Kush thotë se Presidenti i SHBA di të shkruajë vetëm twittera? Nuk është e vërtetë – pushtetmbajtësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un ai i shkruan me zell letra. Dhe: askush nuk e di se çfarë përmbajnë letrat.
Më parë erdhi postë nga Koreja e Veriut, tani u përgjigj Donald Trumpi: një delegacion i SHBA ia dorëzoi në Singapur letrën ministrit të Jashtëm të Koresë së Veriut, Ri Yong Ho, bëri të ditur një zëdhënëse e ministrisë së Jashtme të SHBA. Dorëzimi u bë në kuadër të një forumi të sigurisë në Singapor. Edhe ministri i Jashtëm Mike Pompeo e konfirmoi dorëzimin e letrës në twitter.
Përmbajtja e të dyja letrave është në pjesën më të madhe e panjohur. Qeveria amerikane tha vetëm disa fjalë të mjegullta për to. Zëdhënësja e Trumpit, Sarah Sanders tha se letrat janë në vazhdim të takimit të nivelit të lartë të qershorit në Singapor dhe synojnë që “t’i avancojnë premtimet e bëra atje.” Por është edhe shumë e mundur që të dyja qeveritë për momentin nuk kanë fare interes që të publikohet përmbajtja – sepse me sa duket prapa perdeve është mbledhur mjaft zemërim: duket sikur takimi i qershorit nuk ka sjellë afrim të vërtetë të pozicioneve.
A po armatoset fshehtas Koreja e Veriut?
Në takimin e nivelit të lartë midis Trumpit dhe Kimit u ra dakord që Koreja e Veriut të çarmatoset dhe para së gjithash t’i japë fund programit të saj atomik. Që Pheniani t’i përmbahet kësaj, për këtë kanë dyshim ekspertët. Në bazë të një raporti që u hartua për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Koreja e Veriut e ka intensifikuar edhe më tej programin e saj atomik dhe raketor, në vend që të çarmatoset.
Edhe mallra janë shitur fshehtas, në shkelje të sanksioneve nga Koreja e Veriut, për të gjeneruar me to valutë. Bëhet e ditur se vetëm nga tetori 2017 deri në mars 2018 Koreja e Veriut ka shituar tekstile në vlerë 100 milionë doillarë. Marrësit kanë qenë vende si Kina, Gana, India, Meksika, Sri Lanka, Tajlanda, Turqia dhe Uruguai. Koreja e Veriut besohet se bashkëpunon ushtarakisht edhe me Sirinë dhe përpiqet t’u shesë armë kryengritësve Hutu.
Trumpi do shtensionim – Pompeo të vazhdojë presionin
Menjëherë pas takimit mes Trumpit dhe Kimit sinjalet vërtet tregonin shtensionim, por brenda qeverisë së SHBA duket se ka pikëpamje të ndryshme se si duhet të trajtohet Koreja e Veriut. Kështu, ministri i Jashtëm Mike Pompeo ka bërë thirrje që të ruhet presioni ndaj udhëheqjes së Koresë së Veriut. Pompeo tha para fillimit të Forumit Rajonal të Aseanit se me këtë synohet të arrihet “çarmatimi bërthamor përfundimtar dhe i verifikuar plotësisht”.
Reagimi i Koresë së Veriut ndaj deklaratës së Pompeit nuk vonoi. Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong Ho tha se vendi i tij është “plotësisht i vendosur” që ta zbatojë marrëveshjen e nënshkruar në qershor për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut. Prandaj kërkesa e ministrit të Jashtëm të SHBA është “alarmuese”. Me këtë qendrim SHBA sipas tij kthehen “tek e vjetra” – duke u larguar tepër nga synimet e udhëheqjes vetjake, kritikoi Ri.
Ai e kundërshtoi edhe studimin e ekspertëve, sipas të cilit Koreja e Veriut po vazhdon të armatoset edhe më tej: Që prej marrëveshjes së qershorit, Pheniani ka ndërmarrë një sërë masash që krijojnë besim për “çarmatimin bërthamor” të Koresë së Veriut./ D.W/