Natë planetare

Nga poeti Hamit Aliaj – Mjeshtër i Madh

Brirët e drenit të vrarë,venë mbi portën e shtëpive,
Vrasje janë, vrasje e të vetmit lot që i bie në besë njeriut,
Dhe një patkua kali ,në çdo kohë,
Hipokrizi e njeriut ndaj kafshës së mundimeve,
Dhëmbi i ujkut,medalion në qafën e vajzave,
Nga një vrasje e të uriturit të pyjeve vjen,
Dhe pak lëkurë gjarpëri në portofol
Për t’u ruajtur nga syri i keq i njeriut,
(Portofolet të gjitha ,me lëkurë kafshësh të vrara janë)
Një krah lakuriqi,me prekjen e të cilit
Bën për vete vajzën e ëndërrës,
Një mbytje e zogut të natës është,
E së fundi : lëkurë e dhisë mitike e bërë tupan
Nën ritmin e të cilit kërcen marrëzia

Gjithçka e pandryshueshme,si e shkuara :
Në lëkurë të tij e në portën e shtëpive,
Tatuazhe bën vrasjet dhe pamëshirshëm
Prej tyre kërkon mbrojtje nga frikërat e përjetëshme,
Njeriu !

Kafshët e prera në besë
Prap bëhen dorëzane dhe e marrin me ndore
Njeriun prej njeriut

Kjo lëkura ime
Natë planetare