Mustafa i LDK: Rihapja e çështjes së kufijve e barabartë me rihapjen e çështjes së Statusit të Kosovës

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Isa Mustafa i LDK-së, ka thënë më 10 gusht 2018, se as Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe as kryeministrit, Ramush Haradinaj, nuk mund t’u besohet për çfarëdo që flasin.

“Është një retorikë shterpe, e papërgjegjshme dhe e rrezikshme. Njëri premton se e marrim Luginën e Preshevës dhe nuk japim asgjë, kurse tjetri se korrigjimi i kufijve shkakton luftë, por ata qeverisin bashkërisht, së bashku i ndajnë rolet, së bashku paraqiten në Bruksel dhe bashkërisht mundohen të mashtrojnë opinionin. Nuk i besohet as njërit e as tjetrit”, ka deklaruar Mustafa në një intervistë për Koha.net.

Mustafa ka thënë se rihapja e çështjes së kufijve të Kosovës është e barabartë me rihapjen e çështjes së statusit të Kosovës.

Ai ka theksuar se askush nuk ka të drejtë të bisedojë për kufijtë e shtetit dhe se me Serbinë është e nevojshme një marrëveshje për njohje reciproke. Serbia duhet ta njohë shtetin e Kosovës në kufijtë aktualë, të cilët janë pranuar edhe ndërkombëtarisht.

“Nevojitet normalizim i marrëdhënieve dhe fqinjësi e mirë mes dy vendeve”, ka thënë ndër të tjera Isa Mustafa – kryetari i LDK-së të Kosovës me Diasporë.