Papa: Dënimi me vdekje, i papranueshëm

Vatikani njoftoi të enjten se Papa Françesku ka kërkuar nga kisha të ndryshojë mësimet e saj dhe të pasqyrojë pikëpamjen e tij se dënimi me vdekje duhet të jetë i papranueshëm.

Me gjuhën e re që përdoret gjatë katekizmit në kishën katolike thuhet se dënimi me vdekje prej kohe konsiderohej si përgjigja e duhur ndaj krimeve të caktuara për të mbrojtur publikun, por tani ka “një vetëdije në rritje se dinjiteti i personit nuk humbet edhe pas kryerjes së krimeve shumë serioze”.

Në tekst thuhet se ka dënime më efektive që “nuk e privojnë në mënyrë përfundimtare fajtorin nga mundësia e shpagimit”.

Më tej thuhet se në mësimet e kishës katolike dënimi me vdekje është një sulm ndaj dinjitetit të një personi dhe se kisha po “punon me vendosmëri për heqjen e tij në të gjithë botën”.