Lamtumirë mësuesi dhe kolegu ynë, Musa Çekaj!

Nga Adem Lushaj – Deçan

Lajmi për shkuarje në botën e amshueshme, të punëtorit shumëvjeçar të arsimit, të mësimdhënësit të Matematikës, të veprimtarit të palodhshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Musa Çekaj, nuk ishte i hidhur vetëm për familjen Çekaj. Ky lajm, ka prekur thellë zemrat e gjithë atyre që e kishin njohur, e sidomos të nxënësve dhe kolegëve të tij, të cilët do e kujtojnë gjatë për mënyrën e të mësuarit dhe edukuarit, të shumë gjeneratave. Biografia e Musa Çekaj, të cilin e quanin “baca Musë”, është e begatë, si në aspektin njerëzor, ashtu edhe në atë intelektual. Arsimtari Musë, për 40 vite ishte në shërbim të arsimit shqip. Për 4 dekada të plota, kishte vënë bazat e shëndosha në mësimdhënie dhe mësimnxënie.
Kishim fatin e mirë, pos asaj që ishim nxënës i tij, për 20 vite të rrugëtojmë së bashku në edukimin dhe arsimimin e brezave. Për këto vite të punës, raportet tona, nuk ishin veç kolegiale. Por, raportet tona ishin më shumë se kaq, e sidomos gjatë viteve të 90-ta, kur vendi ynë kalonte nëpër periudha të vështira të rrugëtimit për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Nga arsimtari ynë, pos që morëm njohuritë bazë të profesionit, morëm edhe këshilla për jetë dhe punë sa më të suksesshme, për mësimdhënie, sa më efektive. Fati e deshi, që ato njohuri dhe këshilla, ti bart te fëmijët e tij!
Familja ka humbur një bashkëshort, një baba, një vëlla! Ndërsa ne, humbëm një mësues, një koleg, një veprimtar, një luftëtar lirie. Ndjehemi krenar për punën e palodhshme të mësuesit dhe kolegut tonë. Veprat dhe sjelljet e tij, do mbesin gjithmonë në mendjet dhe zemrat e atyre që e kishin njohur.

Mësuesi dhe kolegu ynë, prehu i qetë dhe lavdi jetës dhe veprës tuaj! Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty!
 

(Në foto: Musa Çekaj dhe Adem Lushaj)