Tiranë: Afro 70 për qind e të rinjve gati të lënë vendin nga papunësia

Nga Ilirian Agolli – Zëri i Amerikës
Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë dhe Qendra CRCA sapo kanë kryer studimin Indeksin Kombëtar për të Rinjtë, si pjesë e studimit “Rinia në Shqipëri”.

Indeksi është një anketim i 15 organizatave rinore nga doli se qeveria dhe bashkitë ka lënë pothuaj pa zbatuar planin kombëtar të veprimit për rininë dhe nuk përmbush detyrimet shtetërore ndaj saj.

Sipas këtij Indeksi Kombëtar, rinia, që përbën 35% të popullsisë së vendit, pohon se nuk është përparësi për asnjë institucion publik.

Kjo indiferencë i shtyn ata të deklarojnë se afro 70 për qind e të rinjve shqiptarë janë gati të emigrojnë në një vend të BE-së dhe në SHBA sapo t’u krijohet mundësia.

“Në të gjitha takimet konsultuese që kemi patur me të rinjtë në të 12 qarqet e Shqipërisë problemi i parë që ata ngrenë është mungesa e mundësive të studimit. Përfundojnë ciklin e studimeve dhe e ndjejnë qysh në kohën studentore këtë vështirësi. Më pas kur mbarojnë studimeve, nuk kanë mundësi punësimi për mungesë të politikave nxitëse të punësimit rinor nga ana e qeverisë” – tha Ervjola Osmanaj, drejtuese e Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë dhe një nga autoret e studimit.

Edhe pjesëmarrja e të rinjve në proceset vendim-marrëse është shumë e ulët. Raporti “Rinia në Shqipëri” zbuloi se mbi 70% e të rinjve nuk gjejnë mbështetjen e qeverisë për t’u përfaqësuar në proceset vendim-marrëse dhe as në qeverisjen vendore.

Anketat tregojnë se të rinjtë po përdoren vetëm si sfond politik, por nuk kanë ndonjë pjesëmarrje efektive në politikë-bërje dhe as në vendim-marrjet politike si dhe nuk gjejnë mbështetje prej saj.

Sipas Raportit “Rinia në Shqipëri”, një ndër sfidat kryesore të të rinjve mbetet punësimi, por rreth 80% e organizatave rinore deklarohen se nuk kanë mbështetjen e qeverisë për nxitjen e punësimit të të rinjve.

Raporti citon të dhëna nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) që tregojnë se Shqipëria zë vendet e para në Europë për papunësinë e të rinjve.

“81 për qind e të rinjve shprehen se qeveria shqiptare nuk mbështet, nuk nxit dhe nuk harton politika mbështetëse për punësimin e tyre. Kemi kështu një shifër alarmante, kur edhe nga organizatat ndërkombëtare shënohet se 30 për qind e të rinjve shqiptarë janë të papunë në Shqipëri. Ndaj qeveria duhet t’i kushtojë rëndësi të madhe kësaj gjendje” – tha Klaudio Pulaha nga Qendra CRCA.

Të rinjtë pohojnë se në atdhe po përballen me pamundësi dhe mospërfillje nga institucionet vendimmarrëse për çështjet e punësimit dhe zhvillimit, që ndikojnë në jetën e tyre.

Gjatë vitit të kaluar edhe sivjet nuk shpenzuan asnjë fond për rininë, ndërsa buxheti i shtetit për ta është vetëm 0.01%, edhe pse përbëjnë mbi 1/3 e popullatës.

As bashkitë nuk kanë buxhete për rininë, dhe 80% e të anketuarve pohojnë në anketën e Indeksit se shërbimet miqësore për ta mungojnë ndjeshëm.

Ndaj ata kërkojnë Kartën Rinore, një Ligj për Rininë, një nënkomision parlamentar për të rinjtë dhe një buxhet të shumfishuar për ta si në qeverinë qendrore ashtu edhe në pushtetin vendor.

https://www.zeriamerikes.com/a/4518967.html