

Për të minimizuar këtë fenomen, që ka “flamosur”, pjesën më të madhe të organizimeve të tilla konkuruese, në njoftimin e shpallur publikisht për të marë pjesë në konkurimin, krahas kërkesave për të marrë pjesë në konkurrim u shtua edhe kërkesa që vetë krijuesit të propozonin anëtarët e jurisë dhe mundësisht ata të ishin nga të gjitha viset shqiptare, brenda dhe jashtë kufirit administrativ të Shqipërisë dhe, brenda mundësive që u krijuan, kështu u realizua.

Ashtu sikurse edhe pritej, pjesëmarrja në konkurim ishte masive, gjithëpërfshirëse nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, me prurje në krijimtari në vargje për plisin, poezi, poema dhe himn, por krijimet vijuan që të vijnë edhe pas mbylljes se konkurimit, të cilat i pranuam si të tilla, sepse edhe pse ata nuk arritën të bëhen pjesë e tij, mbeteshin pjesë e “aksionit” dhe ato po përfshihen në këtë vëllim poetik me shënimin përkatës:“Krijimtari në vargje për plisin që nuk morën pjesë në konkurs, por që do të përfshihen në vellimin poetik” kjo me qëllim që të mos paragjykohet niveli i tyre konkurues edhe për ato raste kur ndonjë krijim prej tyre edhe mund të ishte vlerësuar nga juria me ndonjë çmim.

Këtë rradhë u mbyll konkurimi lidhur me krijimet në poezi dhe në poemë, kurse ai me krijimtari për Himnin e Plisit mbeti i hapur për t’u përsëritur si i tillë, sepse nuk ishte numri i domosdoshëm për të organizuar si të tillë një konkurim.

Gjatë përzgjedhjes së krijimeve fituese, të cilat u ishin servirur anonimë, pa emër autori, spikati puna e përgjegjshme dhe profesionale e jurisë me personalitete të spikatura në fushën e krijimtarisë së gjithsecilit, por edhe me një integritet moral dhe profesional. Ajo përbëhej nga:

Kryetar:  Hamit Aliaj

Sekretare: Xhane Imeraj

Anëtar: Ibrahim Berjashi

Anëtar:  Fejzulla Gjabri

Çmimet për poezinë: “Plisi i vargut tim”.( Poezi, himne dhe poema):

Çmimi i parë:

“Lisi i ka rrënjët në gjakun tem” – me autore poeten Kaltrinë Lohaj.

Çmimi i dytë: “Plisi i dheut arbëror ” – autor Ajet Shala

Çmimi i tretë: “Jehoi kënga” – autor Hamdi Hysuka

Çmimet për poemën:

Çmimi i parë:

“Plisi i këngës sime ” – me autor Namik Selmani.

Çmimi i dytë:

“Plisi shqiptar” – me autore Zyra Ahmetaj.

Çmimi i tretë:

“Në vend të vellos ia vë plisin” – me autor Sheremet Prokshi

Të gjithë pjesmarrësit në këtë konkurim u pajisën me Çertifikatë pjesmarrjeje, kurse Çmimet për fituesit u shpallën para të gjithë pjesëmarrësve që ishin aty të pranishëm në atë ditë në “Festën e Plisit të Bardhë” në Dajt, nga i ngarkuari i jurisë, poeti nga Ulqini, Ibrahim Berjashi.

Në kurorëzimin me sukses të këtij “aksioni” dhanë një ndihmesë të vyer për gjatë gjithë procesit të mbledhjes së lëndës edhe të ngarkuarit e Shoqatës, të cilët kontribuan me përkushtim dhe ndjenjë përgjegjësie, sikurse ka qënë z. Namik Selmani, poet dhe shkrimtar i shquar me origjinë nga Çamëria, mik i nderuar i Shoqatës tonë, si dhe zj. Xhane Imeraj, poete bytyçase me një karierë prespektive dhe gjithnjë në rritje. Ata e justifikuan plotësisht besimin që ua dha Shoqata për këtë qëllim. Pavarësisht nga rëndësia dhe pesha që do ketë ky vëllim poetik në krahasim me vëllimet poetike të autorëve të ndryshëm, antologjive poetike të përzgjedhuara nga një apo disa autorë, me dedikim të një teme apo objekti të caktuar, nuk është produkt i ndonjë përzgjedhjeje, por i një procesi konkurues, i organizuar me temë krijimi vetëm për plisin e bardhë.

Ky libër poetik i ka 94 krijime në vargje: poezi, himne dhe poema, të cilat janë realizuar nga 86 krijues, të cilët i përkasin një gjeografie mbarë etnike dhe nga diaspora shqiptare në Botë. Konkuruan: për poezi 41 poetë, për himn 7 poetë, për poema 3 poetë. Gjithsejt kanë marrë pjesë në konkurim 46 poetë me 49 krijime në poezi, himn e poema, me temë Plisin.

Pas përmbylljes së konkurimit, jashtë konkurimit, për të marrë pjesë në këtë Antologji poetike, i sollën krijimet e tyre edhe 40 poetë me 45 poezi.

Sqarojmë se ky libër poetik është ilustruar me dy foto artistike, realizuar më plis të bardhë, të cilat janë përzgjedhur nga  fotot dërguar për pjesmarrje në një tjetër konkurim organizuar nga Shoqata “Bytyçi”, me temë për “Fotografinë më plis”, të cilat i përkasin bytyçasit  nga Kepeneku Ali Rrustem Mulaj (në kopertinën e pasme të librit) dhe bytyçases nga Zymi i Hasit-Prizren, Luqe (Gjevelekaj) Prekpalaj, si dhe disa punime grafike të realizuara me art nga piktori Sejdi Bytyçi në Nju Jork të Amerikës.

Ky projekt me rëndësi mbarëkombëtare, për sa i përket fushës në të cilën është orieontuar, ka marrinë jetë për t’u botuar si libër poetik antologjik në sajë të sponsorizimit që bëri për botimin e tij z. Alfred Shaban Lahuka, një bir i krahinës së Bytyçit, i pa kontestuar për asnjë gjë, intelektual i cili ka manifestuar vetëm vlera dhe një kuadër e familjar shembullor.

 

Për Shoqatën Mbarkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren

Kryetari

      Av. Agron Isa GJEDIA