Nga froni i ëndrrave të mia

 

Nga Artur  SHEMAJ

 

1.- Gruri i përvuajtësisë

Një litar lirie mbaron

Ku litari tjetër zë e nis;

Dhe i bashkova,i lidha,

Sa për të arritur

Tek strumbullari i dashurisë…

Pastaj kalë i mundimit erdh

Të shijë grurin e përvuajtësisë…

 

2.-Kulpri

Kulpri i brishtë

Krahët kishte nderë,

Mpleksur në ferrishtë,

Përqafuar me një ferrë.

 

S`e prishte terezinë,

Panjat bëheshin xheloze,

Duke shijuar harmoninë

E jetesës simbioze.

 

Për të dy që bashkëjetojnë

Thonë çfarë i ka shtyrë,

Por ata seç harrojnë

Ligjet e nënës natyrë…

 

3.-Ata

Ata banojnë në të njënjtën lagje,

Në rrugën numër shtatë,

Në të njëjtin apartament

Flinin në të njëjtin shtrat.

 

 

Në kohëharrim të dy

Teksa bënin shoping në markat

U panë sy me sy,

Si të mos kishin fjetur në të njëjtin shtrat.

Gruaja kureshtare pyet:

A e njeh filan burrë?

Dhe tjetri  shqyen sytë:

S`e kam parë kurrë…

Po ti filan grua e ke  parë?

Ajo tundi flokët e heshtur

Si ujëvarë…

 

Më pyete tha për filan grua

Dhe nuk po të kuptoj çfarë thua…

Nostalgji

Nga froni i ëndrrave të mia

Më rrëzoi grifsha nostalgjia;

Kujtimet e fëmijërisë m`i mjeroi,

Plagët m`i mais,

Unë do t`i mbyll

Në një plagë të poezisë…

 

4.-Pulat e rahimit

 

Fëshfërin zabel i paprerë,

Me dushk akacie në gjelbërim,

Dhe mund ta pish kafenë

Nën tendën e zotit Rahim.

 

Falë këtij burri në fshat

Me një ndjesi qytetari,

koria shpëtoi nga sëpata

Nga duar  vrastari.

 

Padron i bujtinës të shfaqet,

Serioz e hijerëndë,

Ndërsa dega e pemës falet

E belbëzon mbi tendë..

 

E ca pula në rrëzë të kodrinës

Me thonj gjethet ngrenë veri,

Krekoset këndezi me këngët

E krahët rreh me krenari…

 

Kur dëgjonë zërin e padronit

Me një sapllake në dorë,

Vërsulen në derë të sallonit

Qëmtojnë mirsrin hamullor..

 

Dhe përsëri në kodrinë

Qetësi pas potere,

Dhe vëren zoti Rahim

Kush e ka radhën për në tenxhere?…

 

Pulastrenët dridhen si purteka

Tek shohin thikën e zotit Rahim,

E dinë se nuk i zë dreka

E fshihen të gjejnë shpëtim.

 

Rahimi si sulltan

Që zgjedh një zogëz nga harem i vet,

Cilën prej tyre do bëjë kurban

Cila vallë do të jetë?

 

Dhe këngë e gjelit në mes u pre,

Lafsha i ra në gjysmë shtizë,

Krakarimat s`u ndjenë më,

Heshtja s`duron një mizë.

 

Veç shoqet pendëvarur shkojnë

Si vajtoca që s`mund të qajnë me zë,

Të heshtura, të trishtuara  na kujtojnë

Jetën tonë që ngjan me të..