Vajzë e thinjur ç ’po kërkon

 

Motiv kurbeti nga Namik Selmani

 

Mos e patë ju, rron apo nuk rron

Ndonjë lajm a ndonjë letër

vallë a më kujton, vallë a më kujton

“Vajzë e Valëve”

 

Vjen gjemija përtej detesh

Është vuvë, dhogëtharë.

Vajzë e Valave ç’po më tretesh

Thinjëruar nga një mall.

 

Shpirti ndahet copë-copë

Gurin-o ç’e ndez vullkani.

Vajzë e thinjur ç’po kërkon

Ku është vyshkur jargavani?

 

I sheh dallgët, thuron ëndrrën

Regëtin një qiri malli

O ti zog, sot merrma këngën

Bëje zjarr për pisha mali!

 

Kërkon lulja hoje blete

Të mbushë hojet tërë mjaltë.

Se pa trimit thahet jeta

Verbon syri për të parë.

 

Shpirti bëhet si zgalem

Shkon e vjen e dera s’hapet.

Kënga mbytet thellë në det

Lot i nxehtë zbret te faqet.

 

Ku janë zogjtë të puthin çerdhet

Krahëlodhur nga tufane.

Lart në qiell hëna tretet

Zbardh ca krahë pulëbardhe.

 

Boston, më 31 korrik 2018