Njerëzit shpenzojnë më shumë kohë në shoqërinë e pajisjeve të tyre dixhitale, sesa me miqtë apo partnerët e tyre

Por, a e keni kuptuar rëndësinë e problemit?

Apple dhe Google kanë prezantuar së fundmi veçoritë e reja të sistemit operativ për celularët,me qëllimin “për të pakësuar ndërprerjet dhe për të menaxhuar kohën në ekran”. Përdoruesit e Android dhe iOS, së shpejti do të jenë në gjendje të mbrojnë gjumin e tyre nga tundimet dixhitale duke aktivizuar lehtësisht sistemin”Do not Disturb”, dhe të lajmërohen për të bërë pushim kur janë duke përdorur aplikacionet e tyre të parapëlqyera dhe kanë tejkaluar limitin e kohës të zgjedhur personalisht.

Këto mjete të reja teknologjike janë pa dyshim të mirëpritura. Kërkime të shumta kanë dokumentuar se smartphone-t mund të dëmtojnë cilësinë e gjumit të njerëzve ose t’i shpërqendrojnë ata nga veprimtaritë jodixhitale. Janë zbuluar vazhdimisht prova që tregojnë se smartphone-t mund t’i shpërqendrojnë përdoruesit nga familja dhe miqtë, edhe kur janë së bashku në të njëjtin ambient, si për shembull kur mblidhen për të ngrënë ose kur kalojnë kohë me fëmijët.

Në situatat ku kufizimi i shpërqendrimeve dixhitale është i domosdoshëm, – si argëtimi me fëmijët– mjetet e reja të Apple dhe Google ofrojnë zgjidhje të përshtatshme. Megjithatë, kërkimet tregojnë se smartphone-t mund të jenë duke ndikuar te ne shumë më tepër se nga sa mund ta mendojmë.

Kufizimet e zgjedhjes

Problemi thelbësor është se njerëzit nuk arrijnë të vlerësojnë atë që ekonomistët e quajnë “kostot e mundësisë” – vlera e asaj që dikush sakrifikon kur bën një zgjedhje në vend të tjetrës. Disa studime të Universitetit British Columbia zbuluan se njerëzit shpërfillin një efekt anësor kyç,që shkaktohet kur personat varen së tepërmi nga celularët e tyre, për marrjen e informacionit: ata humbin shanse për të rritur aftësinë e tyre për t’u socializuar. Për shembull, duke përdorur “Google maps”, ju shmangni nevojën për t’u besuar njerëzve të tjerë, duke eliminuar edhe mundësinë që të provoni mirësjelljen e një të huaji që tregohet dashamirës, duke iu treguar rrugën drejt një dyqani apo teatri.

Hiqeni nga dora celularin

Është e lehtë ta kuptosh se si mund të dëmtohet mirëqenia sociale e një individi kur ai heq dorë nga ndërveprimet me të tjerët në favor të lehtësive teknologjike. Por pjesa më e madhe e njerëzve i përdorin celularët pikërisht për t’u socializuar – shpesh e bëjnë këtë,ndërkohë që janë duke biseduar ballë për ballë me persona të tjerë. Në të njëjtën kohë mund të jenë duke pirë me një koleg, duke folur në Snapchat me një mik, duke i shkruar mesazh një partneri apo edhe duke rregulluar një takim në Tinder apo Grindr. Disa mund të mendojnë se socializimi me disa njerëz njëkohësisht është më i mirë.

Një studim i Universitetit të Virxhinias vëzhgoi sjelljen sociale dhe mirëqenien e 174 të rinjve gjatë një jave. Çdo ditë, pesë herë të rastësishme, çdo personi iu dërgua një sondazh njëminutësh për ta plotësuar në celularin e tyre. Ata u pyetën se ç’ishin duke bërë në 15 minutat e fundit, përfshirë edhe pyetjen nëse ishin shoqërizuar personalisht apo në mënyrë dixhitale (p.sh. me mesazhe apo duke përdorur rrjetet sociale). Gjithashtu, ata u pyetën nëse e ndienin veten pranë apo larg të tjerëve dhe nëse përgjithësisht, a ndiheshin mirë apo keq emocionalisht.

Nuk është për t’u çuditur që njerëzit ndiheshin më mirë dhe më të lidhur gjatë kohës kur socializoheshin ballë për ballë, në krahasim me kur nuk socializoheshin fare. Këtë e provojnë dekada kërkimesh. Por u zbulua se kur njerëzit socializoheshin vetëm ballë për ballë, ata ndiheshin më të lumtur dhe më të lidhur me të tjerët sesa kur socializoheshin nëpërmjet celularëve. Një zbulim i tillë është mbresëlënës, sepse njerëzit që morën pjesë në studim ishin pjesë e të ashtuquajturit “brezi dixhital”, dhe kanë mësuar të përdorin smartphone-t, tabletat dhe kompjuterët që në moshë të vogël.

Teksa mjetet dixhitale fillojnë të krijojnë gjithnjë e më tepër mundësi për të kufizuar kohën para ekranit dhe për të ndalur ndërprerjet dixhitale, nuk është e lehtë të dish si dhe kur duhen përdorur ato. Në vend që të vendosin për çdo veprimtari se kur të mos ndërpriten, njerëzit mund të zgjedhin “Donot Disturb”, si opsion automatik dhe të shohin njoftime të ndryshme vetëm kur të duan. Megjithatë, kërkime të fundit të Universitetit Duke tregojnë se, nëse përdoruesit e celularëve nuk marrin asnjëherë njoftime, kjo ndikon negativisht në mirëqenien e tyre, për shkak të frikës se mos kanë humbur ndonjë njoftim të rëndësishëm.

Zgjidhja më e mirë është rruga e mesme: u zbulua se mënyra ideale është që celulari të shfaqë një grup njoftimesh tri herë në ditë. Në mënyrë që përdoruesit e tyre të kenë përfitimet më të larta psikologjike, Google dhe Apple mund ta bëjnë më të lehtë opsionin e shfaqjes së një grupi njoftimesh njëherësh. Google dhe Apple gjithashtu duhet të zgjerojnë rekomandimet e tyre proaktive për menaxhimin e ndërprerjeve.

Për shembull, iPhone, tashmë e ofron mundësinë për të aktivizuarautomatikisht “Do Not Disturb”kur jeni duke drejtuar makinën dhe në veçoritë e ardhshme, kjo mund të aktivizohet edhe gjatë gjumit. Provat gjithnjë enë rritje që tregojnë se smartphone-t po komprometojnë mirëqenien gjatë ndërveprimeve sociale tregojnë se koha sociale dhe familjare gjithashtu garanton mbrojtje nga shqetësimi dixhital.

Njerëzit shpenzojnë më shumë kohë në shoqërinë e pajisjeve të tyre dixhitale, sesa me miqtë apo partnerët e tyre. Është e drejtë që këto pajisje të mësojnë më shumë për çka i bën njerëzit të lumtur dhe të ofrojnë një mundësi për të rimarrë lumturinë e humbur në veprimtarinë dixhitale – dhe nga kompanitë që kanë nevojë për vëmendjen e njerëzve për të lulëzuar.

Burimi: World Economic Forum